Nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ditën e dielë, 10 korrik 2022, u organizua përkujtimi i 42-vjetorit të kalimit nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Ahmet Myftar Dede. Besimtarë dhe dashamirësit të shumtë, takuan Kryegjyshin Botërorë Dede Edmondin dhe bënë vizita në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatë, në muze, si dhe morën pjesë në prezantimin dhe dhurimin e 8 pikturave për bektashizmin, të ekspozuara në hollin e Muzeut të Bektashizmit nga piktori i njohur Rakip Shabani. Gjithashtu, në darkë u bënë lutje në mejdan, u ndoq një film dokumentar historik pëe Dede Ahmetin dhe pjesëmarrësit, ishin në një darkë nderimi. Në ritet e kësaj dite përkujtimore, merrnin pjesë dhe baballarë e dervishë bektashianë, të gjyshatave. Ceremonia e dhurimit të 8 pikturave për bektashizmin, u shoqërua me fjalën e Kryegjyshit, i cili vuri theksin dhe tek mesazhin i veprës së shkëlqyer të Dede Ahmetit.
Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj pohoi:“...Sot është një ditë e veçantë pasi po na dhurohen 8 piktura nga fondi i ekspozitës mbi bektashizmin, të piktorit Rakip Shabani, ku është edhe piktura e dede Ahmetit. Ja si shprehet Dede Reshati për myrshidin e tij, Dede Ahmeti:’E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, drejtoi Kryegjyshatën Botërore’. Falënderoj të gjithë ju që jeni mbledhur sot këtu, falënderoj piktorin Rakip Shabani dhe i uroj suksese të tjera në të ardhmen...!
Në pikturat e dhuruara janë, ajo e Haxhi Bektash Veliut, e baba Rexhebit, e Dede Ahmet Myftarit, e Dede Reshatit, e Dede Edmond Brahimajt, e baba Hajdar Qenckës, tyrbja e Kuzum-Baba, teqeja e Melçanit viti 1917. Piktori Rakip Shabani, falënderoi Kryegjyshin për këtë pritje në këtë ditë të shënuar. Gjithashtu fjalë zemre dhe mirëkuptimi për këtë ditë shprehu edhe studiuesi i polifonisë shqiptare, prof. Naxhi Kasaruh. Me interes u ndoq filmi dokumentar historik për Ahmet Myftar Dede.
Jeta dhe vepra e tij këtij kleriku, ka lënë gjurmë. Ai e filloi veprimtarinë si dervish në vitin 1937, në moshën 22 vjeçare, në teqenë e Bllacës, pranë baba Zenel Dumes. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish prej baba Zenelit të teqesë së Bllacës në Dibër, ku bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, deri në frymën e fundit. Këtu qëndroi dhe shërbeu si dervish nën drejtimin e baba Zenelit në vitet 1937-1939. Ishte luftëtar i lirisë gjatë luftës së Dytë Botërore ku dhe u plagos. Arrestohet gjatë luftës nga fashistët italianë. Më 2 tetor 1945, merr titullin ‘Baba’ dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit-Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, ku ndër të tjera u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Në këto vite, ai i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vlerësimet për Dede Ahmetin:
-Nga Presidenca, Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
-Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
-Figurë e shquar në emetimin e pullave Albpost 2001
-Personaliteti i Labërisë nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
-Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
-“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
-I është vendosur busti në qytetin e Vlorës...
-I është vendosur busti në Brataj, 2011
-I është vendosur busti në Krujë, dhjetor 2021
-Janë botuar për ‘të disa libra e prodhuar disa filma dokumentarë.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI