Selia e Shenjtë Bektashiane, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përkujtoi sot në Kryegjyshatën Botërore Betashiane në Tiranë, 100-vjetorin e Kongresit të Parë Bektashian, që u bë në Prishtë të Skraparit, një ngjarje me rëndësi fetare e kombëtare.
Kjo shënon një ngjarje tejet të rëndësishme për bektashizmin shqiptar dhe atë botëror, 100 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Parë Bektashian, i cili, me vendimet e tij, konsolidoi më tej organizimin strukturor e përhapjen e këtij besimi të paqtë, deviza e të cilit ka qenë e mbetet që prej tetë shekujsh nga lindja e në vazhdim, “Pa atdhe, nuk ka fe!“.
Kongresi i Parë Bektashian, u mbajt në teqenë e Prishtës në Skrapar nga 14 deri 17 janar të vitit 1921, ndërsa përkujtimi i tij në këtë ditë, përkon dhe është pjesë edhe e shumë aktiviteteve të tjera që bëhen në kuadër të “Vitit të Naim Frashërit“ (25 maj 1920-25 maj 1921).
Në veprimtarinë përkujtimore, ishin të pranishëm dhe përshëndetën këtë konferencë: Presidenti i Republikës SHTZ. Ilir Meta, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, At Nikoll Kodheli, Ipeshkvi Ndihmës i Arqidioqezës së Tiranë-Durrësit Imzot Arjan Dodaj, përfaqësuesi i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare Pastor Ylli Doçi, Drejtori i Muzeut Kombëtar, z.Dorjan Koçi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, z.Ardit Bido, studiues, historian…