Përkujtimi i ndarjes nga jeta të dy baballarëve bektashianë, baba Qazim Bakalli (3.1.1880-15.2.1981) dhe baba Tahir Emini (5.5.1941 -17.2.2006), është një vlerësim që Selia e Shenjtë Bektashiane dhe miliona bektashin në mbarë botën, u bëjnë këture klerikëve që kanë lënë gjurmë në rrjedhën e këtij besimi të paqtë, besim që shtrihet në hapësirën kohore të tetë shekujve. Aktiviteti i këtyre klerikëve është më i dukshëm,në Kosovë për baba Qazimin dhe në Maqedoni për baba Tahirin.
Baba Qazim Bakalli (3.1.1880-15.2.1981) Baba Qazimi, lindi në Gjkovë më 3 janar të vitit 1880, mësimet e para i mori në Mejtep-Ruzhdie të Gjakovës. Më pas vazhdoi në Shkup, shkollën fetare “Dural Mualim”, ku mori mësimet në gjuhën shqipe. Gjithashtu, kreu edhe shkollën normale (1913-1914), në fillim në Berat dhe pastaj në Elbasan. Nga viti 1915 punoi si mësues në Xhafzotaj të Durrësit. Pas pushtimit austro-hungarez, punon mësues në Gjakovë. Me vonë u transferua në Qafë Zogaj. Kur princVidi u largua, baba Qazimi u detyrua të kthehet në Kosovë dhe qëndroi shtatë-tetë muaj në Nikoliq të Hasit. Pas okupimit te Hasit, u kthye në Gjakovë. Më vonë, baba Qazimi u emërua sekretar në komunën e Bytyqit, ku më pas, u emrëua edhe si krahinar. Në Bytyq mbeti deri sa iu imponua të organizoj ushtri vullnetare kundër Bajram Currit. Kjo kërkesë e detyroi të jepte dorëheqje. Për këtë, është burgosur në Krumë dhe pastaj në burgun e Shkodrës, për pesë muaj. Ishte njeri nga anëtarët më aktiv të degës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës për Gjakovën e rrethinat e saj. Pastaj filloi të punoj si mësues në Poliqan-Lumë. Me kërkesën e disa miqve të tij, shkoi në fshatin Shtiqën për të hapur një shkollë të re. Gjatë gjithë kësaj kohe, kishte lidhje të ngushta me Bajram Currin dhe qeverinë e asaj kohe. Pas gjithë kësaj veprimtarie, baba Qazimi vendos përfundimisht të merret me udhën fetare, në bektashizëm. Ishte bërë myhib kohë më parë nga Haxhi Adem Vexh-hi Babai. Uniformën e dervishit ia dha në Fushe Krujë, Haxhi Mehmet Babai. Rregullin e virgjërisë, e bëri nga Sali Niazi Dedei. Një periudhë kohe (në vitet 1939-1940), ishte dervish në Shkodër, në shërbim të Baba Hajdar Stambollit. Nga Shkodra, ka shkuar në Elbasan, në teqenë e Xhefai Ibrahim Babait. Në tetor të vitit 1941, Kryegjyshi Botëror Salih Niazi Dedej, e urdhëroi Dervish Qazimin, për të rihapur teqenë e Tetovës dhe për tu kujdesur për pasurinë e saj. Bashkë me të, shkoi edhe Dervish Musa. Disa kohë më vonë, Kryegjyshi Botëror Sali Niazi Dedei, e emëroi si baba në postnishin e teqesë së Tetovës. Në vitin 1946, ai u emërua Gjysh (Halife) nga Kryegjyshi Botëror Xhafer Dede Babai. Ai është burgosur edhe në Maqedoni nga autoritet serbe, por pas tetë muaj hetimesh, u lirua si i pafajshëm. Prej asaj kohe e deri sa pushoi së jetuari, jetoi në teqenë e Gjakovës. Ishte njeri me autoritet të madh për Kosovën dhe kishte shumë adhurues. Nga dora e Baba Qazimit, kanë dalë shumë dervishë dhe baballarë. Koha kur Baba Qazimi emëroi dervish dhe baballarë, ishte ajo kohë kur bektashizmi nuk lejohej në Shqipëri (ndalimit me ligji i fesë në vitin 1967). Baba Qazimi ishte njeri i ditur, i kulturuar, merrej edhe me shkrime dhe përkthime. Gjithashtu, kishte ndjenja të fuqishme atdhetare. Ne teqenë bektashiane të Gjakovës, mbështeti idenë për bibliotekën e veçantë, ku kishte depozituar edhe shumë shkrime të tij. Një dorëshkrim, përkthim nga persishtja i baba Qazimit, ka shpëtuar. Atë e kishte ruajtur kritiku letrar, Vehap Shita. Sot librin “Divani i Shemsi Tabrizit”, nga kujdesi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, e kemi të botuar në gjuhën shqipe. Baba Qazimi kaloj nga jeta me l5 shkurt l98l. Vepra e tij mbetet e paharruar për gjithë besimtarët bektashian.
Baba Tahir Emini (1941 -17.2.2006) Baba Tahir Emini lindi në fshatin Rrasë të Dushës, pranë Tetovës, në vitin 1941. U edukua në fëmijërinë e hershme me baladat e trimërisë shqiptare, të prindërve të tij, të cilët e mëkuan me dashurinë për Zotin dhe atdheun. Mësimet e para i mori në Rrasë, për të ndjekur më pas studimet pedagogjike në Tetovë e Shkup. Kishte një ëndërr të hershme, t’u mësonte bashkatdhetarëve të tijë gjuhën e bukur shqipe. Janë me dhjetra shkolla ku dha mësim. Janë me dhjetëra vite ku ndonëse obskurantizmi sllav përpiqej të rrënonte besimin mëmëdhetar të shqiptarit, ai nuk u lodh dhe nuk u dha asnjë herë. Baba Tahir Emini, një periudhë të gjatë, ka punuar si arsimtar në fshatin Zhelinë të Tetovës, si dhe më vonë si drejtor shkolle në fshatin Grupçin. Qysh herët, ai pati hyrë në lidhje të fshehta me njësi të jetës hyjnore duke na kujtuar të gjithëve parimin e madh bektashian që me sytë e kokës shikon krijesat ndërsa me ato të zemrës, shikojnë Krijuesin. Në fillim të viteve 90, atëherë kur zemrat e besimtarëve bektashian po mbusheshin me shpresë, baba Tahir Emini, mblodhi rreth dritës së bektashizmit me dhjetëra e qindra myhibanë dhe zahirë, së bashku me baba Tajar Gashin, besimtarë dhe. Të afërm të tyre, duke ecur në gjurmët e ndritura të baba Qazim Bakallit. Ai kapërceu pragun e mbyllur të teqe së Harabati-Babait, duke lënë pas vite të tëra të djerrinës shpirtërore. Ky kapërcim epokal do vinte sigurisht përmes dhimbjesh të mëdha fizike dhe shpirtërore. Fjala e tije ëmbël, bujaria dhe mirësia, mblidhnin rreth mureve shekullorë të teqesë me qindra besimtarë. Dhe pikërisht në këto momente, me ringritjen e bektashizmit edhe në shtetin amë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi do të tregonte kujdesin e madh, atëror. Periudha që nga viti 1994 e deri në ditën e shkurtit të vitit 2006, kur zemra e baba Tahir Eminit pushoi së rrahuri, është periudha e një bashkëpunimi të ngushtë, vëllazëror, shpirtëror dhe institucional të Selisë së shenjtë në Tiranë me teqe… Tahir Emini, i dha shpirt e frymë teqesë së Harabati-Babait, duke e shndërruar atë në tempull fetar për çdo besimtar të vërtetë. Baba Tahiri, ishte një njeri fisnik, i urtë dhe atdhetarë i madh. Tërë jetën e tij ia kushtoi besimit mistik fetar islam dhe përhapjes së ideve të Kuranit të shenjtë si dhe të porosive të atdhetarëve të mëdhenj shqiptar me përkatësi fetare bektashiane. Bashkëpunimi me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, e puna e tij përkushtuese për bektashiuzmin bëri që Kryegjyshata Botërore Bektashiane e emëroi Kryetar i Komunitetit Bektashian të Maqedonisë në vitin 1994. Në teqenë Harabati Baba nëTetovë, me devotshmëri shërbeu baba Tahiripër 11 vjetë. Në shumë takime e biseda me intelektual, pushtetarë e klerikal të komuniteteve të tjera fetare shprehej: “Mendoj se ky është rasti t’u them të gjithë fqinjëve tanë dhe tërë botës: Mos luani me ndjenjat fetare të shqiptarëve, përpiquni t’i kuptoni dhe i pranoni të tillë siç janë. Kërkesat e shqiptarëve për t’u trajtuar si popujt e tjerë të Evropës, janë bindëse, transparente, tepër të sinqerta sepse janë të drejta dhe të ligjshme. Mos i shikoni ato përmes syzeve të errëta të fesë. Shqiptarët me tolerancën e tyre fetare, mund të jenë model për tërë Evropën”. Sot baba Tahir Eminin përkujtohet në 15 përvjetorin e kalimit nga jeta. Përgatitën: Shelda JANO Nuri ÇUNI