Përkujtohet 134 vjetori i lindjes së Dede Abaz Ilmiut!


Sot, miliona bektashinj në gjithë botën, përkujtojnë një ngjarje të shënuar, 134 vjetorin e lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Abaz Ilmiu. Në këtë ditë, në mesazhin që jep, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerëson kontributin atdhetar e  fetar të këtij kleriku të njohur. “Dede Abaz Ilmiu, ishte dhe to të mbetet për miliona besimtarë bektashinj në gjithë botën, martir në udhën e dlirësisë… Në kohën kur shteti i pavarur shqiptar po rritej përmes mërive të egra, përmes rreziqeve që i vinin nga orekset e fqinjëve shovinistë, dede Abaz Ilmiu vazhdonte të përcillte në oborrin e teqeve mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve. Thellë vetes, ky klerik i shquar e pati kuptuar se po të bashkonin zemrat dhe supet, nuk do të kishte stuhi që do të an ndante ne shqiptarët. Prandaj, në momentet më të spikatura të historisë sonë, ai iu bashkua nacionalistëve shqiptarë, duke mbjellë kurdoherë dhe shpresë ”-pohon mes të tjerave, në mesazhin e Tij, Dede Edmond Brahimaj.
…Dede Abaz Ilmiu, ka ardhur në këtë jetë, më 13 mars të  vitit 1887, në fshatin Mërtiaj të Përmetit. Fëmijërinë, deri në moshën 17 vjeç, ai e kaloi në fshatin e lindjes. Këto vite i përjetoi me vështirësi,  se babai, i vdiq që kur ishte 2 vjeç. Xhaxhallarët, që e rritën, i dhanë edukim e dashuri për Zotin dhe atdheun. Me të afërmit e familjes shkonte shpesh te mekami i  Mërtinjit dhe Bënjës. Çdo të diel, në ditët e pazarit, shkonte në teqenë e Këlcyrës, Sukës, gjithashtu dhe në teqenë e Përmetit dhe Alipostivanit gjatë javës. Nga bisedat dhe takimet me dervishët e baballarët, në teqetë e krahinës së Dëshnicës, Abazi mësoi për rrugën e besimit bektashian. Kështu, ai edukua  me dashurinë e Zotit dhe rrugën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut. Që herët, Dëshnica kishte teqetë, tyrbet dhe vendet e shenjta si, Teqetë e Frashërit, Përmetit, Ali Postivanit, Këlcyrës, Sukës, Kiçokut, Bubësit; mekamet në Tolar, Leskovec, Xhanaj, Mërtinj, Bënj, Mazhan, Vinokash, Kosinë, Petran etj.  Me këtë frymë të përditshme, mori kulturën fetare, të respektin e dashurinë në Zot. Atij iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Vajtja në teqenë e Prishtës ku kish dhe miqësi familjare ndikoi thellë në shpirt, në këtë prehëtore të madhe të bektashizmit shqiptar. Në vitin 1905, mori dorë dhe sipas rregullave kanonike të bektashizmit, u bë dervish në teqenë e Prishtës, te Baba Shabani, së bashku me Ali Skëndaj (baba Ali Turabiu). Ngjarjet tronditëse dhe makabre në Shqipërinë e Jugut në vitin 1914, nga bandat ogurzezë të andartëve grekë, dogjën dhe shkatërruan edhe teqetë në Gjirokastër, Delvinë, Borsh, Përmet, Skrapar, Berat, Korçë, Kolonjë. Në këto kushte të rënda, dervish Abazi, së bashku me dervish Aliun dhe baba Shabanin, shkuan në Vlorë dhe më pas emigruan në Egjipt, ku qëndruan rreth 3 vjet. Këtu ndërroi jetë  myrshidi i tyre, baba Shabani nga  fshati Buz i Tepelenës. Më vonë u kthyen në teqenë e Prishtës, të cilën e riparuan dhe rifilloi veprimtaria e saj e dikurshme. Dervish Abazi shërbeu për shumë kohë në teqenë e Prishtës, më vonë në atë të Sukës dhe Frashërit. Më 1920, ai dha kontribut në luftën e Vlorës. Dervish Abazi, udhëhoqi vullnetarët e Këlcyrës-Përmetit në luftimet që u bënë në Kalanë e Tepelenës dhe bashkëpunoi ngushtë me baba Ahmet Turani, që ishte organizatori i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Jugut, si dhe me Selam Musanë, deri në Vlorë.
Në shtator të vitit 1920, në fshatin e lindjes, ai ngriti të parën shkollë shqipe në krahinën e Dëshnicës, ku vinin edhe fëmijët nga fshati Sevran i Skraparit. Ndihmoi në luftën antifashiste dhe e ktheu teqenë e famshme të Frashërit, në vend ndihme me ushqime dhe strehimi për  çetat e lirisë, si dhe ndihmoi në çlirimin e zonës së Frashërit, në traditën e vëllezërve Frashëri. Ndihmesa e tij duket edhe në organizimin e kuvendeve bektashiane, që nga  Kongresi i Prishtës i janarit 1921 e, deri në kongresin e IV bektashian, më 1945, në Tiranë. Periudha 1905-1942, për dervish  Abazin, ishte një shkollë e vërtet, shkolla e edukimit shpirtëror, shkolla e atdhetarizmit. Ai mësoi nga jeta e vështirë e fëmijërisë, mësimet në teqenë e Prishtës dhe sidomos në teqenë e Kajuzës Sulltanit në Egjipt, ku  mori mësimet e duhura teologjike. Qëndrimi i tij pranë besimtarëve në teqetë e Prishtës, Sukës, Frashërit, pelegrinazhet, leximet e shumta, e kulturuan dhe ai fitoi një përvojë të shkëlqyer si klerik bektashi. Ai bëri çezma dhe ndihmonte për pajtimin e grindjeve, mërive kudo në komunitet.  Në qershor të vitit 1942 mori gradën fetare “Baba” e më pas “Gjysh”, në teqenë e Frashërit, ku shërbeu deri në vitin 1945. Tek figura e tij, njerëzit shihnin klerikun vullnet mirë, që predikonte dhe rrezatonte mirësi, paqe, dashuri dhe respekt për njerëzit, manifestonte vëllzaëri dhe harmoni, bashkëpunim dhe tolerancë midis komuniteteve të ndryshme fetare. Në këtë rrugë të bektashizmit, në vitet  1945-47, Dede Abazi arriti të bëhet prijës shpirtëror. Jeta dhe vështirësitë kudo që shërbeu, e formuan si klerik të aftë dhe organizator, ku u dallua për çështjen e atdheut në ndihmë të luftës  antifashiste. Për këto merita dhe si klerik me përvojë, në moshën 58 vjeçare, më 2 shtator të vitit 1945, Këshilli Gjyshnor dhe i Përgjithshëm e zgjodhën Kryegjysh Botëror dhe Kryetar të Komunitetit Bektashian Shqiptar.
…Këtë detyrë e kreu më së miri dhe u dallua për dashurinë e thellë të tij ndaj besimtarëve shqiptarë, të çdo besimi. Ai eci në gjurmët e të parëve të tij, duke e konsideruar bektashizmin si një urtësi dhe besim për besimtarët në të gjitha trevat shqiptare, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe deri në vise të Çamërisë. Ai mbeti besnik deri në fund parimeve dhe kodeve zakonore bektashianë. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha kongreset bektashianë, u shquar dhe u kujdes që doktrina bektashiane të fitonte vizione të reja, por pa trazuar dlirësinë  e zbritur prej afro 800 vjetëve, duke zbatuar predikimet e Haxhi Bektash Veliut se “Duhet të edukosh trupin, zemrën dhe shpirtin për të njohur Zotin”.
 Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, i cili vendosi t’i dobësonte gradualisht institucionet fetare, t’ua nënshtronte ato shtetit, t’i përdorte për sa kohë mbështetin  programin e qeverisë dhe pastaj ti zhdukte.  Kjo ishte një strategji me afat të gjatë 1945-1967. 
Krijimi i “Grupit Përparimtar” për reformë në çështjen e martesës, veshjes nga Baba Faja dhe baba Fejzo, ku ishte edhe ndikim i pushtetit, u kundërshtua nga Dede Abazi e disa klerikë. Kjo çoi dhe në ngjarjen tragjike të 18 marsit të vitit 1947…. Me rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane pas ndryshimeve politike të vitit 1990, nën kujdesin e ish-Kryegjyshit Botëror, dede Reshat Bardhit, në tyrbet në Selinë e Shenjtë, në qershor të vitit 1993, mes eshtrave të  dedelerve Sali Niazi Dede, Xhafer Sadik Dede, Ali Riza Dede, Kamber Ali Dede, Ahmet Myftar Dede, u vendosën dhe ato të  Abaz Hilmi Dede. Abaz Hilmi Dedesë, i është dhënë nga Presidenti i Republikës Urdhri ( mbas vdekjes) për veprimtari Patriotike të Klasit I me këtë motivacion: “Për kontributin e tij në drejtim të pastrimit shpirtëror të besimtarëve dhe edukimit patriotik të tyre, armik i betuar i komunizmit”.
KRYEGJYSHI BOTËROR BEKTASHIAN, HIRËSIS E TIJ,
HAXHI DEDE EDMOND  BRAHIMAJ PËR DEDE ABAZ ILMIUN:
Dede Abaz Ilmiu, ishte dhe to të mbetet për miliona besimtarë bektashinj në gjithë botën, martir në udhën e dlirësisë… Në kohën kur shteti i pavarur shqiptar po rritej përmes mërive të egra, përmes rreziqeve që i vinin nga orekset e fqinjëve shovinistë, dede Abaz Ilmiu vazhdonte të përcillte në oborrin e teqeve mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve. Thellë vetes, ky klerik i shquar e pati kuptuar se po të bashkonin zemrat dhe supet, nuk do të kishte stuhi që do të an ndante ne shqiptarët. Prandaj, në momentet më të spikatura të historisë sonë, ai iu bashkua nacionalistëve shqiptarë, duke mbjellë kurdoherë dhe shpresë.
Baba Abaz Ilmiu ishte jo vetëm një drejtues i aftë fetarisht, por edhe organizator i lëvizjes atdhetare. Është i njohur fakti që në vitin 1920, në bashkëpunim edhe me baba Ahmet Turanin, këta organizuan një qëndresë të shkëlqyer kundër italianëve  jo vetëm brenda në Tepelenë por edhe në Labëri. Në radhët e çetave atdhetare, ajka, ishin padyshim myhibët dhe dashamirësit bektashianë. Edhe në vitet që rrodhën më pas, baba Abazi mori pjesë në të gjitha përpjekjet tona kombëtare për konsolidimin dhe mbrojtjen e tërësisë së kufijve, si dhe për mbajtjen gjallë e zhvillimin e mëtejshëm të kulturës sonë kombëtare. Miku i përhershëm i librave fetarë, por dhe i letërsisë  botërore e asaj shqiptare, baba Abazi, do të merrte nismën për të çelur në Mërtinjin e largët shkollën e parë fillore, madje do të paguante nga lekët që i falnin atij, mësuesit e parë të kësaj shkolle. Ai ka marr pjesë gjithashtu në të gjitha kongreset bektashiane nga viti 1921 deri në vitin 1945, duke dhënë në mënyrë të konsiderueshme përvojën e tij fetare dhe jetësore.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI