Pelegrinazh në teqenë e Shtufit – Gjirokastër

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!
Të nderuar vëllezër të mij, klerikë dhe besimtarë bektashianë!
Sot ndajmë së bashku, ditën e shënuar të 220 vjetorit të themelimit të teqes së Shtufit, një ndër vatrat e mëdha patriotike dhe fetare për Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë e Jugut.
Sot jemi me shpirt të gjithë atje, në atë teqe të famshme, e cila rri krenarisht përballë qytetit, duke dëshmuar se është pjesë e denjë e historisë së tij.
Sigurisht do të donim të ishim së bashku edhe fizikisht, të ndërronim muhabet me njëri-tjetrin, të faleshim e luteshim pranë mezareve aq të shtrenjtë për të gjithë. Por kohrat kaq të vështira që po kalojmë, pandemia që po zgjat pafund dhe shtimi i rasteve të sëmurë ditët e fundit, na detyron të mos mblidhemi dot fizikisht. Kësisoj do të vazhdojmë që lutjet tona të dala prej shpirtit, t’i bëjmë aty në frontet e punës ku jemi me besim të plotë se gëzime e festa jubilare të tilla, do t’i festojmë akoma më mirë në ditët që do të vijnë.
Siç e përmenda edhe më lart, teqeja e Shtufit në Gjirokastër ka histori të madhe. Në ditët dhe vitet e para kur u çel, ajo teqe do të mbillte besimin në Zot, përmes filozofisë së Profetit Muhamed a.s, shembullit të përsosur dhe veprës së dymbëdhjetë Imamëve tanë të dlirë, si edhe urtësisë proverbiale të Haxhi Bektash Veliut. Së bashku me xhamitë dhe kishat e qytetit historik, teqeja jo vetëm do të plotësonte mozaikun e mrekullueshëm fetar, por do të jepte edhe kontributin e vyer në kontekst të kultivimit të harmonisë dhe tolerancës fetare.
Sa i përket rolit të saj në lëvizjen autokomuniste shqiptare, besoj se historiografia e bektashzmit botëror dhe ajo shqiptare, e kanë thënë fjalën e tyre. Unë dua të kujtoj sot vetëm një thënie të filozofit e mistikut të thellë, baba Rexhebit që u rrit në këtë qytet dhe që shpehet tekstualisht: “Kemi pastaj baballarët e teqesë Hajdarie të Gjirokastrës, si baba Hajdër Plakun, baba Selimin e vjetër, baba Hajdër Kardhiqin, baba Sulejmanin simpatik, bashkë me baba Zenel Gjoksin, të cilët kanë luajtuar një rol të madh në përpjekjet për lirinë e Shqipërisë, aq sa u burgosën, u kontrolluan dhe u shkretuan kaq herë nga turqit…”
E djegur dhe shkatërruar nga turqit, grekët dhe italianët ajo u ringrit disa herë, duke zbukuruar kodrën e Shtufit të qytetit me mirësitë që shpërndanin dervishët dhe baballarët bektashinj. Kështu, deri në vitin e mbrapshtë 1967, kur u rrënua nga duart e shqiptarëve ateistë. Sidoqoftë myhibët dhe dashamirësit e teqesë, e ruajtën të palëkundur besimin tek Zoti dhe Haxhi Bektash Veliu, duke dëshmuar se kjo dashuri është e përjetshme.
Sot teqesë së Shtufit po i rikthehet lavdia e kaluar. Janë me qindra besimtarë që shkojnë aty dhe mrekullohen prej teqesë, e cila po hedh mbi themelet e dikurshme të saj. Falë ndihmës sonë si Seli e Shenjtë Bektashiane, por edhe devocionit dhe përkujdesjes së baba Skënder Dervishit, falë ndihmës bujare të dhjetra besimtarëve, shumë shpejt ne do të mblidhemi së bashku për t’iu gëzuar mjediseve të reja të kësaj teqeje.
Le ta afrojmë sa më shumë këtë ditë të bekuar!

Zoti na ndihmoftë të gjithëve!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ