PËRKUJTOHET 485-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË “HARABATI-BABA” NË TETOVË, MAQEDONIA E VERIUT

Shtatë shkurti i këtij viti, shënon 485-vjetorin e themelimit të teqesë “Harabati-Baba”, në Tetovë, Maqedonia e Veriut. Kjo ngjarje do të përkujtohet vetmas të martën në mjediset e këtij institucioni të shenjtë. -“Përkujtimi sot i 485-vjetorit të themelimit të Teqesë ‘Harabati-Baba’ në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, një institucion i njohur kulturor e atdhetar, është një ngjarje e rëndësishme për bektashinjtë e kësaj treve e më gjerë. Veçanërisht, aktiviteti fetar e atdhetar i dervishëve e baballarëve që kanë drejtuar shekujve në këtë teqe, mbetet një shembull për brezat që do të vijnë. Është detyra jonë që me besimin tek i Madhi Zot, të bëjmë të mundur, që kjo teqe e mrekullueshme dhe e rrallë në botë, si një monument kulture, të rikthehet siç ka qenë më parë, për të përcjellë paqen e përshpirtshme, dashurinë, mirësinë dhe urtësinë bektashiane të këtyre viseve dhe gjithë Ballkanin”- pohon mes të tjerave në mesazhin e tij me këtë rast, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Teqeja “Harabati-Baba”, u themelua në vitin 1538, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, nga Sersem Ali Dede, ditë në të cilën ai solli në këtë tempull bektashian dhe15 dervish. Në shek. XVI, në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit, sipas dokumenteve zyrtare, ai ishte edhe zyrtar i lartë i Perandorisë Osmane (vezir). Por pas ngjarjeve me motrën e tij, e cila ishte grua e Sulltanit, Sersemi, ai iu përkushtua bektashizmit. Sersem Ali Dede, ishte teolog i shquar, një mistik i njohur i kohës, filozof dhe poet. Krijimtaria letrare, filozofike, fetare, arti e tjera të Sersem Ali Dede, lanë gjurmë në Rumeli. Në vitin 1551, ai zgjidhet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, funksion të cilin ai e kreu deri në vitin 1569, kohë në të cilën kaloi nga jeta. Në vijimësi, kemi pak të dhëna dokumentare për teqenë e Tetovës. Ajo u rimëkëmb në kohën e pashallëkut të Tetovës. Në kohën e Rexhep Pashës dhe Abdurrahman Pashës, në këtë tempull bektashian, erdhën klerikët e njohur si: Baba Mehmet Harabati (deri 1780), Dede Hyseni (deri 1784 ), baba Sadiku ( deri 1789), Dede Hasani (deri 1793) Ahmet Ekmeçiu (deri 1799), (i cili e pasuroi teqenë me prona të fuqishme), baba Hyseni i dytë (deri 1818), Dede Aliu (deri 1833) dhe Haxhi Baba Emini (deri 1880).
Teqeja e Tetovës, në periudhën e pashallëkut të shekullit XVI, u bë qendër e rëndësishme kulturore. Në këtë periudhë, mori shtysë të fuqishme jeta intelektuale e qytetit të Tetovës e rrethinave të saj, u gjallërua elementi kombëtar nga shtresat tregtare, zejtare, klerikale etj. Një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike të kësaj kohe, siç ishte kryengritja e Dervish Carës në vitet 1843-44, luajtën klerikët bektashian si edhe dervish Kapo, dervish Pola etj. Shtabi i kryengritjes, sipas dokumenteve të kohës, ishe në teqenë e Tetovës. Në vijimësi, këtë teqe e drejtuan: baba Muhamed Mehdiu (deri 1882); Haxhi Dede Ahmeti, në kohën e tij shërbenin dyzet dervish dhe 15 baballarë (deri 1901); baba Hamza (deri 1908); baba Hamiti (deri 1912) dhe dervish Nebiu (deri 1914). Më pas, e drejtuan teqenë persona civil, derisa pronat i uzurpoi shteti serb. Në vitin 1941, drejtimin e teqesë e mori baba Qazim Bakalli (deri 1944) dhe më pas, baba Tajar Gashi (deri 1980). Pas vitit 1980, deri në korrik të vitit 1994, ambientet e teqesë, i shfrytëzoi ‘Ndërmarrja Tekstile Teteks’.
Në ngjarjet që pasuan, në vitin 1994, kur u bë greva e urisë, teqenë e drejtoi baba Tajar Gashi (1994- 2000). Më pas, në drejtimin e saj ishin, baba Tahir Emini (2000-2007); Haxhi Baba Edmond Brahimaj (2007-2011) dhe më pas (viti 2011), dervish Abdyl-Metalip, që është edhe sot.
Arkitektura e teqesë përbëhet nga: godina komplekse arkitektonike e teqesë, impozante dhe madhështore përbën një margaritar të thesarit të kulturës shqiptare dhe botërore. Ajo përbëhet nga shumë objekte të kompleksit të saj: Faltorja-Kubbeli Mejdani, ruhet sot vetëm paradhoma me dy mbishkrimet, Shtëpia ose Konaku veror ku rrinin klerikët, Selamllëku (dhoma e pritjes), Qoshku verior dhe shatërvani i teqesë, Shtëpia dimërore me objekte të tjera si Faltorja e vogël, mauzoleu, Lavanteria, Kuzhina e vogël, Kabri i baba Mehmet Harbatit, Shtëpia e punëtorëve, Restoranti i teqesë, Furra e teqesë, Hambarët e teqesë, Bodrumi i teqesë, Hajatet e bagëtive, Çezma e Madhe, Çezma e Vogël, Varrezat e teqesë dhe, Kulla e rojeve mbi hyrjen kryesore. Teqeja ka katër porta të cilat simbolizojnë elementë nga doktrina bektashiane, (Sheriati, Tarikati, Marifeti dhe Hakikati). Kompleksi madhështor i kësaj teqeje me objektet e ndërtuara, janë integruar në një tërësi unike dhe plotësojnë njëri – tjetrin me veçoritë e veta portat, oxhaqet, kulmet, shtyllat katërkatëshe, koloriti i pasur i fasadave, pikturat murale dhe mbishkrimet e shumta. Në oborrin e teqesë është gjelbërimi i pafund. Harmonia në kompozimin e detajeve dhe shumë cilësi të tjera, janë me vlera të jashtëzakonshme, të cilat paraqesin dhe simbole që kanë të bëjnë me element të doktrinës dhe kompletimin e riteve bektashiane. Afër pesë shekuj, në këtë teqe kanë shërbyer, vepruar e krijuar klerikë bektashianë e intelektual të penës, teologë, filozofë, letrarë e të tjerë. Arkitektura e saj e të tjera përbëjnë thesarin e kulturës bektashiane, kulturës kombëtare shqiptare dhe asaj botërore. Ky institucion bektashian, për shekuj me radhë, ishte edhe shkollë e përgatitjes së klerikëve. Ajo ka dhe rolin historik në këtë hapësirë gjeografike, pasi kontribuoi dhe kontribuon shumë zhvillimit, në shumë sfera të jetës, kulturës dhe arsimit.
Viti 2023 është i 485 vjetorit të themelimit të saj.