Më 30 prill të këtij viti, mbushen 26 vjet, nga ikja nga kjo jetë, e ish- Zëvendëskryegjyshit Botëror Bektashian, baba Bajram Mahmutaj. Duke filluar nga dita e premte, 28 prill e, deri mbrëmjen e kësaj dite, do të ketë një sërë aktivitetesh. Aktivitetet përkujtimore do të zhvillohen ën Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në teqe të tjera. Në këtë përvjetor, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera shprehet: “…Përkujtimi i ndarjes nga jeta të vëllait tonë, baba Bajramit, ashtu si dhe në evente të tjera të kësaj natyre, nëpërmjet të cilave, Selia e Shenjtë Bektashiane ka krijuar një traditë që pasurohet vazhdimisht, ne jo vetëm vlerësojmë kontributin e klerikëve bektashinj në udhën e Haxhi Bektash Veliut, si udhëheqës shpirtëror e atdhetarë, por synojmë të afrojmë sa më shumë bashkudhëtarë- vëllezër në familjen bektashiane, në mënyrë që kjo jetë kalimtare të jetë sa më e paqtë e me harmoni shpirtërore…!”
Baba Barjami lindi në fshatin Rabije të Tepelenës, më 18 maj të vitit 1906, Prindërit e tij, Sadik e Merushe Mahmutaj ishin të përkushtuar tek bektashizmi. Xhaxhai i tij, baba Muharremi, në vitin 1890, hapi teqenë, në fshatin Plashnik të Beratit. Në vitin 1927, Bajram Mahmutaj, u vesh dervish. Tashmë, dervish Barjami gjeti tek baba Muharremi, prindin, edukatorin, mësuesin, teologun, atdhetarin shqiptar, duke krijuar një bazë teorike e praktike të shëndoshë, jo vetëm si klerik bektashian, por dhe si misionar shoqëror e atdhetar. Pas kalimit nga jeta të baba Muharremit, në vitin 1929, deri në vitin 1945, ai drejtoi teqenë e Plashnikut. Ky vit, do të shënonte fillimin e një kalvari të vështirë, pasi nën akuzën e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar, drejtësia e kohës e dënoi me 15 vite heqje lirie. Pas kryerjes së dënimit, ai i nënshtrohet një internimi në Milot, kalvar i cili merr fund me ndryshimet politike të vitit 1990 dhe rifitimin e lirisë fetare e rihapjen e institucioneve të besimit. Në vitin 1991, ai u bashkohet nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe ndjeu rilindje kur më 22 mars të vitit 1991, me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, u rihap Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Ai kontribuoi për riorganizimin e ri klerikal, strukturor, organizativ, ringritjen e teqeve dhe tyrbeve në Shqipëri, por edhe në lidhjen me teqetë e tjera në botë. Baba Bajrami ndërroi jetë në 30 prill të vitit 1997 në moshën 91 vjeçare. Ai mbetet kleriku i devotshëm i bektashizmit. Pas ndarjes nga kjo jetë, ai është dekoruar me “Pishtar i Demokracisë” me motivacion: “I pa përkulur dhe me besimin ndaj Zotit duroi burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”.