NJOFTIM PËR KALIMIN NGA KJO JETË, TË MYHIBES MERUSHE JONUZ BRAHIMAJ, NËNA BIOLOGJIKE E KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Kryegjyshata Botërore Bektashiane me Seli në Tiranë, me hidhërim të thellë, njofton, gjithë besimtarët dhe klerikët bektashian e dashamirësit të kudondodhur, se sot më datën 4 gusht 2024, kaloi nga jeta, myhibja, Merushe Jonuz Brahimaj, nëna e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

DEATJE TË CEREMONISË:
Dita e diel pasdite:
-Nga ora 17:00, deri në 22:00, të datës 4 gusht 2024, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, bëhen homazhe.

DITA E HËNË
-Nga ora 10:00, deri në orën 16:30 të datës 5 gusht 2024, vazhdon pritja dhe homazhet në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

-Varrimi do të bëhet në orën 17:00 të ditës së hënë, 5 gusht 2024, me pikënisje nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

 

MERUSHE JONUZ BRAHIMAJ
(19 MAJ 1937-4 GUSHT 2024)

Merushe Jonuz Brahimaj, lindi në fshatin Brataj të Lumit të Vlorës më 19 maj 1937-Vlorë. Ajo u rrit dhe u edukua nga prindërit e saj, Jonuz dhe Feride Brahimaj, me dashurin për njerëzit, për punën dhe kulturën fetare bektashiane. Ajo vjen nga një familje fisnike, e njohur jo vetëm në fshatin Brataj, por në gjithë trevën e Vlorës e më gjerë.
Merushja u martua me Hysenin në vitin 1954 dhe bënë 4 fëmijë: Edmondin, Dallëndyshen, Armandon Lindita Brahimajn. Si një familje bektashiane, në shtëpinë e saj në Tiranë, priste dhe përcillte me dashuri, ish-Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Dede Ahmetin.
Në këtë mjedis fetar dhe atdhetar, u rrit dhe u edukua, ish-nefes i Dede Ahmetit dhe Kryegjyshi i sotëm i bektashinjve, Dede Edmond Brahimaj.
Është një histori e tërë jetësore, vështirësish e përkushtimi, puna e saj në rritjen e fëmijëve dhe veçanërisht përkushtimi ndaj djalit të saj Edmond Brahimajt. Pas viteve 1990 kur ndodhën ndryshimet e sistemit monist dhe u lejua feja, nënë Merushja, me zell të madh, u drejtua te Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, tek Dede Reshati dhe do ishte e pranishme në çdo ceremoni fetare, Matemi, Ashurja, Sulltan Nevruzi, Bajrami i Madh dhe i Vogël etj. Ajo la gjurmë në edukimin e fëmijëve në familje, në punë dhe shoqëri dhe si aktiviste. Ajo si gjithmonë e qeshur e dashur si nënë dhe besimtare, të jepte ngrohtësi, besim dhe dashuri njerëzore.
Pas një sëmundje të rëndë, kaloi nga jeta sot më 4 gusht 2024, dita e fundit e muajit Muharrem.
E paharruar qoftë kujtimi i saj!