Ditën e diel, 13 mars 2022, në Mërtinj të Përmetit, në fshatin e lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede, u bënë homazhe dhe u përkujtua 135-vjetori i lindjes së këtij kleriku bektashian. Njëkohësisht, nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u ndal në vlerësimin e jetës e veprës së Dede Abaz Hilmiut. Në këtë mesazh, ndër të tjera, dede Edmond Brahimaj theksoi: “…Ne sot evokojmë shpirtin e vetëmohimit të Dede Abaz Hilmiu, i përket në të njëjtën kohë plejadës së shkëlqyer të baballarëve bektashianë, të cilët nuk i ndanë asnjëherë Zotin në qiell dhe Atdheun në tokë. I mëkuar qysh në fëmijërinë dhe më pas në rininë e tij, me dashurinë e Frashëllinjve për trevat shqiptare, ndonëse jetoi për disa vite ne Egjipt, ai do të vinte si pëllumb i Haxhi Bektash në viset e bukura të Shqipërisë së jugut. Në Prishtë, në Sukë, në Frashër, ai do të hynte në zemrat e mijëra besimtarëve bektashianë, duke ndriçuar ato, me dritën hyjnore të mirësisë dhe urtësisë sonë tradicionale. Në mënyrë të veçantë, devotshmëria e këtij kleriku të shquar, do të shquhej në vitet 1920-1940, në Shqipërinë e mbushur plot turbullira politike. Ndërkohë që shteti i pavarur shqiptar po rritej përmes mërive të egra etnike, përmes rreziqeve të panumërt që vinin prej orekseve aneksioniste, Dede Abaz Hilmi, vazhdonte të përcillte nëpër oborret e teqeve, mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve. Thellë vetes ky klerik i shquar e pati kuptuar se po të bashkonim zemrat dhe supet, nuk do të kishte stuhi të na ndante ne shqiptarëve. Prandaj, në momentet më të spikatura të historisë tonë, ky klerik, iu bashkua atdhetarëve shqiptarë, duke mbjellë kurdoherë paqe dhe shpresë. …Dede Abaz Hilmiu edhe në kohën e qëndrimit të tij në postin e udhëheqësit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës botërore Bektashiane , u dallua për dashurinë e thellë të tij ndaj besimtarëve shqiptarë, të çdo besimi. Ai eci në gjurmët e të parëve të tij, duke e konsideruar bektashizmin si një urtësi dhe besim për besimtarët në të gjitha trevat shqiptare, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe deri në vise të Çamërisë. Ai mbeti besnik deri në fund parimeve dhe kodeve zakonore bektashianë. Pjesëmarrës në të gjitha kongreset bektashianë, ky klerikë i shquar, u kujdes që doktrina bektashiane të fitonte vizione të reja, por pa trazuar dlirësinë e zbritur prej 800 vjetëve. Akti i vetëflijimit të tij 75 vjet më parë dëshmon këtë. I paharruar qoftë kujtimi i tij.”
…NË VENDLINDJEN E ABAZ HILMI DEDEJ
Të dielën, më 13 mars 2022, u bënë homazhe në fshatin e lindjes, së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede, Mërtinj të Përmetit. Në shtëpinë e lindjes, besimtarë dhe të ardhur nga Selia e Shenjtë Bektashiane, u pritën nga nipi Skënder Elezi, mbesa e tij, Xhirja, dhe familjarë të tjerë. Dervish Sali Peti, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nuri Çunin, vendosi kurorën në emër të kryegjyshit Botëror , Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me dedikimin “Paç ditëlindje çdo pranverë”. Në dhomën e lindjes u bashkëbisedua për jetën dhe veprën e klerikut të lartë që bëri gjithçka për bektashizmin, duke ruajtur kanunin e Evlias, në rrugën e Hakut të Haxhi Bektash Veliut. Mallëngjim e përkujtim nga nipi, dhe mbesat, ishin një urim dhe bekim në këtë vend të shenjt. Biseda rrodhi natyrshëm se si duhet të mirëmbahet kjo shtëpi në të ardhmen. U dha mendimi gjithashtu, që dita e 13 marsit, të jetë ditë e pelegrinazhi të përvitshëm.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAI