Të premten, 14 shkurt 2025, bektashinjtë përkujtojnë 31-vjetorin e kalimit nga jeta, të klerikut të njohur bektashian, baba Sherif Canometaj dhe 7-vjetorin e kalimit nga jeta të baba Ismail Jangullit.
“…Më 14 shkurt të këtij viti, ne përkujtojmë 31-vjetorin e kalimit nga jeta, të baba Sherif Canometaj dhe 7-vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Ismail Jangullit, dy klerikëve të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për bektashizmin në Shqipëri dhe më gjerë. Kujtimi dhe vlerësimi i këtyre dy klerikëve, ashtu si dhe i klerikëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë tetë shekullore të besimit tonë të paqtë bektashian, ka qenë dhe do të mbetet kurdoherë përparësi në praktikën e Selisë së Shenjtë…
Ne i kemi mbajtur në zemra gjatë gjithë kësaj kohe baba Sherifin dhe baba Ismailin, siç iu mbajmë emrat e shquar të qindra dervishëve dhe baballarëve të tjerë, të cilët, vunë në themelet e bektashizmit jo thjeshtë këmbënguljen dhe përkushtimin, por krejt jetën e tyre. Baba Sherifi dhe baba Ismail Jangulli ishin dhe mbeten modeli i klerikëve të përkushtuar…”- pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Baba Sherif Canometaj ka lindur në 4 gusht të vitit 1908 në fshatin Zhapokikë-Tepelenë, në një familje me tradita bektashiane. Mësimet e para i mori tek Sheh Beqir Toçi. Në moshën 11 vjeç lexonte lirshëm në shqip dhe arabisht. Shpesh vizitonte shpesh teqetë, në Koshtan, Turanë, Rabije, Memaliaj dhe ato të Gjirokastrës. Në moshën 27 vjeçare, në vitin 1935 mori dorë në teqenë e Koshtanit, nga baba Shefqet Koshtani, i cili e gradoi “Dervish”. Më 1943, vazhdoi kursin për dervish në Kryegjyshatë, por për arsye të Luftës u ndërpre. Kursin e rifilloi dhe e ndoqi në vitet 1945-1946. Baba Sherifi mësoi edhe me mësues privat me Hafiz Ali Korçën, i cili qëndronte për çdo vit dy-tre muaj në teqenë e Madhe në Elbasan. Ai mësonte edhe gjuhë të haja arabisht, turqisht, italisht e persisht, filozofi e letërsi Ngjarjet e marsit të vitit 1947 në Kryegjyshatë, vrasja e baba Fajës dhe baba Fejzës dhe Kryegjyshi Abaz Hilmi Dede, e futën në burg për dy muaj. Më pas, më 4 nëntor të vitit 1948, u emërua nga Dede Ahmeti, baba në teqenë e Greshicës . Baba Sherifi ka lëvizur më pas në teqenë e Çorrushit, Mallakastër, teqe e Zallit, në Kryegjyshatë, në teqenë e baba Xhemali, Elbasan, në teqenë e Martaneshit dhe në vitin 1960-1964 në teqenë e Prishtës-Skrapar. Së fundi shërbeu në teqenë e Madhe Elbasan deri në vitin 1967, kohë në të cilën u ndalu feja. Pas kësaj u muar me tregti, ku shiti cigare për 23 vjet në Elbasan. Në periudhën, 1967-1990, ai mbajti gjallë besimin bektashian duke përdorur shtëpinë e vet si teqe…
Baba Sherifi ka shumë vlerësime nga populli i trevave të Tepelenës, Gjirokastrës, Skraparit, Martaneshit, Përmetit, Mallakastrës, Elbasanit, Korçës etj. Kaloi nga jeta më 14 shkurt 1994.
…Baba Ismail Jangullit, ka lindur në fshatin Godvi të Zerqanit, prefektura Dibër më datë 05.05.1932. Ai u lind dhe u rrit në një familje të madhe patriarkale me tradita patriotike.
Ai u rrit me edukatën bektashiane që në fëmijëri. Nëna e tij, Hidja e kishin marrë dorën e besëlidhjes tek baba Zeneli në Bllacë, gjë që ndihmoi drejtpërsëdrejti në edukimin e këtij djaloshi. Baba Ismaili, në moshën 23-vjeçare, me datë 22/03/1954, merr besëlidhjen bektashiane tek baba Xhemal Selsa. Baba Ismaili, fillimet e veta i filloi si arsimtar, në shumë fshatra të Peshkopisë. Me vonë, punon në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve në Thekër të Martaneshit si magazinier, si kuzhinier dhe si shitës dyqani. Me vonë vjen në Bulqizë dhe punon po në këtë ndërmarrje në punishten e ëmbëlsirave. Në vitin 1967 ku u prishën të gjithë kultet e besimeve të ndryshme në Shqipëri, Ismail Jangulli e përjeton shumë keq këtë katastrofë.
Më 31/03/1976 arrestohet me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe dënohet me 10-vjet burg. Dënimin ai e kreu në Spaç te Mirditës ku nga 10 vite, bëri 5 vjet e 6 muaj. Në vitin 1981 lirohet nga burgu dhe kthehet pranë familjes së tij.
Me ndërrimin e sistemeve, baba Ismail Jangulli merr në dorëzim teqenë e Bllacës dhe në gusht të vitit 1998, vishet dervish. Më 4 prillit 1999, baba Ismaili merr dekretin e Shenjte te ‘Babait’ nga Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian. Baba Ismail Jangulli, i vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Dekoratën “Nderi i Kombit”, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, në ngritjen dhe lartësimin e emrit të mirë të kësaj Teqeje të njohur. Ndërroi jetë më 14.02.2018