NJOFTIM I KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE, TIRANË. NDAHET NGA JETA BABA HEKURAN NIKOLLARI

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, me hidhërim të thellë, njofton gjithë besimtarët, klerikët bektashian e dashamirësit të kudondodhur, se më datën 3 shkurt 2025, në teqenë e Alipostivanit-Përmet, kaloi nga jeta baba Hekuran Nikollari.
Pritja dhe homazhe bëhen në datat 4-5 shkurt 2025, në teqenë e Alipostivanit.
Varrimi bëhet ditën e enjte, 6 shkurt 2025, ora 12.00, në teqenë e Alipostivanit, Përmet.

* * *

JETËSHKRIM I BABA HEKURAN NIKOLLARIT

Baba Hekuran Nikollari, u lind më 7 shtator 1963, në Seniçan të Përmetit. U rrit përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë dhe dashurinë për Shqipërinë. Fejzua, babai i tij, u nda nga jeta më 1985, ndërsa e ëma, Vezirja, u nda nga jeta në vitin 2010. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan. Më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënje, por pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit. Në vijimësi ka punuar në Ndërmarrjen e Bonifikimit në Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë dhe në Shfrytëzim-Përpunimin e Drurit të Përmetit. Në vitin 1992, emigroi në Greqi, ku punoi në punë të ndryshme në Trikalla, në Athinë, në Lamia, në ishullin Kolkidha dhe në Larisa. Në vitin 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare e bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut, të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin, në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili sot quhet “I miri i Nakove”. Më 22 mars 2001, ai shkoi në Alipostivan. Teqja ishte e shkatërruar në vitin 1967. U mbështet tek familja e Refat Hasimit, familje me tradita atdhetare. Me Refatin, me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën në fillim tyrben e Baba Ali Horasanit. Për këtë pati bekimin dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi. Më 04 prill 2002, pasi qëndroi pak kohë, pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut dhe u emërua dervish, në teqenë e Ali Horasanit të Alipostivanit, në Përmet. Në vitet 2007-2009, baba Hekurani emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti, duke ruajtur origjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme, e cila sot është një mrekulli e vërtetë.
Disa vite, baba Hekurani, bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Hekuran Fejzo Nikollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’ dhe u emërua baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit.
Baba Hekurani i teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyllte me fjalët “Rroftë Shqipëria”!
Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit; Titulli “Nderi i Frashërit”, nga Këshilli i Komunës së Frashërit, (Vendimi Nr. 19 datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës, me “Urdhrin Naim Frashëri i Artë”. Me punën e tij të palodhur drejtoi më së miri teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe bëri përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferit në Përmet. Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve të Përmetit e më gjerë. Ai ka bërë identifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të mira në Përmet, ngriti nga themelet teqenë e Cfratit në Bual të Përmetit me një tyrbe të mrekullueshme. Puna e tij është një kontribut i veçantë për bektashizmin.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!