Data 15 dhjetori i çdo viti, është një ngjarje e shënuar për besimtarët e Korçës e rrethinave, pasi është ditë përkujtimore e teqesë së njohur të Turanit. Viti në vazhdim, sivjet shënon 197 vjetorin e themelimit të saj. Ne vitet `30, në këtë teqe filloi veprimtarinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me Kryegjysh Sali Niazi Dede. Kjo teqe ka një histori të shkëlqyer.Në përkujtim të kësaj ngjarje, mes besimtarëve ishte dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Kjo teqe është themeluar nga Salih Baba Elbasani. Në këët objekt kulti kanë shërbyer edhe shumë klerikë të tjerë si, baba Seferi, baba Ademi, baba Hajdari, dervish Filja, baba Seit Leskoviku, baba Pajua, dervish Hyseni. Teqeja ka luajtur një rol aktiv në rilindjen kombëtare e deri në çlirim. Këtu u mbajt kongresi i III i bektashinjve në vitin 1929. Më 28 janar 1930, këtu erdhi Kryegjyshi Botërori Bektashinjve Sali Niazi Dede. …Në letrën që i dërgon myrshidit të tij, baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkrun udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë, midis të tjerave shkruan: … “Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”. Vendosja e tij në teqenë e Turanit Korçë, i cili filloi veprimtarinë intensive për forcimin e bektashizmit në Shqipëri ishte i një rëndësie të veçantë, sepse u bë Institucioni i parë bektashianë botëror në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime të Mbretit Zog në muajin shkurt dhe dekretimi i tij si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën shkruhet: …” Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323 datë 20.3.1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij Mbreti pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”.
Më 4 prill të vitit 1930 organizohet mbledhja e Këshillit Gjyshnor duke marrë parasysh nevojat e mëdha të organizimit dhe dërgon një Qarkore qendrave Gjyshërore dhe Prindërore bektashianë të Shqipërisë. Në shtatë pika shkruhet mbi paraqitjen në Kryegjyshatë të titullarëve të gjyshatave dhe emrat e dervishëve dhe baballarëve në teqetë e tyre me hollësi, të zbatojnë urdhrat e Kryegjyshit, emërimi i këshillit lokal të çdo gjyshate, për administrimin sa më mirë të pasurisë të teqesë, disiplina shembullore sipas mësimeve të Haxhi Bektash Veliut etj. Gjithashtu u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë. Ku theksohet se: “Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar: drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdo farë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.”
Historia e teqesë Turanit është e lavdishme. Vazhduan drjetimin shumë klerikë të nderuar në vite të kësaj teqeje. … Teqeja ka qenë qendër e gjyshatës së Korçës (Korçë, Kolonjës, Bilisht, Pogradec).
Kanë drejtuar këtë teqe: Baba Sali; baba Hajdar Qencka; baba Zylfo Vërleni (1940 vrarë në vitin 1943” e dervish Nevrus Hoçisht; dervish Hajder Melcani; dervish Bektash Ishtip; gjysh Sabri Kalaja; dervish Tahir Gërxhani; dervish Bektash Nashkollari; dervish Samit Zboqi; dervish Shaqir Gërxhani; baba Abdulla Çela; gjysh Ramadan Metaj etj… Pas vitit 1990, punuan dhe dervish Barjam Çerçiz Ahmataj; dervish Xhelal Resuli; dervish Sali Peti dhe baba Edmond Brahimaj.
Teqeja u mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në vitin 1992 dhe u rindërtuar plotësisht në vitin 2000 nga baba Mondi, sot Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit.