Pelegrinazh në teqenë e Sukë-Përmet. (1870)

Teqeja e Sukës ndodhet në një kodër të bukur në të djathë të rrugës autombilistike Sukë- Berat,  Njësia  Administrative Sukë. Bashkia e Këlcyrës. Themeluar nga baba Ali Bubësi. Kjo teqe drejtohej nga i njëjti baba i teqesë Prishtë-Sukë. Nga burime historike del se teqeja në fjalë është djegur në vitin 1914 nga andartët grek. Rindërtimi i saj u bë prej dervishëve në vitin 1920. Mbas kongresit të parë bektashian në janar të vitit 1921, në teqenë e Prishtës – Skrapar, këshilli atnor i zgjedhur filloi punën pikërisht në teqenë e Sukës për drejtimin dhe riorganizmin të bektashizmit në Shqipëri. Këtu u krijua edhe Selia e Parë për drejtimin dhe organizimin e bektashizmit në Shqipëri. Këtu filloi botimi i gazetës bektashiane “Reforma” gjatë viteve 1922 – 1923, nën drejtimin e baba Ali Tomorrit. E ka vizituar  në vitin 1930 Suire. Dera e kësaj teqeje ka qenë e hapur për njerëzit në nevojë, për strehim e ushqim pa asnjë dallim. Në vitin 1940, drejtuan teqenë: dervish Abas Hasan, dervish Ibrahim Saliko, dervish Mustafa Sulo, dervish Islam Adem, dervish Ethem Pelo, dervish Muhamed Sheme, dervish Ali Ahmet, dervish Hysni Velil. Kurse në vitin 1950 kanë shërbyer: baba Abedin Agaj, dervish Kasëm Plashniku, dervish Esat Lazarati dhe në vitin 1955, baba Abdurraman Hoxha. Teqeja ishte shumë e pasur me prona të mëdha. Në vitin 1967 kjo teqe u mbyll dhe u përdor si zyra, vatër kulture, magazine, më vonë ajo u kthye në qendër shëndetësore: spital, shtëpi lindje, farmaci etj. Ndërsa u dogj çatia në vitin e mbrapsht të tranzicionit 1997 dhe u rrënua. Populli i zonës dhe gjithë besimtarët betohen “na ndihmoftë baba Xhaferi”. E rindërtoi tyrben e Sukës njeriu i mirë biznesmeni i nderuar Arjan Haxhiaj, korrik 2009. Ka qënë teqe e bukur madhështore në formë drejtkëndëshi, vendosur në një kodër dominuese e gjithë fushës rreth Sukës deri në Këlcyrë përball malit Trebeshinë. Pranë rrënojave të vjetra është ngritur tyrbja e re simetrike tip kupolë me simbolin e taxhit bektashian.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Të nderuar motra dhe vëllezër bektashianë, miq të pandarë të teqes historike të Sukës!
Ju falenderoj që keni ardhur në këtë vend të bekuar, për të ndarë së bashku gëzimin e këtij pelegrinazhi!
Zoti i Lartësuar dhe amanetet e baballarëve të Sukës, ju qofshin ndihmë në çdo hap tuajin!
Teqeja e Sukës e themeluar nga baba Tahiri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, është ngritur padyshim nga kontributi i gjysh-stërgjyshërve tuaj, sepse në themel të tarikatit tonë është pikërisht vëllazëria. Bektashizmi, si margaritar të parë në gjerdan të tij ka dashurinë për Zotin dhe atdheun. Por nuk mund ta duash as Zotin dhe as atdheun, po nuk do vëllanë që ke në krah, qoftë ky vëlla me nënë e babë, qoftë ky vëlla i Hakut.
Kjo dashuri për njëri-tjetrin, ka mbajtur gjallë vëllazërinë bektashiane, duke bërë që fryma e Haxhi Bektash Veliut, të mbajë në këmbë jo thjeshtë një tarikat, por krejt aspiratën tonë kombëtare. Prandaj në kohën e perandorisë otomane, nga kjo teqe u nisën çetat e luftëtarëve të lirisë dhe luftuan deri në Gjirokastër. Prandaj nga kjo teqe, u nisën luftëtarët përmetarë dhe luftuan kundër hordhive të andartëve grekë. Prandaj nga kjo teqe nuk munguan asnjëherë dervish, baballarë e myhib, në mbrojtje të fateve të Shqipërisë.
Motra dhe vëllezër!
E kujtojmë sot historinë e kësaj teqeje jo thjesht për t’u mburrur, por të jemi sa më të vetëdijshëm për veprën e të parëve tanë. Sot jetojmë në kohra të tjera dhe të gjithë e shohim se jeta ngrihet përmes sakrificave. Neve si Seli e Shenjtë  Bektashiane, do të përpiqemi që t’ia rikthejmë sërish kësaj teqeje, lavdinë e shkuar, të bindur se ringritja e saj do të përbëj gëzim të veçantë për të gjithë ne, së bashku. Prandaj ju falenderoj nga zemra që kini ardhur sot këtu, të bisedojmë dhe të gjejmë paqe pranë kësaj tyrbeje!
U mbledhshim më shumë në mot, për të mira, në teqe dhe tek njëri-tjetri, sepse jemi vëllezër e bij të Haxhi Bektash Veliut.
Një falenderim i veçantë shkon sot për vëllanë tuaj dhe tonin, Z. Ylli Kasa, i cili prej vitesh, jeton çdo ditë me hallet e kësaj teqeje!
Zoti i Lartësuar na ndihmoftë të gjithëve!
Amin!