PA ATDHE NUK KA FE. 5, 6 DHE 7 MARS 2023 – 25 VJETORI I EPOPESË SË UÇK-SË

Rënia legjendare e familjes Jashari, bektashinjve iu përkujton sakrificën e Familjes Profetike. 59 varret e anëtarëve të familjes Jashari që dëshmojnë sakrificën në përpjekjen e pashembullt të shqiptarëve të Kosovës për liri e demokraci, ngjasojnë me rënien e Imam Hyseinit me 72 dëshmorët e Qerbelasë, që u sakrifikuan për të ruajtur të vërtetën dhe lirinë, kundër padrejtësive të tiranëve.
Bektashinjtë shqiptarë ndjejnë respekt e konsideratë të thellë ndaj sakrificës së familjes Jashari.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane përkujton me vlerësimet më të thella ngjarjet historike të Prekazit. Shenjtori bektashian, Haxhi Dede Baba Reshat Bardhi bekoi me vizitën e tij, këtë vend pelegrinazhi për gjithë shqiptarët. Kleriku bektashian i Kosovës, Baba Mumin Lama, përherë përzgjidhte fjalët më të mira për të përshkruar veprën heroike të familjes Jashari.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shpreh konsideratën më të thellë kombëtare e fetare ndaj të rënëve të familjes Jashari dhe gjithë martirëve të popullit shqiptar që ranë në angazhimin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Përgatiti:
Lorik BAKIJA