Teqeja Hajdarie ndodhet në kodrën e lagjes Kodra e Shtufit, Njësia Administrative Gjirokastër, Bashkia e Gjirokastrës. Themeluar nga Mustafa Babai në vitin 1824. Por misionarët kanë ardhur më herët në këtë vend, e tregojnë tyrbet e vjetra në hyrje të teqesë. Ajo ishte teqeja e dytë e rëndësishme në rrethinat e Gjirokastrës. Gjatë kohës është emërtuar dhe teqeja e baba Manes (Sulejmanit), Kodrës dhe Shtufit. Teqeja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rilindjen kombëtare, në mësimin e gjuhës, shpërndarjen e librave shqip dhe strehimin e çetave për liri. Për veprimtari patriotike osmanët internuan në Janinë, babanë dhe 7 dervishët e teqesë. U dogj nga andartët grekë në vitin 1914. Këtu u zhvillua Kongresi i dytë bektashian në korrik të vitit 1924. Teqeja është e rrethuar me avlli dhe qiparisa të lartë. Në territorin e saj janë pesë tyrbe tipi kupolë, të bëra në periudha të ndryshme. Ka disa ndërtesa të mëdha drejtkëndëshe dhe katrore dy katëshe, me dhoma të mëdha sipas traditës bektashiane. Klerikët që kanë shërbyer: baba Mustafa Babaj (1824-1830), Bejtash Babai (1825-1843), baba Selimi i vjetër, (1843-1849), Kalender Ismail Babaj (1849-1859), Kapllan Babai (1859-1869), Hajdër Babai (1879-1904). Baba Hajdëri bashkëpunote me Koto Hoxhin, apostull i gjuhës shqipe. Në vitin 1904 u arrestuan dervishët e kësaj teqeje nga turqit për librat shqip: Dervish Sulejman Kardhiqi, dervish Latif Gjirokastra, dervish Mehmet Gjirokastra, dervish Hysni Kardhiqi, dervish Bajram Kosturi, dervish Shaqo Plesati, dervish Kaman Smokthina e të tjerë. Baba Sulejman Kardhiqi (1904-1934), Kalender Abdalli ka kaluar nga jeta 1795, baba Sejfullah Kuka (1913-1916). Në vitin 1940 kanë shërbyer klerikët: Ibrahim Kuka, dervish Shaqir Muhamed, dervish Muharem Matush, dervish Myhtar Maliq, dervish Esad Rakip, dervish Shahin Ruhin, ofiqar shërbimi: Mustafa Kacari, Alush Goxho dhe Qerim Hasan. Më pas drejtuan teqenë në vitin 1950, Ibrahim Kuka me dervishët, Hysen Lazarati, dervish Muhamet Golemi. Në vitin 1946 teqeja u transformua në spital prej qeverisë komuniste. Mbas kësaj, ajo pushoi së funksionuari si teqe deri në vitin 2002. U rihap në vitin 2003. Po ngihet një ndërtesë e re me element të arkitekturës bektashiane, nga baba Skënder Dervishi.