Më 28 janar 2022, përkujtohet në Korçë, 165-vjetori i lindjes së baba Baba Hajdar Qenckës.
Baba Hajdar Turani-Qencka, lindi në vitin 1857, në fshatin Qenckë, në trevën e shquar të Gorë-Oparit, fshat i vendosur në gjoks te maleve, rrethuar nga pyje pa fund. Këtu lindi dhe hodhi hapat e parë në jetë, Hajqar Qencka, i cili në vend të librave të shkollës, detyrohet, si shumë bashkëmoshatarë të tij, të kulloste e të përkujdesej për bagëtinë. Ngjarjet e mëdha të viteve 1878- 1880, nuk mund te kalonin pa jehonë dhe në Gorë-Opar e fshatin e lindjes së tij. Lëvizja autonomiste që po forcohej dita ditës atë kohë, siç dihet, gjeti mbështetjen e plotë dhe të klerit bektashian, të cilët, i kthyen teqetë jo vetëm në vatra të edukimit fetar, por dhe të atdhetarisë. Njëkohësisht, në këto teqe, mblidheshin patriotë të njohur, njerëz të thjeshtë, të rinj e deri fëmijë. Kështu, Hajdari, bashkë me disa shokë, afrohet në teqenë e Qesarakës, teqe e njohur atë kohë jo vetëm në atë trevë, por shumë më gjerë. Që në ditët e para të qëndrimit në këtë teqe, Hajdarit nis ti forcohet adhurimi për besimin bektashian dhe nevoja për të qenë sa më shpesh në objektet e kultit. Kështu dhe bën në vazhdim... Nis të jetë i pranishëm në teqeën bektashiane të Melçanit, në atë vend të mrekullueshëm, bekuar nga Zoti, ku jo vetëm trupi të mbushej me ajër të pastër, por edhe shpirti me meditime plot dliresi. Sheh me admirim jetën e dervishëve atje dhe njihet së afërmi me baba Hysenin, i cili si një prind i mirë, kujdesej për gjithkënd që shkelte në oborrin e teqesë. Kjo dhembshuri atërore, kjo afërsi shpirtërore, zakonet dhe traditat e bukura, ardhur prej shekujsh nga ndjekës të Haxhi Bektash Veliut, nuk mund të kalonin pa lënë gjurmë në shpirtin e djaloshit nga Qencka. Ai merr dorë tek baba Hysen Melcçani dhe njëmijë ditë-netë me pas, hedh mbi supe harkanë e bardhe të dervishit. Kjo ka ndodhur në vjeshtën e vitit 1896. Ky event i rëndësishëm për klerikun, risillet më vonë dhe në motivacionin e dekorimit të tij me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1927, ku ndër të thjera thuhet: "Qysh në vitin 1896, është veshur si dervish bektashi, pranë të ndjerit baba Hysenit dhe duke qenë pranë tij, ditë dhe natë, mundi të fitoj nga baba Hyseni, këshillat më të mira. Kështu, ju fut ndjenja e patriotizmës në zemër, aq thellë, sa brenda një kohe të shkurtër, u bë ndër më të flaktët patriotë të Melçanit, mbante fjalë mbi patriotizmin dhe i shtynte ata që të ngrinin krye kundër qeverisë turke, për të çliruar atdheun .. ...".
Në këtë kohë, duke parë përkushtimin e tij në rrugën e Zotit, por edhe shpirtin e mbujtur me dashuri për atdheun, baba Hysen Melçani i ngarkoi dervish Hajdarit, misionin e madh për ngritjen e një teqeje bektashiane në Turan, pranë qytetit të Korçës. Qëllimi i ngritjes së kësaj teqeje ishte të merrte jetë, një vend i shenjtë bektashian atje, por edhe të afroheshin besimtarë nga qyteti, sepse deri në Melçan, rruga ishte e vështirë. Ngritja e një teqeje të re në Turan, u mirëprit nga besimtarët, intelektualët e njohur të trevës dhe i gjithë komuniteti përparimtar, të cilët u bashkuan me idetë dhe punën e palodhur të dervishit nga Qencka, duke iu gjendur pranë në çdo moment.
Referuar dokumenteve të kohës, rezulton se ishin shtatë familje vendase, nga Turani, të cilat dhuruan nga toka e tyre, për ta bërë teqenë sa me të mirë. Besimtarë të tjerë sollën aty bagëti apo ndihma të tjera dhe, brenda një viti e gjysmë, teqeja e Turanit nisi funksionimin e plotë. Në këtë kohë, baba Hyseni i jep dervishit të Turanit, titullin “Baba” bektashian.
Nga viti 1900, teqeja e Turanit shndërrohet në vatër të ngrohte për të gjithë atdhetarët shqiptare nga Starova në Vithkuq, nga Devolli në Kolonjë e më gjerë.
Në vitet 1907-1908, shumë patriotë shqiptarë, anëtarë të klubit të Manastirit, organizuan në dhomat e teqesë kuvende të fshehta, duke dashur te çliroheshin me pushkë dhe penë, prej natës së gjatë osmane. Aty grumbulloheshin libra dhe abetare në gjuhën shqipe, për ti dërguar në fshatrat e Korçës, si dhe mblidhej miell e fishekë për trimat që luftonin maleve.
Kajmekami turk i qytetit dhe strukturat e kohës alarmohen për këtë fakt dhe e kërcënon klerikun duke i thënë se do e digjte teqenë, siç kishte bërë dhe në gushtin e vitit 1907 me teqenë e Melçanit.
Ne vitin 1909, baba Hajdari shkon në rrethin e shqiptarëve të Selanikut e Follorinës, duke
mbledhur ndihma për lëvizjen kombëtare. Ne vetëdijen e tij ishte rrënjosur thellë bindja se duheshin të çeleshin sytë dhe zemrat e shqiptarëve, për të synuar lirinë e vendit.
Vajtje-ardhjet e tij në Starovë, Korçë e Kolonjë, por edhe në Follorine e Kozan, ranë në sy të autoriteteve turke të asaj kohe. Ata e thirrën disa herë në Korçë, duke e kërcënuar se
Porta e Lartë, nuk do ta falte, edhe pse ai mbante të veshur rrobën e klerikut bektashian.
Në dokumentet zyrtare të kohës (Arkivi i Qendror i Shtetit Shqiptar, fondi 170), për aktivitetin atdhetar të klerikut, ndër të tjera thuhet: "...Si propagandist i lëvizjes shqiptare, në vitin 1911, ish dërguar prej baba Hysenit në Selanik, ku ndodheshin shqiptarë. Këtu, u zu prej qeverisë turke dhe i lidhur këmbë e duar, u suall dhe u burgos në burgun e Korçës, për tetë muaj. ... Ndërsa në vitin 1912, i bashkuar me çetat e Gorës, të udhëhequra prej baba Hysen Melçaanit, ish ndër më të parët dhe të guximshmit që mund të zbatonte urdhrat e myrshidit dhe të drejtonte çetat, në mënyrën që e lypte nderi i shqiptarit të vërtetë."
Ne vitet e vështirë 1913-1914, kur kufijtë jugorë të shqipërisë rrezikoheshin pandërprerë nga orekset aneksioniste helene, baba Hajdar Turani do të ishte në rradhët e para të luftëtarëve që mbronin sovranitetin e saposhpallur shqiptar. Në krah të tij, në këto beteja, radhitet dhe nipi i tij, dervish Filja, i cili duke marrë dorë në besimin bektashian, u betua se do të mbante të ndezur sa qiririn e Haxhi Bektash Veliut, aq edhe flakën e shqiptarizmës.
Në fillim të viteve '20 të shekullit të kaluar, teqeja e Turanit po rritej dita-ditës. Dashamirës, por edhe myhib të shumtë, nga Gorë-Opari, Gjergjevica, Devolli e Starova, mbushnin sheshin dhe odat e teqesë, duke parë në besimin bektashian, shpresën për prosperitet kombëtar. Në memorien e tyre, këta besimtarë, kanë të ruajtur me kujdes te veçantë, shpirtin e madh
të baba Hajdarit.
Ndërroi jetë në shkurtin e vitit 1928
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI