Pelegrinazh në teqen e Greshicës – Mallakastër

Bismilahi, Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar vëllezërit e mij, klerikë bektashianë!
Të nderuar përfaqësues të Bashkisë së Mallakastrës,
Është privilegj për mua të marr pjesë në këtë ditë të shënuar pelegrinazhi dhe më lejoni t'ju uroj: Paçi bekimet dhe mirësitë e Zotit të Lartë! Haxhi Bektash Veliu dhe mezaret e këtyre shenjtorëve që rrezatojnë dritë dhe shpresë, u ardhshin në ndihmë kurdoherë ju dhe familjeve tuaja!
Tanimë 4 marsi, nuk është ditë e bekuar vetëm për teqenë e Greshicës. Kjo ditë që lidhet me lindjen e myrshidit tonë, dede Reshat Bardhit, në Lusën të Kukësit, në vitin e largët 1935, përcjellë urimet dhe shpresë në çdo teqe bektashiane, anë e kënd botës, kudo ku vëllazëria jonë bashkon shpirtra njerëzish në udhë të Zotit. Kjo ditë e shenjtë në kalendarin botëror bektashian, do të mbetet kurdoherë si një thirrje për çdo klerik, myhib apo dashamirës të udhës së Hakut, që ne jo vetëm të bëjmë më të mirën për tarikatin që i përkasim, por edhe të jemi të ndërgjegjshëm për lartësinë dhe fisnikërinë e misionit që na është ngarkuar nga historia.  Bazuar në kodet mistikë dhe traditat e vyera bektashiane, mund të pohojmë sot pa frikë se djaloshi nga Lusna, Reshat Bardhi, i ka kaluar në mënyrën më natyrale të gjitha etapat hyjnore dhe njerëzore që ky besim ka afruar në 800 vitet e ekzistencës Ai e nisi udhëtimin e tij shpirtëror me një gëzim të madh, çka u pasua nga një dramë e madhe. Por nëse për botën bektashiane, termi “njih vetveten” simbolizon shkallët e dukshme dhe të padukshme të ngjitjes tek Zoti i Lartë, në jetën e dede Reshat Bardhit, ky term u shndërrua në një vetëdije të plotë, në një mënyrë të vetme jetese, të mbushura plot brenga njerëzore. Në të vërtetë, ardhja jonë këtu, , kujtimi i ditëlindjes jë teqenë e bekuar të Greshicës, flasin pë ndjenjë të respektit tonë të thellë, jo vetëm për dede Reshatin dhe myrshidin e tij dede Ahmet Myftarin, por për gjithë plejadën e ndritur të klerikëve, zemrat e të cilëve rrahin deri në fund për Zotin dhe kombin.  Motra dhe vëllezër greshiciotët  Teqeja juaj, ky tempull i shenjtë dashurie, ka padyshim një histori të gjatë dhe të ndritur, ku në vite të tëra, jo vetëm që shpërndau dritë besimi, por bëri ç'ishte e mundur që brezat e besimtarëve të rriteshin me dashurinë për atdheun, për shkollën, për librat, për motrën dhe vëllain, duke ndihmuar kështu në ngritjen e një familje me traditat më të bukura mallakastriote. Së bashku me fjalët e urta të Haxhi Bektash Veliut, klerikë si baba Hysen Merdani, baba Fetah Hadushi, baba Nurua, baba Dinua, baba Sulua, Baba Hyseni dhe deri tek baba Jonuz Qazimi, i cili jetoi vitet e egër të persekutimit komunist, mëkuan tek ndjekësit e tyre, mësimin e madh se jeta njerëzore është e mrekullueshme dhe vlen të jetohet përmes dashurisë së Zotit, në dritën e vëllazërisë bektashiane. Ringritja e kësaj teqeje vetëm 11 vite më parë, është dëshmia më konkrete se regjimi që lamë pas, sado që u mundua të fshinte besimin tonë nga zemra, nuk ja arriti dot.  Ai regjim i rrënoi teqetë e Greshicës, Drizarit, Kapajt, Kutës, Çorrushit, Hekalit e me radhë, por mbi rrënojat e dikurshme ne po ngremë sot, shtëpitë e besimit, siç është rasti i Greshicës. Dhe jo vetëm po ringremë teqetë, por çfarë është më e rëndësishmja, po i mbushim oborret e tyre me rininë e mrekullueshme bektashiane, me bisedat tona, me këngët tona. Dhe nuk kam se si të mos falënderoj sot ata dhjetëra bij të Mallakastrës, të cilët kanë ndihmuar në ringritjen e bektashizmit në këtë trevë, jo vetëm me idetë dhe mundin e tyre, por edhe me financat e tyre familjare. Respekti i veçantë shkon sot për djalin tuaj, Kujtim Jazin, i cili vazhdon të kontribuojë pa zhurmë e bujë, në ruajtjen e traditave dhe vlerave monumentale të teqesë së Greshicës.  Edhe një herë më lejoni t'ju falënderoj të gjithëve sot, që i jeni bashkuar gëzimit të datës së 4 marsit, të ditës që na kujton të gjithëve se duhet të ecim kurdoherë të përunjur në udhën e çelur nga myrshidët tanë dhe ku dede Reshat Bardhi ka vendin e vet të merituar.
I lutem Zotit që në shtëpitë tuaja të sjellë kurdoherë vetëm fat dhe mbarësi!
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj