Kryegjyshata Botërore Bektashiane me Seli në Tiranë, me hidhërim të thellë, njofton, gjithë besimtarët dhe klerikët bektashianë e dashamirësit të kudondodhur, se sot, në datën 11gusht 2023, kaloi nga jeta, administratori i teqesë bektashiane Greshicë-Mallakastër, Kujtim Jaze. Pritja për homazhe, bëhet përballë Shkollës “Harry Fultz”, tek Qendra Hom Herri. Varrimi bëhet ditën e shtunë, 12 gusht 2023, ora 12:00.
JETËSHKRIM
Kujtim Jaze,
lindi në Tiranë më 15 prill të vitit 1950. Ai u arsimuar dhe u kualifikua duke punuar në sektorin e mobilerisë. Me pindërit e tij shkonte herë pas here në fshatin Greshicë, ku vizitonin edhe teqenë e Greshicës, deri në vitin 1967. Gjithashtu mori nga prindërit kulturën fetare bektashiane. Pas vitit 1990, kur ndodhën ndryshimet e sistemit monist, ai me përkushtimin dhe dashurinë ndaj besimit bektashian, mori përsipër ringritjen e tyrbes dhe teqesë së Greshicës. Gradualisht, me ndihmën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe banorëve të fshatit, u arrit të ringrihet tyrbja dhe teqeja e Greshicës. Mori përsipër administrimin e teqesë, regjistrimin e pronave dhe gjithë aktivitetit sipas kalendarit bektashian. Organizonte ceremoninë e përkujtimit të themelimit të teqesë dhe ditëlindjen e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, në çdo 4 mars. Gjithashtu kontribuoi në bërjen e bustit të Dede Reshatit, i cili u vendos në hyrje të teqesë. Me përkushtim dhe devocion punoi gjatë gjithë kohës në njohjen dhe historinë e bektashizmit në Greshicë dhe më gjerë. Ai la gjurmë në edukimin e fëmijëve. Në familje, në punë dhe shoqëri, ishte një aktivist dhe administrator i mirë i teqesë së Greshicës.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!