Përkujtohet 47-vjetori i kalimit nga jeta, i baba Musa Himadunas dhe vendosja e eshtrave të tij, në teqenë e Gjakovës

Vendosja e eshtrave të klerikut të njohur baba Musa Himaduna në teqenë e Gjakovës, përkujtohet të enjten (27 janar 2022) në këtë teqe në një datë domethënëse, 47-vjetorin e kalimit të kalimit nga kjo jetë e këtij kleriku. Në këtë event, merr pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Baba Musa Himaduna, i biri i Murtezait, u lind në Gjakovë, në vitin 1900 dhe ndërroi jetë në teqenë e Gjakovës në vitin 1975. Familja e tij shquhej si familje përparimtare kombëtare dhe përkrahnin bektashizmin në Kosovë. Shkollimin fillestar, e përfundoi në Gjakovë e më pas, vazhdoi Normalen e Elbasanit. Nga dashuria e madhe që ndjeu ndaj udhës së shenjtë bektashiane, u dorëzua për dervish në Kryegjyshatë Botërore Bektashiane-Tiranë. Në atë kohë (vitet 1930-1931), baba Qazim Bakalli, ishte mësuesi i kursit të dervishëve në Kryegjyshatën. Dervish Musa, u shqua për njohuri, veçanërisht për gjuhët orientale, sidomos në gjuhën perse.
Dervish Qazim Bakalli dhe dervish Musa Himaduna, u dërguan në teqenë bektashiane të Tetovës, në Harabati Baba, sipas kërkesës të Kryetarit të Bashkisë së Tetovës, Dr. Xhafer Sulejmani, drejtuar Kryegjyshatës, për rihapjen e teqesë, Harabati Baba, e cila ishte pa klerikë. Teqeja Harbati-Baba me histori të madhe, daton nga shekulli i 16-të. Krahas vështirësive të kohës, problemeve në lidhje me pronat, u vështirësua edhe situata politike, probleme me të cilat përballeshin klerikët dhe në Tetovë.  Në vazhdim, (vitet 1934-1941), dervish Qazimi dhe dervish Musa, shërbyen në teqenë e baba Xhemalit në Elbasan.
Më 6 tetor 1941, dervish Qazim Bakallin dhe dervish Musa u nisën nga teqeja e baba Xhemalit,  Elbasan, sipas urdhrit të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Sali Niazi Dede dhe shkuan në teqen e ‘Harabati Baba’, në Tetovë.  Këtu i mirëpriti, Kryetari i Bashkisë dr, Xhafer Sulejman, i cili i mbajti në shtëpinë e tij deri sa u rregullua vendi në teqe. Të dy dervishët u mirëpritën përzemërsisht nga popullsia e Tetovës e rrethinat, nga myhibët dhe dashamirësit e bektashizmit. Në kushte të vështira, dervish Qazimi dhe dervish Musa kaluan dimrin e viteve, 1941-1942. Kjo gjendje vazhdoi deri në prill të vitit 1942. Më pas, të dy dervishët u morën me riparimin e teqesë. Në këtë periudhë për nevoja të teqesë dhe problemin pronave, falë punës e përkushtimit, dervish Qazimi,  merr gradën “Baba,” nga Kryegjyshi i asaj kohe, Sali Niazi Dede dhe drejton teqenë  ‘Harabati Baba’ në Tetovë. Në maj të vitit 1942, me komision, morën në dorëzim teqenë dhe pronat e saj. Me punën këmbngulëse të baba Qazimit dhe dervish Musës, u riparua teqeja dhe në fillim të shtatorit 1944, u soll uji (me  ujësjellës) nga burimi i pyllit të teqesë. Në vitet 1942-1944, në  teqen Harabati filloi një gjallëri fetare, kulturore, arsimore, ku dy klerikët u përkrahën  nga gjithë besimtarët bektashian, intelektualët e dashamirësit e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe më gjerë.
Në vitet 1945-1946, represioni serb filloi edhe ndaj teqesë ‘Harbati-Baba’. Baba Qazimi dhe dervish Musa vazhduan aktivitetin në Tetovë, por përsëri hasën në vështirësi, saqë i burgosën me qëllim që t’i ekzekutojnë.. Baba Qazimi dhe dervish Musa e nuhatën qëllimin djallëzor. I bënë përgatitjet për arratisje nga burgu. Papritmas u hodh një bombë në dhomën ku qëndronin të dy; dervish Musa u kërrus, mbi supet e tij, kaloi baba Qazimi për të dalë nga dritarja. Kur baba Qazimi kthehet që ta tërheqë dervish Musën, shpërthen bomba  tjetër dhe e lë dervish Musën pa njërën këmbë, duke ia këputur atë deri afër gjurit. Në këto kushte, baba Qazimi me dervish Musa shkuan në Gjakovë. Këtu u morën me veprimtari fetare, duke drejtuar teqenë e Gjakovës herë në shtëpi dhe herë në teqe. Njëkohësisht administronin edhe teqenë e Harabatit në Tetovë.
Veprimtaria e dervish Musës, gjatë gjithë jetës, shpalosi dashuri të thellë mistike. Duke e njohur mirë se kush ishte dervish Musa, përgatitjen fetare, intelektuale e ndjeshmërinë njerëzore të tij, Halife Baba Qazim Bakalli-postnishin i Gjyshatës Harabati, e gradon  Musa Himadunën “Baba” dhe e vendos postnishin në Kërçovë. Këtu, baba Musa Himaduna, pranoi shumë myhibë, në Kërçovë, nga zona të tjera të Maqedonisë e deri në Turqi. Aktiviteti i baba Musa Himadunës ka vazhduar edhe më tej në teqenë Harabati të Tetovës. Më parë, bashkë me Baba Qazimin kishin kryer mrekulli në këtë tempull të shenjtë, duke bërë punë jetike për mirëmbajtjen e rikthimin e Harabatit. Gjithashtu, baba Musa Himaduna vazhdoi aktivitetin edhe për pak kohë në Maqedoni. Abuzimet e komplotet e ndryshme, bënë që baba Musa Himaduna, përfundimisht, në vitet e gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të, të kthehej në Gjakovë. Në Gjakovë rrinte sa në teqenë e Gjakovës, sa në shtëpinë e të vëllait të tij. Baba Musa ka pasur disa libra në dorëshkrim. Sot nuk dihet për fatin e këtyre veprave. Baba Musa Himaduna kaloi nga jeta në vitin 1975. Pushteti i asaj kohe nuk lejonte varrimin në qytet. Meqë teqeja bektashiane e Gjakovës, gjendet në mes të qytetit, ishte e pamundur që baba Musa të prehej në tyrbe ku i takonte. Por, baba Qazimi pati vendosur, që baba Musa, të varrosej në varrezat e qytetit. Aty u preh deri më 14 janar 2022, kur eshtrat e tij u sollën për tu prehur përgjithmonë në tyrben e baballarëve bektashian të teqesë së Gjakovës.
Me rastin e rivarrimit të eshtrave dhe 47 vjetorit të kalimit nga jeta të baba Musës, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata  Bektashiane e Kosovës bëjnë më datë 27 janar 2022. homazh klerikut të shquar, që sakrifikoi jetën e tij në rrugën e Hakut, të Haxhi Bektash Veliut.

Burime:
-Arkivi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe teqeja e Gjakovës.
Dëshmi e myhibit të vjetër të baba Musës, Brahim Rama, janar 2022.
-Prof. Ali Vyshka: ”Teqeja e Harbati e Tetovës dhe roli i saj historik e kulturor në të kaluarën”, f. 76-81.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI