Që në ditën e parë të “Panairi i Librit-2021”, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, (17-21.11.2021), stendat Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, patën vizitorë e blerës të shumtë. Kjo jo vetëm për faktin e hapësirave, sasisë e cilësisë së botimeve, promocioni sistematik në medien e shkruar e vizive, të botimeve të Selisë së Shenjtë, por dhe për praktikën e konsoliduar të afrimit pranë saj të krijuesve të njohur të vendit dhe të huaj me studimet e punimet e tyre për bektashizmin. Burime nga organizatorët thonë se përveç blerjeve të titujve të ekspozuar, nga individë dhe personalitete të ndryshme, pati kërkesa dhe për tituj të tjerë librash, me objekt bektashizmin. Kështu, një pjesë e mirë e këtyre kërkesave, u realizua që mëngjesin e ditës së dytë të panairit.
“Për pjesëmarrjen sa më të mirë në këtë panair, ne kemi punuar gjatë në harkun e një viti, ku në çdo hap, ka qenë mbështetja dhe ndihma e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. E veçanta e titujve të këtij panairi, janë libra për bektashizmin e personalitete të tij, të shkruar enkas nga autorë e publicistë të Selisë së Shenjtë dhe të tjerë, të kontaktuar, emra të njohur të kësaj fushe, historianë, studiues e teologë në Shqipëri e jashtë saj. Falë punës përgatitore, shikojmë se kanë dhënë efekt, që në ditën e parë të panairit”- pohon mes të tjerave Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Burimet e mësipërm shtojnë se ndër titujt e librave të kërkuar që në ditën e parë të panairit janë: “Dede Reshat Bardhi-Album”; “Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”; “Në Stamboll, tek Naimi”, “Baba Ali Tomorri”, “Gjurmë të dervish Iliasit”; “Fletore e Bektashinjve”; “Dede Ahmet Myftari”; “Baba Shefqet Gllava, martir i demokracisë”; “Ajka e kuptimeve”; “Tek Abaz Aliu”; “Fuqia e vërtetë e ujit” etj...
Njëkohësisht, paraqitja e Selisë së Shenjtë Bektashiane në këtë panair të librit, ka ngjallë interes dhe tek media e shkruar e televizive, të cilat pasqyruan jo vetëm informacionin rreth stendave, titujt e librave të paraqitur, por dhe intervista të ndryshme.
Pritet që në ditët në vazhdim, interesi për këtë paraqitje të bektashinjve, të vij në rritje.
(Fotot: Nuri Çumani)
Përgatiti:
Kujtim BORIÇI