PELEGRINAZH NË TEQENË E BUBËSIT TË PARË – NJË TRASHËGIMI SHPIRTËRORE QË VAZHDON

Këlcyrë, 1 Korrik 2025 — Në zemër të krahinës së Ballabanit, mes natyrës së qetë dhe historisë së thellë shpirtërore, u zhvillua sot pelegrinazhi i përvitshëm bektashian në Teqenë e Bubësit të Parë, një nga vendet më të vjetra të kultit në këtë trevë.
Ky pelegrinazh, i ndjekur nga besimtarë, pelegrinë dhe dashamirës të bektashizmit nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, është kthyer tashmë në një traditë të shenjtë, që përçon kujtesën, harmoninë dhe vlerat e paqes e dashurisë që përfaqëson ky besim.
Teqeja e Bubësit të Parë, e themeluar në vitin 1826 nga baba Dalipi – një figurë e shquar e ardhur nga Meçova e Greqisë, përbën një monument të gjallë të përkushtimit fetar dhe shpirtëror. Pasi iu shkatërrua teqeja nga urdhrat shtypës të Sulltan Mahmudit II, ai e rindërtoi në këtë fshat një qendër të re, duke sjellë paqe, pajtim dhe mirëkuptim në një kohë të trazuar për popullin e zonës.
Pas baba Dalipit, drejtimi i teqesë u vazhdua me përkushtim nga baba Jemini dhe më pas nga dervish Qazimi, duke e kthyer atë në një strehë shpirti dhe një qendër bujarie për çdo udhëtar, të varfër e të përvuajtur. Teqeja jetoi deri në vitin 1967, kur me mbylljen e institucioneve fetare, ajo u ndërpre, por kujtimi i saj nuk u shua kurrë nga zemrat e fisit Memadinaj dhe komunitetit.
Pas vitit 1990, me ringjalljen e besimeve fetare në vend, u ndërmorën hapa konkretë për rindërtimin e tyrbes së baba Dalipit dhe baba Jeminit. Falë kontributit të vyer të Vasil Macukës dhe Entela Memajdinit, në vitin 2008 u ringrit simboli i bektashizmit në këtë krahinë – një tyrbe e ndërtuar me gurë të skalitur dhe e kurorëzuar me taxhin bektashian, që sot është vend pelegrinazhi, lutjeje dhe nderimi.
Sot, në këtë 1 korrik 2025, në ambientin hijerëndë të teqesë dy-katëshe me pemë frutore, pus të lashtë dhe mjedis të përmallshëm, u lutën dhe u mblodhën qindra besimtarë, në kujtim të brezave që lanë gjurmë në këtë tokë të shenjtë.
Teqeja e Bubësit të Parë mbetet një vend shprese, bashkimi dhe trashëgimie. Ajo flet ende me gjuhën e dashurisë, të kujdesit për tjetrin dhe të vëllazërisë njerëzore, duke i dhënë kuptim të ri çdo pelegrinazhi që zhvillohet këtu.