Përkujtohet 232 vjetori i themelimit dhe 15-vjetori i rindërtimit të teqes bektashiane së Gjakovës

Më 14 korrik 2022, Teqeja Bektashiane Gjakovës shënoi përvjetorin e 232-të të themelimit dhe 15-të vjetorin e rindërtimit pas plaçkitjes, djegies e shkatërrimit nga ana e ushtrisë së Serbisë.
Në nderim të këtij përvjetori, manifestimin që u zhvillua në selinë e Gjyshatës Bektashiane të Kosovës, e udhëhoqi Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj,
Ne ngjarje morën pjesë aktivisht udhëheqës të besimeve fetare në Kosovë, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, zotëri Dodë Gjergji, kryetari i Kishës Protestante, zotëri Femi Cakolli, Kryeimami i Gjakovës, zotëri Visar Koshi. Morën pjesë gjithashtu dhe përshëndetën klerikë nga Tarikatet islame, Shejh Mehmet Shehu Kaderi dhe Shejh Leonard Shehu Saadi; nga Komuniteti Bektashian i Maqedonisë veriore, dervishi i Teqesë Bektashiane Harabati Baba në Tetovë dhe dervish Abdylmutalib Beqiri.
Këtë përvjetor të dyfishtë të Teqesë Bektashiane të Gjakovës, e nderuan me prezencë, kryetarja e asamblesë komunale të Gjakovës, zonja Arbënesha Kuqi dhe drejtorja për Kulturë në Gjakovë, me bashkëpunëtorë. Por, në pamundësi për të qenë prezentë, përshëndetën, kryetari i Gjakovës, zotëri Ardian Gjini, kryetari i Pejës, zotëri Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Prizrenit, zotëri Shaqir Totaj.
Të gjithë klerikët përçuan mesazhe paqeje, duke veçuar thirrjet për atdhedashuri, veçanërisht për të rinjtë që e mendojnë udhën e mërgimit.
Në këtë temë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve tha se toka jonë, vendi ynë, është e bekuar nga Zoti, kemi katër stinë dhe mundësi për të prodhuar ushqimin tonë. Përmendi moton bektashiane “Pa Atdhe nuk ka Fe”, dhe thirri që njerëzit të punojnë e të jetojnë në atdhe, pa u nxituar të mërgojnë.
I pari i katolikëve të Kosovës çmoi bektashinjtë si nismëtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Të njejtat vlera atdhedashëse të besimit bektashi i njohu edhe i pari i protestantëve të Kosovës. Përderisa kryeimami i KBIGJ-së, sikur edhe të tjerët, çmoi bashkëjetesën mes besimeve në Gjakovë e Kosovë.
Në këtë manifestim, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, çmoi historinë e Teqesë së Gjakovës e asaj të Prizrenit, duke përmendur kontributet e panumërta në historinë kombëtare e fetare. Dedebaba Edmond Brahimaj përmendi angazhimet e dymbëdhjetë baballarëve bektashinj në Gjakovë, nga të cilët shumë kanë kontribuuar e shërbyer në Teqe Bektashiane në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, por edhe në Haxhi Bektash, e në vendet e shenjta në Meke, Medine, Nexhef, Qerbela, Bagdat, Horosan, e të tjera. Kryegjyshi veçoi kontributin e Teqesë së Gjakovës në lëvizjen për pavarësi kombëtare, çmoi kontributin e Teqesë Bektashiane të Gjakovës dhe asaj të Prizrenit në organizimin dhe mbarëvajtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndër të tjera çmoi edhe përpjekjet e bektashinjve të Kosovës në luftën e fundit për Liri e Pavarësi të Kosovës.
Me fjalim u paraqit dervishi i teqesë sonë, Dervish Rrauf Radoniqi, që shpalosi hollësi nga historia e Teqesë së Gjakovës, e që përmendi shpërnguljen e Teqesë e të Tyrbeve ngë lokacioni i parë në lokacionin aktual, e duke shquar sfidat që solli lufta e fundit në vendin tonë.
Me kumtesa u paraqitën, myhibi bektashian Brahim Rama, që shpalosi të dhëna historinë e përjetime personale nga myrshydi i tij, Baba Qazim Bakalli; si dhe profesor Agim Jaka që tëholloi detaje nga veprimtaria kombëtare e fetare e Baba Mumin Lamës, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Një pjesë të mirë të diskutimeve e zuri çështja e Bibliotekës Bektashiane të Gjakovës, e cila mbante thesare të mëdha, vepra antike, dorëshkrime të çmuara fetare e laike, përkthime të rëndësishme që mbetën në dorëshkrim, pasuruar veçanërisht nga baballarët bektashinj të GJakovës, e veçanërisht nga Baba Hamza, Baba Adem Vexhhiu e nga Baba Qazimi. Kjo bibliotekë u plaçkit dhe u dogj nga forcat serbe më 1999. Përderisa Baba Mumin Lama u angazhua fort që atë ta pasurojë, me qëllimin që të rikthehet në lavdinë që kishte dikur.
Të gjithë folësit bektashinj e bënë të zëshme kërkesën e kahershme që Komuniteti Bektashian të njëherazi nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës si “Besim fetar historik dhe tradicional në Kosovë”.
Pas ceremonisë, miqtë dhe besimtarët ndoqën një ekspozitë me fotografi dhe dokumente historike rreth historisë bektashiane në Kosovë. Ndërsa në koktein e shtruar me këtë rast, klerikët dhe besimtarët diskutuan lirshëm rreth temave të aktualitetit si dhe atyre të historisë fetare, si dhe u trajtuan mundësitë për të shtuar harmoninë e bashkëjetesën ndërfetare ndër shqiptarë dhe veçanërisht në Kosovë
Ngjarja u ndoq dhe u përcollë nga mediat vendore, si Klan Kosova, Radio Gjakova, e të tjerë.

Përgatiti:
Lorik BAKIJA