PËRKUJTOHET 10-VJETORI I NDËRTIMIT TË KRYEFALTORES (ODEONI) BEKTASHIANE

Ditën e diel, 7 shtator 2025, në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, u përkujtua 10-vjetori i përurimit të Kryefaltores Bektashiane (Odeonit). Në këtë aktivitet, morën pjesë klerikë bektashian e të besimeve të tjera fetarë nga Shqipëria e jashtë sajë; besimtarë të shumtë; dashamirës; funksionarë lokal e shtetërorë; drejtues të institucioneve; intelektualë e dashamirës.
Kjo ditë, përfshiu një sërë aktivitetesh, që nga pritja e vizitorëve nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, vizita në Odeon, në muze, në galerinë e artit e mjediset e tjera.
Ceremonia zyrtare nisi në orën 18:30, me shoqërimin e himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe himnit bektashian. Në vijimësi, u ndoq një film dokumentar kushtuar këtij evenimenti, përgatitur nga Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’. Përshëndeti në fund me një këngë bektashiane edhe grupi lab.
Ndërsa Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në përshëndetjen për të pranishmit, ndër të tejra tha: “… Në emër të Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë! Të nderuar vëllezër të mij klerikë! Të nderuar dashamirës e besimtarë të bektashizmit dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane! Jam i nderuar sot nga pjesëmarrja juaj për të celebruar 10-vjetorin e inaugurimit të Kryefaltores së Bektashizmit, ‘Odeonit’. Ishte ideja e ndritur e Kryegjyshërve Ahmed Myftar Dede dhe Dede Reshat Bardhi, për ndërtimin e kësaj kryefaltore e cila daton më 1958 përpara ndalimit të fesë nga diktatura dhe kthimin e të vetmit shtet në botë, ateist. Ideja brilante e Dede Ahmetit ishte të ngrihej një monument ku të çdo detaj arkitektonik i saj të tregonte për bektashizmin , për historinë e ndritur të këtij tarikati, krijimin e tij, vuajtjet e persekutimet , mistikën, dashurinë për njeriun, shtrirjen gjeografike të tij , që besimtarët anë e mbanë botës të kishin shtëpinë e tyre të Zotit që lutjet drejtuar Tij të ishin njëzëri e të dëgjoheshin. Ku besimtarë anë e mbanë botës të shihnin që bektashizmi është një tarikat mistik i pastër një udhë e ndritur e një gjenezë e arritjes së pastrimit të shpirtit. Komunizmi nuk e lejoi të vijonte idenë e tij të shumë kërkuar dhe të dëshiruar me shpirt, por amanetin e tij ja kaloi pasardhësit të Tij, Dede Reshat Bardhit, i cili me gjithë forcën e tij mistike dhe fonde të cilat i kërkonte me ngulm nga gjithësecili që i vlonte besimi në zemër e u tregua bujar, të vijonte amanetin, derisa u hodhën themelet e kësaj kryevepre për herë të parë më 2004. Vijoi ndërtimi por jeta e myrshidit tonë të dashur u ndërpre pa u përfunduar Kryefaltorja, dhe amaneti i tij mbi çdo gjë tjetër ishte të përfundonte ndërtimi dhe besimtarët ta gëzonin këtë shtëpi të Zotit , unike në llojin e saj , sepse brenda saj do të gjenin ngrohtësinë shpirtërore të besimit, e njohuri për bektashizmin, dorëshkrime autentike dhe arkiva që vazhdojnë të mblidhen me shumë përpjekje e mundim. Dhe sot jam shumë i mbushur shpirtërisht që ky amanet u përmbush më 7 shtator 2015, 10 vite më parë , ku kulmoi me ardhjen e qindra mijëra besimtarëve , nga e gjithë bota, pushteti qëndror dhe vendor Shqipëri , Maqedoni , Kosovë etj, besime të ndryshme nga Shqipëria dhe gjithë bota. Dhe festa e gëzimi i kësaj Kryevepre të përfunduar shënohet në kalendarin tonë fetar. Çdo 7 shtator ne kremtojmë gëzimin e besimtarëve bektashinj që Kryefaltorja e tyre i pret me porta të hapura dhe shumë dashuri vëllazërore.
Në këtë ditë të shënuar dua të shpreh mirënjohje për punën e palodhur për mbarimin e kësaj Kryevepre nga persona që u treguan bujar, besimtarë e dashamirës të bektashizmit, falënderime e mirënjohje në emër të të gjithë besimtarëve e klerikëve, falënderime gjithashtu për Kryeministrin Rama që dha kontributin final për përfundimin e punimeve të kryefaltores.
Por vazhdimi i punës së përditshme është detyrë e imja, e jona, në pasurimin e bibliotekës me tituj të rinj nga dashamirës të Kryegjyshatës, në pasurimin e Muzeut me objekte të reja të ruajtura me shumë fanatizëm nga besimtarë , të cilat intentarizohen me autenticitetin e tyre sipas kartelave përkatëse dhe dixhitalizohen, me punën e palodhur të arkivimit të dokumentacionit dhe ruajtjes së përhershme të dorëshkrimeve origjinale i pari ndër të cilët daton më 1623, dosje me vlerë të jashtëzakonshme që dëshmojnë mbi origjinën e popullit shqiptar dhe gjuhën shqipe. Ky dokument është në gjuhë të huaj, i pa botuar me pare dhe gjendet në arkivin e Akademisë së Shkencave të Kroacisë. Fototeka dhe filmoteka vijohet me kujdesin e ruajtjes së nefeseve nga zërat e klerikëve tanë ndër vite dhe Kryegjyshit Dede Reshat Bardhi dhe pasurimin e saj me nefese e gazele bektashiane, fotot e ruajtura me kujdes ndër vite të cilat po dixhitalizohen. Regjistrimi bektashian po vijohet dhe kërkohet nga secili prej jush të identifikohet besimi personal qe Kryegjyshata të ketë një regjistër i cili do të mbaj ndër breza gjenezën e besimit në trungun familjar sipas fiseve. Puna vijon edhe në daktilografimin e të gjitha shkrimeve që humbasin cilësinë me kalimin e viteve dhe të gjitha dorëshkrimeve me vlerë që tregojnë qartë historinë e ekzistencës së bektashizmit. Faltorja jonë e madhe e cila kumbon nga lutjet e besimtarëve, kurioziteti i turistëve nga e gjithë bota dhe uria për dije e tyre, nga gëzimi i të sapomartuarëve dhe nga ligjërimet e rastit për përkujtimin e shumë figurave të ndritura që i kanë dhënë bektashizmit jetë , edhe kur drita e tij kërkohej të fikej nga shumë ateistë dhe jobesimtarë.
Sot, kremtojmë këtë ditë të shënuar që do të pasohet ëdo vit , dhe dëshira ime është që Odeoni jonë të vijojë të pasurohet edhe më tij me ide inovative, me materiale të gjyshatave tona , nga besimtarë anë e kënd botës, në mënyrë që kjo pasuri e cila çdo ditë po shtohet të jetë një pasuri me peshë të rëndë në historinë jo vetëm të Shqipërisë por edhe në botë.
Sepse ka qenë dëshira në zemër e Kryegjyshëve tanë Dede Ahmet Myftari dhe Dede Reshat Bardhi dhe amaneti që vendosa në vend , kryevepra mistike që sot festojmë e gëzojmë. Imam Ali thotë: “Shikimi i syve është i kufizuar, por shikimi dhe dëshira zemrës tejkalon të gjitha barrierat e kohës dhe hapësirës”. Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”

Koresp. i revistës “URTËSIA”

Fotot: Nuri ÇUMANI