Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!
Të nderuar besimtarë bektashianë Përmetarë!
Të nderuar miqtë e mi të teqesë së Bubësit!
Të nderuar djem, vajza dhe nënë Sania, të familjes Zaimaj!
Është kënaqësi e veçantë për mua t’iu uroj e bekoj në jubileun e lavdishëm të 150 vjetorit të çeljes së teqesë së Bubësit.
Qofshi kurdoherë nën ndihmën e Zotit, të Imamëve, të dervishëve e baballarëve bektashianë!
Teqeja e Bubësit është padyshim në vargun e atyre vatrave shqiptare të cilat e kuptuan se pavarësia e atdheut mund të arrihet vetëm me pushkë dhe me penë. Në mënyrë të veçantë në fillim të shekullit të kaluar kjo teqe u shëndrrua në vatër atdhetarie. Baba Aliu i dha një frymarrje krejtësisht nacionale asaj teqeje duke ofruar dashuri, paqe, bukë dhe fishekë për çetat e luftëtarëve të Përmetit, për ata burra që vunë interesat e kombit para gjithçkaje. Në unitet të plotë me vendimet e marra nga baballarët e teqeve të Frashërit, të Alipostivanit, të Përmetit, të Prishtës, të Gjirokastrës, teqeja e Bubësit u gjend kurdoherë e gatshme që të priste dhe përcillte së bashku me atdhetarët e shquar edhe djemtë që donin të mësonin shkrim e këndim.
Populli i Bubësit asnjëherë nuk e kurseu ndihmën e tij për baba Aliun, i cili rriti dhe zgjerojë teqenë, zbukuroi truallin e saj jo thjesht me mësimet e Haxhi Bektash Veliut por edhe me dashurinë për Përmetin dhe gjithë Shqipërinë.
Mirënjohje të thellë për veprën e shquar të baba Aliut si dhe krejt baballarëve e dervishëve të Shqipërisë!
Mirënjohje të thellë të gjithë atyre besimtarëve bektashianë të Përmetit të cilët mbushën në çdo kohë oborret e teqeve dhe pasuruan tarikatin tonë me tiparet më të vyera!
Padyshim një mirënjohje e thellë shkon sot edhe për familjen Zaimaj, për ata pasardhës të artë të baba Aliut, të cilët i japin jetë dhe frymë trashëgimisë fetare të kësaj teqeje.
Edhe një herë ta gëzojmë së bashku këtë ditë dhe ti lutemi Zotit të Madh që në mënyrë të veçantë, ditë të tilla të jenë ditë thirrjeje për brezin e ri që të mos largohet nga atdheu, që të viret në ballë të sakrificës për të tejkaluar sfidat e kohës.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!
KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ