Me hidhërim të thellë mësuam sot, ndarjen nga jeta të vëllait tonë, Rustem Peçi, ish-ushtarak Madhor dhe Kryetarit i Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë. Me këtë rast, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, ngushëlloj familjarët e Rustemit, miku i shtrenjtë i imi dhe i bektashinjve, Komitetin e Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë, shokët, kolegët dhe miqtë e shumtë të tij, brenda e jashtë Shqipërisë, për këtë humbje!
Zoti i Lartë ua lehtësoftë dhimbjen! U prehtë në paqe, vëllai jonë i mirë!
Rustem Peçi, ishte dhe do të mbetet shok e mik i rrallë, si atdhetar, si familjar, si shtetarë dhe si njeri me zemër të madhe, që diti tu bëj ballë me shumë sukses, sfidave të shumta që i kishte rezervuar kjo jetë. Ndërsa për ne bektashinjtë, ai do të mbetet një vëlla, mik e bashkëpunëtor i pa harruar, pasi e kishim pranë nesh, në problemet dhe hallet që kishim, në aktivitetet tona të shumta me karakter fetar dhe atdhetar. Dashamirësia, fjala e tij, vendosmëria e kontributi konkret për të të gjendur pranë, ishin cilësi e veti të njerëzve të rrallë. Pikërisht për këtë, jeta dhe shembulli i tij, do të nderohen e respektohen vazhdimisht ndër breza.
Jeta e Rustem Shefqet Peçit, bir i shquar i Picarit të Gjirokastrës, (ka lindur më 5 shtator të vitit 1935) ishte një jetë dinjitoze dhe mbetet degë e një lisi të lartë e hijerëndë të asaj treve. E tillë, ajo mbeti dhe gjatë shkollimit si skënderbegas, në shkollimin e lartë dhe ato akademike në Shqipëri e jashtë saj, si ushtarak madhor dhe dekadën e fundit, në krye të organizatës së veteranëve të LANÇ.
Ndaj sot, dhe në këtë ditë të trishtueshme për humbjen e vëllait tonë Rustemit, duke vlerësuar atë njeri, duhet të ndërgjegjësohemi më shumë e të reflektojmë, për më shumë mirësi e dashuri për njeri-tjetrin, për më shumë unitet vëllazëror e dashuri për të Madhin Zot, në mënyrë që ashtu së bashku, të përballojmë problemet e vështira të pandemisë e vështirësive të tjera të jetesës, ashtu me vendosmëri e këmbëngulje!
Qoftë i pa harruar kujtimi dhe jeta e vëllait tonë, Rustemit!
Shpirti iu prehtë në paqe!
Zoti u bekoftë të gjithëve!
Amin!
KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN
HIRËSIA E TIJ,
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ