Ditën e sotme, më datë 15 qershor 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në pelegrinazhin, në teqenë e Bubësit-Përmet, me rastin e 181 vjetorit të themelimit të tyrbes së baba Aliut.
Pasi përshëndeti dhe falenderoj të gjithë ata besimtarëve bektashianë të Përmetit, të cilët kishin mbushur oborrin e teqesë, duke pasuruar kështu edhe më shumë tarikatin bektashian, me tiparet më të vyera, Kryegjyshi Botëror, shprehu një mirënjohje të thellë për familjen Zaimaj, për ata pasardhës të artë të baba Aliut, që i dhanë jetë e frymë trashëgimisë fetare, të kësaj teqeje.
Përshëndeti këtë ngjarje dhe aktivitet të shënuar, nënë Sanije Zaimaj dhe djemtë e saj.
FJALA E KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, SHENJTËRISË SË TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ:
“ Të nderuar besimtatë bektashianë të Bubësit dhe krejt Përmetit!
Të nderuar pjestarë të familjes Zaimi, vazhdues të denjë të besimit të Haxhi Bektash Veliut!
Të nderuar të ftuar!
Në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian ju uroj e bekoj të gjithëve: Paçi dashuri në zemrat tuaja! Zoti i Lartësuar dhe fryma e dervishëve dhe baballarëve tanë, le t’ju jenë ndihmë në udhëtimin tuaj shpirtëror dhe atë njerëzor!
Ndryshe nga një vit më parë, kur për shak të pandemisë botërore nuk pata mundësi të takohesha me juve, sot mendoj se të gjithë në ndihemi ndryshe. Kemi lënë pas krahëve ditë e muaj shumë të vështirë, kemi luftuar ditë-natë me një sëmundje të rëndë fizike, duke ndjerë dhimbje për të gjithë ata, që sot nuk i kemi në mesin tonë.
Por koha e vështirë që kaluam, pamvarësisht humbjeve, na sprovoi ne, besimtarët në përgjithësi dhe bektashinjtë në veçanti, në lidhje me kujdesin për njëri-tjetrin, për motrën e gruan, për vëllanë dhe babanë. Kujdesi, përkushtimi, sakrificat që ne rrëfyem në këtë vit pandemie, nxorën edhe një herë në pah dukurinë emblematike bektashiane që vëllazëria e Hakut dhe ajo biologjike, kanë qënë dhe do të mbeten të pandara në jetë të jetëve.
Motra dhe vëllezër!
Kanë kaluar vite qëkur në këtë vend të bekuar, u ringrit tyrbja e baba Aliut. Në memorien tonë, por edhe në historinë e tarikatit bektashian, do të mbetet i pashlyer kujtimi i ditës që inaguruam këtë objekt kulti. Do të mbetet e tillë, sepse ishte vetë shënjtori, dede Reshat Bardhi që erdhi këtu dhe që bëri të vërshojë drita dhe kujtimi i baba Aliut. Me bekimin e dede Reshatit, tyrbja këtu në Bubës, do të qëndroj madhështore, sikundër qindra tyrbe e teqe në Përmet, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Perëndimore dhe deri në Amerikën e largët. Këto tyrbe e teqe është në nderin tonë, t’i ruajmë, t’i shtojmë, të kujdesemi për dervish e baballarë, t’i çmomë si bashkëudhëtar në udhëtimin tonë.
Nuk ka dyshim se në radhët e këtyre besimtarëve të devotshëm, qëndrojnë kryelartë vëllezërit Zaimaj, të cilët çdo ditë e më shumë e zbukurojnë këtë vend dhe që bëjnë çështë e mundur që teqeja t’i mbajë të hapura dyert e saj në çdo kohë, pamvarësisht ditës së caktuar për pelegrinazh. Nuk mundet gjithashtu të harrojmë kontributin e nënë Sanijes, e kësaj nëne të dhembshur dhe plot mirësi, që mbajti gjallë besimin në Zot, në vitet e regjimit të kaluar, për t’ua përcjellë atë madhështor në ditët e sotme, djemve, vajzave, nipërve dhe mbesave aq të urtë.
Zoti i Lartësuar shtoftë dhe begatoftë krejt familjen Zaimaj!
Zoti ju bekoftë të gjithëve ju!
Amin! “
TYRBJA E BABA ALIUT
Tyrbja e baba Aliut ndodhet në fshatin Beqaraj (Zaimllarë), njësia Administrative Ballaban, Bashkia e Këlcyrës. Është ngritur në një kodër dominuese të zonës, ku në horizont, në verilindje, duket Tomorri. Territori ku ndodhet, me fshatrat kufitar të Beratit, Skraparit dhe Tepelenës. Themelues i sajë, rreth viteve 1840, është baba Aliu, i cili ka kryer shkollën në Arabi Saudite. Ai, kur erdhi u vesh dervish në teqenë e Koshtanit të Tepelenës. Pas ngjarjeve tragjike në familjen e tij u martua. Një nga djemtë, kur u rrit e veshi dervish. Punoi me përkushtim për bektashizmin. La gjurmë në gjithë zonën e ndikoi edhe në ngritjen e teqesë së Sukës. Baba Aliu është stërgjysh i kësaj lagje dhe shenjtor. Kjo tyrbe është shkatërruar tri herë. Në fillim nga andartët grek të vitit 1914 dhe, u rindërtua në vitin 1917. Në vitin 1940, u prish nga pushtuesit dhe u rindërtua sërish në vitin 1945. Me ndalimin e fesë në vitin 1967, u shkatërrua nga themelet. Ajo u rindërtua pas viteve 1990 nga e para, me një tjetër vizion, shoqëruar me ndërtesa komplekse arkitekture dhe mjedis të mrekullueshëm, nga vëllezërit Zaimaj (Firmë ndërtimi) duke krijuar një ansambël të bukur për rreth, duke marr pamjen e teqesë me tyrben e bukur. Në këtë mënyrë ajo sot është kthyer në një vend pelegrinazhi për gjithë zonën e rretheve Përmet, Skrapar, Berat e Tepelenë. Është qarkuar me një sipërfaqe 3000 m2 me një gjelbërim të përhershëm, bredh, drurë dekorativ dhe pemë frutore. Tyrbia e ngritur mbi rrënojat e vjetra, dominon në qendër të këtij kompleksi. Ajo është tip kupolë me mur guri të zi, i skalitur me rreshta të rregullt, ka simbolin e taxhit bektashian me një ballkon hyrës. Rreth tyrbes, në largësi, janë ndërtuar me kujdes tri banesa shërbimi me nga dy dhoma me mjediset përkatës. Është siguruar edhe uji i pijshëm. Ky kompleks interesant e i rrallë, ka një hyrje të vetme portiku të madh tradicional me gur tradicional të zonës, të skalitur. Falë vëllezërve Zaimi, ajo mirëmbahet si vend i shenjtë ku bëhet dhe pelegrinazhi i përvitshëm.