Në historinë e ringritjes së bektashizmit në Shqipëri, pas ndryshimeve politike të vitit 1990, ndër ata që dhanë ndihmesë të tymuar, renditet dhe Ibrahim Hasnaj, bir i një familje bektashiane të njohur në breza, shkrimtar, poet, studiues i bektashizmit, publicist, botues dhe për disa kohë, Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane me seli në Tiranë.
Sot, më 5 maj, mbushen 110 vjet nga lindja e tij. Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pohon: “Duke përkujtuar sot më 5 maj 2022, përvjetorin e 110-të të lindjes së Ibrahim Hasnaj, të vëllait tonë, poetit e studiuesit të njohur bektashian, Ibrahim Hasnaj, ne evokojmë njëkohësisht vlerat dhe kontributin që ka dhënë për besimin tonë të paqtë, në breza, familja e njohur Hasnaj e Tiranës, si dhe të vetë Ibrahim Hasnajt, para shkatërrimit të institucioneve fetare e ndalimit të besimit nga regjimi i shkuar monist, sidomos në përpjekjet për ringritjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane pas ndryshimeve politike të vitit 1990. Ibrahim Hasnaj, intelektuali bektashian, që është vlerësuar dhe "Dervish Nderi" ka lënë një pasuri të tymuar në krijimtarinë letrare bektashiane, si përkthyes e botues, por dhe si drejtues. Vuajtjet e rënda, burgu dhe internimi në periudhën moniste, për shkak të besimit, bënë që ai të mos çedonte në bindjet e tij, në besimin e tij dhe nga besnikëria në udhën e Haxhi Bektash Veliut. Pasuria e Hasnajt, njihet e do të vlerësohet në vijimësi...!”
Ibrahim Hasnaj, indi më 5 maj të vitit 1912, në një familje qytetare, autoktone tiranase. I ati i tij, Mahmund Hasnaj, ose si njihej në popull “Usta Mahmudi”, ishte mjek i njohur popullor në trevën e Tiranës, ku kreu dhe shkollimin e kohës. Ai u rrit dhe u mëkua nga prindërit, me dashurinë ndaj besimit bektashian dhe dashurinë ndaj atdheut. Me zgjuarsinë, këmbnguljen dhe përkushtimin për dije, ai mësonte dhe lexonte, duke arritur një nivel të lartë arsimor dhe kulturor. Me vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Tiranë në vitin 1930, e shikoje me familjen e tij, në çdo aktivitet dhe veprimtari bektashiane në Kryegjyshatë. Në vitin 1934, u bë myhib, anëtar spiritural i bektashizmit, duke u njohur shumë shpejt me literaturë bektashiane. Ai kish talent dhe u evidentua dukshëm me shkrimet e tij interesante të fushave të ndryshme: poezi, tregime, shkrime publicistike etj. Në rininë e hershme, inkuadrohet në Batalionin “Besnik Cano” dhe mori pjesë me armë në dorë kundër serbëve, në mbrojtje të popullit kosovar. Ibrahimi shquhet si poet, shkrimtar, përkthyes, publicist, gërmues, fetar dhe patriot. Ai shkruante me pseudonimet "Hima", "Bardhyl Nizami","Cen Qytyku"; etj. Ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe kryeredaktori i periodikut bektashian"Djersa”, që doli deri në vitin 1947. Ndër vite, Ibrahimi mblodhi me përkushtim gjithë punën e poetit tiranas, Zenel Bastari me ndihmën që i kishte dhënë dhe Ibrahim Dalliu. Në vitin 1959, gjithë punën kërkimore, ia dhuroi katedrës së Letërsi-Gjuhësisë, në Universitetin e Tiranës. Hasnaj, deri në vitin 1970, vazhdoi të mblidhte punën e Zenel Bastarit. Studioi dhe mblodhi gjithashtu punën e mikut të tij, kompozitorit dhe muzikantit elbasanas, mjeshtrit Isuf Myzyrit. Isuf Myzyri, periudhën që rrinte në Tiranë, e kalonte në shtëpinë e Hasnajve. Ka shumë shkrime dhe studime mistike për tarikatin bektashian si: "Unë dhe ndjesitë e mia", 1939; "Lot skamnorësh", 1940; "Rreze të zjarrta" dhe “Në oqeanin e pafund të së vërtetës”, viti 1980.... Ka qenë satirist i njohur në vitet ‘3o-të të shekullit të kaluar, që shkruante në dialekt tiranas dhe është ndër poetët e traditës bektashiane. Ai ishte anëtar i redaksisë të së përkohshmes “Njeriu”, të organizatës "Drita Hyjnore". Pas çlirimit, qe redaktor i të përkohshmes “Djersa” të komunitetit bektashian, e cila doli 8 numra. Më 22 janar 1948, ai u dënua me 20 vjet burg. Bëri burg 10 vjete dënim, pastaj u çua 5 vite internim në kampet e përqendrimit, ku mbahej gjithë kohës nën mbikqyrje nga Sigurimi i Shtetit. Pasi u lirua, mblodhi dhe u përkushtohet studimit të veprave të miqve të tij, H. Ibrahim Dalliut dhe Isuf Myzyrit. Pas gjithë këtij kalvari të gjatë vuajtjesh, punon si berber. Me ardhjen e demokracisë, në bashkëpunim të ngushtë me baba Reshat Bardhin e të tjerë, punoi me përkushtim dhe organizoi komisionin nismëtar për rihapjen e Kyegjyshatës Botërore Bektashiane, që u realizuar më 22 mars të vitit 1991. Ai ishte ‘Dervish Nderi’ dhe Shoqata Tiranë e ka shpallur “Fisnikëria e Tiranës”. Ibrahimi ka gëzuar respekt të thellë në qarqet fetare, letrare, nacionaliste dhe tek të gjithë familjet e nderuara tiranase. Ai kaloi nga jeta në 12 qershor të vitit 1995. Në fondin e arkivit të Kryegjyshatës ka lënë materiale interesante të cilat presin dritën e botimit. Në këtë 110 vjetor të lindjes ne përkujtojmë Ibrahim Hasnaj për jetën dhe veprën e tij plot vetëmohim e përkushtim si poet, publicist në shërbim të bektashizmit dhe shoqërisë do të kujtohet me respekt.
Përgatitën:
N. ÇUNI
K. BORIÇI