PËRKUJTOHET 136-VJETORI I LINDJES SË ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN ABAZ HILMI DEDE

Sot, përkujtohet 136-vjetori i ish-Kryegjyshit Boëtror Bektashian, Abaz Hilmi Dede (1945-1947). Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Dede Edmond Brahimaj, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, zhvillohen një sërë aktivitetesh të programuara. Po ashtu, aktivitete të ndryshme në nderim të Abaz Hilmi Dede, zhvillohen dhe në gjyshatat brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Abaz Hilmi Dede, lindi më 13 mars 1887, ku qëndroi deri në moshën 17 vjeç.
Pati një fëmijëri të vështirë, pasi për shkak të vdekjes së babait, e rritën xhaxhallarët.
Në vendlindje, bashkë me të afërmit, shkonte shpesh te mekami i Mërtinjit dhe Bënjës, si dhe në teqenë e Këlcyrës, Sukës, në teqenë e Përmetit dhe Alipostivanit.
Kështu, ai u edukua me dashurinë e Zotit dhe rrugën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut dhe mori kulturën fetare. Në këtë moshë, iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Mori dorë dhe, sipas rregullave kanonike të bektashizmit, në vitin 1905, u bë dervish në teqenë e Prishtës, te Baba Shabani, së bashku me Ali Skendaj (baba Ali Turabiu). Në ngjarjet tronditëse dhe makabre në vitin 1914, ku zjarri e flaka përfshiu Shqipërinë e Jugut nga bandat ogurzezë të andartëve grek, u dogj edhe teqeja e Prishtës. Së bashku me baba Shabanin shkuan në Vlorë dhe më pas emigruan në Egjipt, ku qëndruan rreth 2-3 vjet. Më vonë u kthyen në teqenë e Prishtës, të cilën e ringritën dhe rifilloi veprimtaria e saj.
Dervish Abazi shërbeu për shumë kohë në teqenë e Prishtës, më vonë në atë të Sukës dhe Frashërit. Më 1920 në luftën e Vlorës, dervish Abazi udhëhoqi vullnetarët e Këlcyrës-Përmetit në luftimet që u bënë në Kalanë e Tepelenës dhe bashkëpunoi ngushtë me baba Ahmet Turani, që ishte organizatori i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Jugut deri në Vlorë. Në fshatin e lindjes, në shtator të vitit 1920 ngriti të parën shkollë shqipe në krahinën e Dëshnicës. Ndihmoi në luftën antifashiste dhe e ktheu teqenë e famshme të Frashrit në vend furnizimi me ushqime dhe strehimi për çetat e lirisë, duke ndihmuar në çlirimin e zonës së Frashërit. Dha ndihmë në kongreset bektashiane, që nga i Prishtës në janar të vitit 1921; korrik 1924 në Gjirokastër dhe Kongresi i tretë bektashian shtator1929 në Korçë.
Në qershor të vitit 1942 mori gradën fetare ‘Baba’, në teqenë e Frashërit ku shërbeu deri në vitin 1945. Për këto merita dhe klerikë me përvojë në moshën 58 vjeçare, më 2 shtator të vitit 1945, Këshilli Gjyshnor dhe i Përgjithshëm e zgjodhi Kryegjysh Botëror,funksion që e mbajti deri më 18 mars të vitit 1947.
Pas vdekjes,është dekoruar, me tituj nderi nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë me “Urdhër për veprimtari Patriotike të Klasit I” dhe “Nderi i Kombit”.
Kryegjyshit Botëror Bektashianan, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për Abaz Hilmi Dede:
“…Sot,në këtë ditë, ne përkujtojmë, Dede Abaz Hilmiun, i përket në të njëjtën kohë plejadës së shkëlqyer të baballarëve bektashianë, të cilët nuk i ndanë asnjëherë, Zotin në qiell dhe Atdheun në tokë. I mëkuar qysh në fëmijërinë dhe më pas në rininë e tij, me dashurinë e Frashëllinjve për trevat shqiptare, ndonëse jetoi për disa vite ne Egjipt, ai do të vinte si pëllumb i Haxhi Bektash në viset e bukura të Shqipërisë së jugut. Në Prishtë, në Sukë, në Frashër, ai do të hynte në zemrat e mijëra besimtarëve bektashianë, duke ndriçuar ato, me dritën hyjnore të mirësisë dhe urtësisë sonë tradicionale. Në mënyrë të veçantë, devotshmëria e këtij kleriku të shquar, do të shquhej në vitet 1920-1940, në Shqipërinë e mbushur plot turbullira politike. Ndërkohë që shteti i pavarur shqiptar po rritej përmes mërive të egra etnike, përmes rreziqeve të panumërt që vinin prej orekseve pushtuese, Dede Abaz Hilmi, vazhdonte të përcillte nëpër oborret e teqeve, mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve.
Dede Abaz Hilmiu edhe në kohën e qëndrimit të tij në postin e udhëheqësit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës botërore Bektashiane , u dallua për dashurinë e thellë të tij ndaj besimtarëve shqiptarë, të çdo besimi. Ai eci në gjurmët e të parëve të tij, duke e konsideruar bektashizmin si një urtësi dhe besim për besimtarët në të gjitha trevat shqiptare, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe deri në vise të Çamërisë. Ai mbeti besnik deri në fund parimeve dhe kodeve zakonore bektashianë. Pjesëmarrës në të gjitha kongreset bektashianë, ky klerikë i shquar, u kujdes që doktrina bektashiane të fitonte vizione të reja, por pa trazuar dlirësinë e zbritur prej 800 vjetëve…”