NIS SOT PELEGRINAZHI 5 DITOR NË MALIN MISTIK TË TOMORRIT

Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj: Nga 20-25 gusht, ju mirëpresim në pelegrinazhin tradicional bektashian në Malin e Tomorrit! Mirë ardhshi!

Nga mëngjesi i ditës së martë, 20 gusht 2024 deri në 25 të po këtij muaj, zhvillohet pelegrinazhi tradicional bektashian, në teqenë e Kulmakut, në Malin e Tomorrit. Për mbarëvajtjen e këtij pelegrinazhi, ku si në traditë priten qindra mijë pelegrinë, Nga Selia e Shenjtë Bektashiane Tiranë dhe nga Gjyshata e Skraparit, janë marrë të gjitha masat e pritjes, akomodimit dhe të kryerjes së riteve nga besimtarët. “…Ka kohë që kanë vazhduar përgatitjet, investimet në infrastrukturë, logjistikë, masat e ruajtjes e sigurimit nga premisat për ngjarje të jashtëzakonshme. Është punuar me strukturat vendore, atë të policisë dhe faktorët e tjerë të komunitetit vendas dhe më gjerë, për ti kthyer këto dit, si në traditë, dit feste të paqta bektashiane, dit’ të një mundësie të mrekullueshme ku pelegrinët të kryejnë ritet e të mbushen me shpresë për dit e jetë më të mirë, me besimin e palëkundur tek i Madhi Zot. Ftesa jonë është: Mirë ardhshi në këtë festë të mrekullueshme bektashiane…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.

Ndërsa Zalo Qato, Sekretar i Gjyshatës së Skraparit, ndër të tjera pohoi: “…Gjatë gjithë vitit, kemi punuar me projekte të detajuar, për përmirësimin e kushteve, infrastrukturës së qëndrueshme, në mënyrë që pelegrinët të jenë komodë, në ditët e pelegrinazhit masiv, por dhe në ditët e tjera që planifikojnë të vijnë në këtë vend të shenjtë. Kemi siguruar plotësisht infrastrukturën rrugore, për lëvizje normale të të gjitha automjeteve, deri në Çukë, në Majë; kemi siguruar ujin e pijshëm dhe atë për nevoja të tjera plotësisht dhe pa ndërprerje; kemi shtuar mundësitë e akomodimit e pritjes, deri dhe në elementë të ndryshëm të logjistikës; kemi siguruar bashkëpunim me policinë për siguri ruajtje e lehtësi lëvizje; me institucionet shëndetësore për qenien në gatishmëri të pa ndërprerë në shërbim të besimtarëve etj…!”.

KUSHTE OPTIMALE PËR PELEGRINAZHIN

Ditët zyrtare të pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, u paraprinë me një konferencë shtypi të zhvilluar në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ditën e hënë, më 19 gusht 2024. Në këtë konferencë, merrnin pjesë dhjetëra medie televizive e gazetarë vendas dhe të huaj. Fillimisht, kryegjyshi Botëror Bektashian, njoftoi për masat që janë marrë për ditën e pelegrinazhit, investimet dhe gjendjen e rruëgve të lëvizjes, sigurimin e plotë të ujit pa ndërprerje, të energjisë elektrike; shërbimit shëndetësor 24-orësh; përgatitjen e fletë palosjeve; ekspozitave fotografike; planet e bashkëpunimit me bashkitë dhe policinë etj. Në vijimësi, gazetarët bënë dhe pyetje të veçanta, për të cilat morën dhe përgjigje nga Kryegjyshi.

Në përfundim, pas ftesës, “Mirë u takofshim në Malin e Tomorrit”, përfaqësuesit e medies konfirmuan se gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit do të jenë atje, duke përcjellë informacion për shikuesit e dëgjuesit.

NË NDIHMË TË PELEGRINËVE

Për shkak të fluksit të madh të pelegrinëve, në planin me Drejtorinë e Policisë Berat, një rëndësi i është kushtuar, veçanërisht javën e fundit, drejtuesve të automjeteve.

Në këtë kujtesë të drejtuesve të mjeteve, ndër të tjera evidentohen:

-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, ”Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, ”Berat-Mali i Tomorrit”, ”Berat-Çorovodë” dhe ”Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit”, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00- 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”. -Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

-Gjithashtu, është e ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në akset rrugore dhe drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve

Përgatiti: K. BORIÇI
Fotot: Nuri ÇUMANI