Ditën e sotme, 17 shtator 2021, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashin, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvilloi pelegrinazhin e përvitshëm në teqenë e Harakopit-Tepelenë. Oborri i teqes ishte i mbushur plot me besimtarë dhe dashamirës, duke treguar se kjo ardhje në teqe dhe rritje e interesimit, përbën jo vetëm një akt respekti ndaj historisë së tarikatit bektashian, por edhe një dëshmi të qartë se besimi në Zot, po vjen duke u zgjuar dhe ringritur.
Në përshëndetjen e rastit, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: "Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor! Të nderuar diplomatë të pranishëm sot në këtë event! Të nderuar vëllezër të mi klerikë! Vëllezër dhe motra besimtarë të pranishëm sot në këtë ditë të shënuar të pelegrinazhit tradicional në teqenë e njohur të Harakopit në Levan të Tepelenës! Si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve ju përgëzoj dhe ju bekoj për më shumë mirësi, për më shumë shpresë tek i Madhi Zot, për më shumë dashuri, paqe e harmoni, në familjet tuaja dhe në komunitetin ku jetoni e punoni. Teqeja e Harakopit, ka një histori në udhën e ndritur të bektashizmit në trojet shqiptare. Ajo u themelua rreth vitit 1870 prej Husejn Babait me kontributin e Selman Pashës dhe banorëve të fshatit Levan Cirua dhe Kahësit të Tepelenë. Në vitin 1912 e drejtonte këtë teqe Baba Sulo. Pas luftrave, rreth vitit 1923, sipas Hasluck, qendra drejtohej prej Babait të pestë të linjës, kurse katër baballarët e parë ishin varrosur në teqe. Dihet se në këtë periudhë baba Hasani, që drejtonte më parë teqenë e Kremenarit, që u shkatërrua rreth 1914 nga andartët grekë banonte në Krahës. Trimat e zonës së Krahësit e mbrojtën teqenë. Baballarët dhe dervishët e teqesë së Harakopit kanë kontribuar gjatë gjithë periudhës së rilindjes kombëtare dhe në Luftën e Vlorës 1920 dhe në dy luftërat botërore. Klerikët e teqesë së Harakopit kanë bashkëpunuar me teqen e Zallit, Koshtanit, Turanit, Gllavës, Rabijes dhe Matohasanaj, Maricaj dhe Rozecit. Në këtë ditë të shënuar, është rasti të evidentojmë e kujtojmë vëllezërit tanë klerikë bektashi, që kanë drejtuar e punuar në këtë teqe ndër dekada e shekuj, përkatësisht Hysen Babain, baba Sadik Zhapokikën, baba Sulo M. Ramajn, baba Hasan Kremenarin, (1914-1928) baba Bajram Vëndreshën, baba Fejzo Dervishin, baba Neki Çaushin, baba Hodo Gjirokastrën, dervish Hysen Skraparin, dervish Shazivar Nivicën, gjysh Sejdin Canajn, dervish Brahim Ruçajn, dervish Zenel Isufajn, dervish Daljanin, baba Sami Arëzën, dervish Shahin Hajno që ishte i fundit, kur në vitin 1967, u mbyllën objektet e kultit dhe u ndalua besimi fetar me ligj, nga shteti i kohës. Për të ardhur kështu, tek klerikët bektashinj të pas vitit 1990, si dhe tek klerikët e sotëm, dervish Mikel Onjejan për punën me përkushtim që bën në zonën e Tepelenës si dhe myhibin, veprimtar që ka ndihmuar për ngritjen e tyrbeve në Harakop dhe përkujdesjen për ‘to. Dita e sotme, do të mbetet e veçantë, pasi sot, për herë të parë, organizohet pelegrinazhi në këtë vend historik, pelegrinazh që do të jetë tashmë i përvitshëm! Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!"