Bismillahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
Të nderuar klerikë, myhibanë dhe të Gjyshatës së Shememi Babait!
Së pari më lejoni t`ju falenderoj që kini ardhur në këtë mbrëmje përkujtimore dhe i lutem Zotit të Lartë, t`ju mbroj juve dhe familjet tuaja nga kjo panndemi që ka rënë! Qofshin të lumtura familjet, në të cilat Ehli-Bejti, dervishët dhe baballarët tanë, janë të pranishëm edhe në këto momente kaq të vështirë!
Mbrëmje të tilla janë më shumë se akte përkujtimi dhe respekti. Mbremje të tilla, na detyrojnë ne të gjithëve, të kthejmë kokën pas dhe të mendohemi thellë, se tarikati bektashian nuk e ka pasur aspak të lehtë të vinte deri në këto ditë. Filozofia dhe urtësia bektashiane, jo rrallë janë ndeshur me barrikada fetare dhe shtetërore, përmes të cilave kanë mbijetuar mrekullisht. Por sigurisht, në këtë mrekulli, kanë rolin e tyre të pazevendësueshëm, janë jeta dhe vepra e qindra dervishëve dhe baballarëve, të cilët jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por deri në Amerikën e largët, ruajtën dhe zhvilluan traditat tona më të vyera.
Një mbrëmje si kjo, e cila sigurisht do të na sjellë pranë të gjithëve, kujtimin e baba Selim Kaliçanit dhe baba Shaban Dervishit, ndonëse edhe në kushtet e vështira të pandemisë, është një ndenjë e thellë qytetarie për të gjithë ne. Kjo tregon se kemi pasur dhe do të kemi kurdoherë nevojë jetësore, të flasim me të ikurit nga kjo botë, sepse këta të ikur, jo shumë kohë më parë, lanë jetën dhe veprën e tyre peng të tarikatit, peng të sakrificave, vetëm e vetëm që misioni bektashian të mos ndërprehej, që besimi në Zot të mos lëkundej, që çiragët e shpresës të mos fikeshin në zemrat e besimtarëve tanë.
Duhen netë të tëra, duhen fletë të tëra të shkruara, për të ndriçuar veprën e baba Selim Kaliçanit, por sot nuk është as vendi dhe as moment i duhur. Sot, mjafton të themi se vepra e baba Selim Kaliçanit, këtij besimtari të devotshëm të ardhur nga viset shqiptare të Kosovës, mbetet një shembull i gjallë, në lëvizjen bektashiane shqiptare nga vitet 1930 deri në fund të vitit 2000. Guximtar edhe në çastet më të vështirë që kalonte tarikati, i devotshëm deri në fund ndaj filozofisë së Haxhi Bektash Veliut, rebel i pandreqshëm karshi dogmave të regjimit komunist, frymëzues në ringjalljen e bektashizmit në demokraci. Kështu do të mbahet mend gjithmonë baba Selim Kaliçani, prej frymës të të cilit, ka sot klerik myhimban, të cilët mbajnë mbi shpatulla përgjegjësitë fetare të kohës.
Po kështu, i dashur për besimtarët e Krujës, Martaneshit e deri në Skrapar, ka qënë dhe mbetet edhe baba Shaban Dervishi. Jeta e tij, sikundër jeta e dhjetra klerikëve bektashian, shkoi përmes atij kalvari tragjik, të imponuar prej regjimit ateist që kaluam. Por edhe ky klerik nuk u pajtua me regjimin, luftoi deri në fund për të shpërndarë besimin në Zot, mbajti gjallë shpresat në vitet 1967-1990 duke dëshmuar jo thjesht guximin dhe sakrificën vetiake, por krejt vëllazërinë fetare dhe njerëzore, me të cilat ishte paisur brezi i tij bektashian. Edhe në veprimtarinë bektashiane të pas viteve 90-të, urtësia e baba Shaban Dervishit do të spikaste si rrallëkund, duke afruar në dyert e teqeve sa më shumë besimtarë.
Motra dhe vëllezër!
Jetojmë në kohë sakrificash të tjera sot dhe për këtë dua të falenderoj të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, sidomos këta të Shqipërisë.
E them këtë, pasi nuk është e lehtë që në këtë Shqipëri të lënë pas dore, ku brezi i ri ëndërron vetëm largimin, ku varfëria e korrupsioni janë sheshit, të rrish e të edukosh brezat me dashurinë për Haxhi Bektash Veliun. Por ne nuk duhet të ligështohemi. Ne vlen të mbajmë të gjallë shpresën për ditë më të mira, siç shpresuan baballarët e lartpermendur.
Le të punojmë të gjithë, pa u lodhur, për të ruajtur flakën e besimt!
Le të kujtojmë gjithmonë me respekt, sakrificat e baba Selimit dhe baba Shabanit!
Le t`i lutemi Zotit për të na mëshiruar edhe kur trishtohemi!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!
KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ