PËRKUJTOHEN NË SELINË E SHENJTË BEKTASHIANE ISH-KRYEGJYSHËT BOTËROR, DEDE AHMET MYFTARI DHE RIZA ALI DEDE

Pasditen dhe mbrëmjen e 22 shkurtit 2026, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, u përkujtuan në një ceremoni të përbashkët, 110-vjetori i lindjes së ish-Kryegjyshit Dede Ahmet Myftari dhe 82-vjetori i ndarjes nga jeta, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Riza Ali Dede. Ceremonia përkujtimore u drejtua nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili në fjalën e Tij, përmendi kontributin fetar e atdhetar të këtyre dy klerikëve. Njëkohësisht, besimtarë e personalitete të pranishëm, vizituan nga afër dhe ekspozitën fotografike, përgatitur enkas për jetën dhe veprën e këtyre dy klerikëve të shquar.

Fjala e mbajtur nga Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj:
Të dashur klerikë, dervishë, myhibë e besimtarë të nderuar, motra e vëllezër në udhën e shenjtë të Haxhi Bektash Veliut,
Mirë se erdhët në këtë darkë të bekuar Iftari, të shtruar me dashuri e mirënjohje në nderim të dy figurave të ndritura të udhës sonë shpirtërore. Sot, më 22 shkurt 2026, në këtë ditë të shënuar për mbarë botën bektashiane, përulemi me respekt, mall dhe lutje përpara kujtimit të ish-Kryegjyshit Botëror Dede Ahmet Myftari dhe ish-Kryegjyshit Botëror Ali Riza Dede. Në frymën e Ramazanit, muajit të mëshirës, faljes dhe sakrificës, i kujtojmë ata si shërbëtorë të devotshëm të Zotit, si udhërrëfyes të dritës dhe si shembuj të gjallë të besimit të palëkundur, që e jetuan fenë jo vetëm me fjalë, por me vepra, qëndresë dhe dashuri për njerëzimin.
Sakrificat që përjetuan Dede Ahmet Myftari dhe Ali Riza Dede janë dëshmi e gjallë e asaj që Ramazani na mëson çdo vit: durimin, vetëpërmbajtjen, përkushtimin dhe besnikërinë ndaj së Vërtetës. Ashtu si agjërimi që na fton të pastrojmë shpirtin përmes sakrificës dhe të forcojmë lidhjen me Zotin, edhe ata e jetuan jetën e tyre në një agjërim të gjatë shpirtëror, duke duruar përndjekje, internime, plagë e padrejtësi, por pa e humbur kurrë besimin, dritën dhe dashurinë për njerëzit. Në muajin e shenjtë të Ramazanit, kujtimi i tyre na frymëzon të kuptojmë se sakrifica e vërtetë nuk është vetëm privim fizik, por qëndresë morale dhe besë e pathyeshme në shërbim të Zotit, atdheut dhe udhës së shenjtë bektashiane.
Sot, më 22 shkurt 2026, përkujtojmë me nderim 110-vjetorin e lindjes së Dede Ahmet Myftari, një shekull e një dekadë dritë që vazhdon të ndriçojë udhën tonë shpirtërore. Po ashtu, kujtojmë me respekt të thellë se kanë kaluar 82 vite nga ndarja nga jeta e Ali Riza Dede, i cili u largua fizikisht nga kjo botë në vitin më 22 shkurt 1944, por mbetet i gjallë në kujtesën dhe trashëgiminë e bektashizmit shqiptar e botëror. Vitet kalojnë, por vepra, sakrifica dhe drita e tyre mbeten të përjetshme në zemrat e besimtarëve.
Kjo ditë nuk është vetëm një përkujtim kalendarik; është një thirrje për vetëdije shpirtërore, për mirënjohje dhe për ripërtëritje të besës sonë në udhën e bektashizmit të kulluar.
Dede Ahmet Myftari, biri i Bratajt të Vlorës, u rrit mes sprovash, por me zemër të mbushur me dashuri për Zotin, për atdheun dhe për dijen. Ai e veshi petkun e dervishit në rini të hershme dhe që atëherë jetën e tij e vuri në shërbim të pandërprerë ndaj së Vërtetës. Në kohë pushtimi, ai dëshmoi se feja dhe atdheu nuk janë të ndara: “Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi” – kjo ishte fryma e tij.
Si Kryegjysh Botëror, ai organizoi arsimin fetar, nxori nga arkivat thesaret e harruara të bektashizmit, përktheu libra në gjuhën shqipe dhe e bëri zërin e bektashizmit të dëgjohej më larg se kurrë. Ai forcoi tri erqanet tona tradicionale dhe mbrojti me vendosmëri pavarësinë shpirtërore të Kryegjyshatës.
Edhe në vitet e internimit e të përndjekjes, ai nuk u thye. Teqeja e vogël e Drizarit u bë vatër drite për mijëra zemra të lodhura. Ai u mësoi besimtarëve se forca e vërtetë nuk qëndron në pushtet, por në pastërtinë e shpirtit dhe në qëndrueshmërinë e besës.
Po ashtu, sot kujtojmë me respekt të thellë Ali Riza Deden, një figurë e urtësisë dhe e organizimit të hershëm institucional të Kryegjyshatës sonë. I lindur në Krujë, ai u përgatit me përkushtim në udhën e Haxhi Bektash Veliut dhe shërbeu me devocion në teqetë e Shqipërisë. Përvoja e tij në vendet e Lindjes i dha një horizont të gjerë shpirtëror dhe kulturor.
Si Kryegjysh Botëror në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, ai udhëhoqi me maturi e dinjitet, duke ruajtur unitetin e bektashinjve dhe lidhjet me teqetë në botë. Ai ishte shembull i klerikut të përgatitur, i urtë dhe i drejtë, që e kuptoi se institucioni fetar duhet të qëndrojë mbi përçarjet dhe të shërbejë si urë paqeje.
Të dashur besimtarë,
Të dy këta Kryegjyshë na lanë një trashëgimi të shenjtë:
Besimin e pastër kundrejt Zotit; Dashurinë për njeriun pa dallim; Harmoninë fetare si themel të bashkëjetesës; Qëndresën përballë padrejtësive; Shërbimin e përulur ndaj komunitetit.
Haxhi Bektash Veliu citonte “Mos u ligështo përballë vështirësive; ai që e ka zemrën të mbushur me dashuri dhe besim, e kthen çdo sprovë në dritë.”
Këto fjalë përmbledhin frymën e sakrificës së tyre: durim me besim dhe qëndresën me dashuri.
Sot, kur bota përballet me sfida të reja shpirtërore e morale, ne kemi detyrimin të ruajmë frymën e tyre. Le të jemi pasues të denjë të kësaj vije të artë të Kryegjyshëve tanë. Le ta mbajmë të pastër burimin e bektashizmit, ashtu siç e mbajtën ata, me sakrificë, me përkushtim dhe me dashuri.
I lutemi të Madhit Zot që shpirtrat e tyre të prehen në dritën hyjnore. Le të jetë kujtimi i tyre frymëzim për brezat që vijnë.
Lavdi veprës së tyre!
Lavdi dritës së bektashizmit!
Zoti i bekoftë shpirtrat e Dede Ahmet Myftari dhe Ali Riza Dede dhe e bekoftë gjithmonë udhën tonë të shenjtë.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!

Në fund, pjesëmarrësit kaluan darkën e përbashkët, në nderim të Dede Ahmetit dhe Riza Ali Dedesë.

Fotot: Nuri ÇUMANI