Dita e mërkurë, 5 mars 2025, shënoi 149-vjetorin e lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede. Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në Selinë e Bektashiane, si dhe në institucionet e tjera bektashiane, brenda dhe jashtë vendit, u zhvilluan disa aktivitete dhe ritet përkujtimore përkatëse.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Dede Edmond Brahimaj:
Të nderuar klerikë, myhybë, vëllezër e motra të bektashizmit,
Nderojmë sot një figurë të lartë, Dëshmor i Atdheut, Kryegjyshi Boteror i Bektashinjve Sali Njazi Dede, në 149 vjetorin e lindjes.
Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede, me origjinë shqiptar , nga Starja e Kolonjës vendosi për transferimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, u këshillua me këshillat gjyshërore dhe erdhi në Shqipëri më 28 janar 1930. Drita ishte çelur në Shqipëri falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës i cili mori në mbrojtje besimet fetare.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka histori të hershme dhe sot është një nga të katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri që gëzon autoritet të plotë. Me punën e tij të palodhur Hirësia e Tij, Kryegjyshi Sali Njazi, fis shqiptar, njihej si Papa i gjithë bektashinjvet të botës, u vendos në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë dhe i gjithë botës.
Mbetet në histori si një drejtues i aftë, dhe krijues i talentuar i letërsisë fetare, sepse ishte një atdhetar i madh. Mëndja dhe dora e tij nuk firmosi pushtimin e vendit nga Italia më 1939. Ai kishte ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe e ngriti bektashizmin në Shqipëri në një përmasё të re historike, duke pasuruar traditën bektashiane që vazhdon dhe sot. Me këtë qëndrim vërtetoi thënien e Haxhi Bektash Veliut se me fikjen e dritës nga Lindja, ajo ka për t’u ndezur në Perëndim.
Sali Njazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Europës të krishterë. Kleriku i shquar predikoi frymën tradicionale të besimit bektashian dhe të besimtarëve të thjeshtë. Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Njazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve.
Sali Njazi Dede u vu në krye të punëve të vështira për organizimin sa më të mirë të besimit veçanërisht në trojet shqiptarë. Ai arriti të kultivonte tek çdo besimtar që zemra e tij të rrihte me dashurinë e madhe për atdheun.
Me kujdes fetar dhe intelektual përgatiti kongrese dhe statute bektashianë, si klerik i devotshëm, ishte i pari në zbatimin konkret të kodeve zakonorë bektashiane. Kudo në doktrina ai shfaqi urtësi dhe thjeshtësi emblematike, ruajti traditën brenda besimit, të rrugës së ndritur të Haxhi Bektash Veliut, edukoi ndenjën e atdhetarisë, si dhe i shpalli kundërshti të hapur pushtuesit.
Për të gjitha këto vlera atdhetare Sali Njazi Deden në 28 nëndorin e vitit 1941, u vra nga dora armike, duke menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Sali Njazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë. Të gjithë klerikët kanë dëshmuar atdhetari dhe dlirësi shpirtërore po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore.
Figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emëtimin e pullës shqiptare në vitin 2001. Ai ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” vendim nr. 505, datë 20.12.2011, Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, nga Presidenca është vlerësuar me “Urdhrin e Klasit të Parë” në vitin 1993 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2019. Këto dhe të tjera vlerësime i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian, por krejt Shqipërisë dhe botës.
Kjo figurë e ndritur prej kleriku dhe martiri na bën të gjithëve ne krenarë , do të mbetet përjetësisht një figurë e ndritur, si një shembull i shkëlqyer dinjiteti, krenarie, mirësie dhe atdhedashurie. Sali Njazi Dede ishte dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit, ishte modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë!
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!