PËRKUJTOHET 4-VJETORI I KALIMIT NGA JETA, I BABA MUMIN LAMA

Ditën e hënë, 27 janar 2025, në teqenë e Gjakovës-Kosovë, përkujtohet 4-vjetori i kalimit nga jeta, i baba Mumin Lama, Kryetar i Gjyshatës Bektashiane të Kosovës. Në këtë aktivitet, merr pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Dede Edmond Brahimaj, do të drejtoj edhe ritet e këtij përkujtimi.
Ikja nga kjo jetë e klerikut Mumin Lama, do të përkujtohet në këtë ditë dhe në gjyshatat e tjera bektashiane, brenda dhe jashtë Shqipërisë. “…Vëllai jonë, baba Mumin Lama, përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta që ne po e përkujtojmë sot, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm fetar e atdhetar për bektashizmin, në Gjakovë e Kosovë. Veçanërisht, ai pati një rol të rëndësishëm, para dhe gjatë luftës së Kosovës, kohë në të cilën pushtuesit serbë, nuk kursyen dhe objektet bektashiane, duke e djegur dhe teqenë e Gjakovës, një objekt i rëndësishëm fetar e atdhetar...”- pohoi mes të tjerave Kryegjyshi Botëror, Dede Baba, Edmond Brahimaj.

* * *

Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashiane. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini, duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës.