Në një ceremoni dhe me ritet tradicionale bektashiane, janë përkujtuar pasditen e djeshme (e premte, 24 shtator 2021), në gjyshatën e Krujës, du klerikët e ndarë nga jeta, baba Selim Kaliçani dhe baba Shaban Dervishi. Në këtë aktivitet, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi kontributin e këtyre dy klerikëve, para e pas vitit 1990, të cilët përballuan e sfiduan dhe vuajtjen e persekutimin e regjimit monist të kohë. Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj pohoi: “..Së pari më lejoni t`ju falënderoj që keni ardhur në këtë mbrëmje përkujtimore në kujtim të baba Selim Kaliçanit dhe baba Shaban Dervishit. Mbrëmje të tilla janë më shumë se akte përkujtimi dhe respekti, dashurie për këta dy klerikë të nderuar. Duhen ne të të tëra, duhen fletë të tëra të shkruara, për të ndriçuar veprën e baba Kaliçanit: Erdhi në këtë botë prej babait, Rexhepit dhe nënës Hatixhe, në Pejë të Kosovës, më 29 nëntor të vitit 1922. Prej të atit, trashëgoi një shpirt të palëkundur në çdo situate dhe një urrejtje të natyrshme ndaj çetnikëve serbë, të cilët ja kishin djegur dy here kullën e madhe. Prej nënës, trashëgoi urtësinë e derës bektashiane, çfarë do ta shoqëronte gjithë jetën dhe do ta mbushte me principet e larta të këtij besimi 800 vjeçar. Në klasën e pare fillore, në vitin 1929. ..Ende pa mbushur 12 vjeç, është i detyruar të nisë punën e rëndë, por nuk e jep veten. Në vitin 1935, një dajë i tij, mik me Sali Niazi Dede (asaj kohe në Tiranë në krye të Selisë së Shenjtë Bektashiane), bisedon me motrën dhe e dërgojnë Selimin 13 vjeçar në Kryegjyshatë. Në shtatë vitet e qëndrimit të tij në mjediset e Selisë së Shenjtë, ndonëse bëri nga punët fizike më të ndryshmet, ai pati fatin e madh të jetonte në frymën e mrekullueshme të atyre dervishëve dhe baballarëve. Në vitet që rrodhën më pas, ai do të ndiqte mësimet në mekanikë, të cilën e pati mjaft për zemër, madje do të punonte në vitet 1942-1943 si mekanik dhe shofer në Ministrinë e Arsimit, për të marrë pastaj udhët e luftës, në mbrojtje të territoreve shqiptare. E shohim së pari të marrë pjesë si luftëtar me armë në dorë, në rreshtat e çetës së Zagorisë, për të kaluar më tej në batalionin e njohur “Hakmarrja”, në çetën e Martaneshit dhe, në fund në radhët e Brigadës së 3-të Sulmuese. Në mënyrë të veçantë, me ardhjen në krye të Selisë së Shenjtë të Ahmet Myftar Dedes, djaloshi nga Peja, gjeti në Tiranë jo vetëm një mjedis të ngrohtë fetar, por dhe mjediset e një shkolle të vërtetë ku teologë e baballarë, të shkolluar në disa vende, ushtronin dijenitë e thella të tyre, tek gjenerata e re, që trokiste ndrojtur në portën e Haxhi Bektash Veliut.
Kështu, në fundvitin 1949, në mejdanin e Selisë së Shenjtë, në prani të myhibëve, dervishëve dhe baballarëve, u vesh dervish. Falë dijeve të tij mekanike, falë shpirtit të tij të paepur, falë urtësisë së marrë prej viteve plot bekim në teqetë e Shqipërisë, ky klerik mundi të lejë gjurmë të pashlyeshme edhe në Burrel, aty ku e degdisën dhe e përgjonin në çdo hap që hidhte dhe në çdo fjalë që thoshte. Në ndonjë rast feste apo ditë pushimi, fshehurazi ai gjente kohë dhe me ndihmën e dashamirësve të tij, merrte rrugën për në Tiranë. Takimet me Dede Ahmetin dhe me dervish Reshatin, ishin si ata zjarret në dëborë që mbanin gjallë amanetin e imamëve tanë. Në vitet 1990-2000, ai i rikthehet përkushtimit të bektashizmit, si klerik. ..Me vendosmërinë e baba Selim Kaliçanit, u ngrit teqja e Shememi-Babait në Fushë-Krujë. Ai pati mbështetjen e Dede Reshatit dhe baballarëve të tjerë dhe punoi me përkushtim në këtë teqe të famshme, derisa kaloi nga jeta.
…Po kështu, i dashur për besimtarët e Krujës, Martaneshit e deri në Skrapar, ka qënë e mbetet edhe baba Shaban Dervishi. Jeta e tij, sikundër jeta e dhjetëra klerikëve bektashian, shkoi përmes atij kalvari tragjik, të imponuar prej regjimit ateist që kaluam. Pore dhe ky klerik, nuk u pajtua me regjimin, luftoi deri në fund për të shpërndarë besimin në Zot, mbajti gjallë shpresat në vitet 1967-1990 duke dëshmuar jo thjeshtë guximin dhe sakrificën vetiake, por të krejt vëllezërve e besimtarëve bektashianë. Edhe në veprimtarinë bektashiane të pas viteve 90-të, urtësia e baba Shaban Dervishit, do të spikaste si rrallëkund, duke afruar në dyert e teqeve sa më shumë besimtarë.
Motra dhe vëllezër! Jetojmë në kohë sakrificash të tjera sot dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë, sidomos këta të Shqipërisë.
Por ne nuk duhet të ligështohemi. Ne vlen të mbajmë të gjallë shpresën për ditë më të mira, siç shpresuan baballarët e lart përmendur. Le të punojmë të gjithë, pa u lodhur, për të ruajtur flakën e besimit! Le të kujtojmë gjithmonë me respekt, sakrificat e baba Selimit dhe baba Shabanit! Le t`i lutemi Zotit për të na mëshiruar edhe kur trishtohemi! Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!“
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAI