NGUSHËLLIM PËR NDARJEN NGA JETA TË SHKRIMTARIT TË NJOHUR ISMAIL KADARE

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, mëngjesin e ditës së hënë, 1 korrik 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, i’u dërgoi mesazh ngushëllimi familjarëve dhe të afërmve të shkrimtarit.

Në mesazh, ndër të tjera theksohet: “Me keqardhje e pritëm lajmin e ndarjes nga kjo jetë, të shkrimtarit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare. Shprehim ngushëllimet tona, familjes dhe të afërmve të tij, për këtë humbje, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për letërsinë botërore. Shpirti i Tij u prehtë në paqen e amshuar! Kontributi i tij i vyer e mbresëlënës do të mbahet mend në breza si i pakrahasueshëm ndër autorë. Bota humbi një thesar të çmuar e një kontribuues famë lartë të artit të penës e mençurisë. Do ti mungosh letërsisë dhe artit të të shkruarit bukur, kolosi i letrave shqipe. Ismail Kadare!”
..Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958, mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë, për dy vjet, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Romani u vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit ‘Le Monde’, si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë. Më 17 tetor 2023, shkrimtarit të madh shqiptar, iu dha titulli i ‘Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit’, nga Presidenti francez, Emmanuel Macron.”|