PËRKUJTOHET 50 VJETORI I REVOLTËS SË BURGUT TË SPAÇIT

U përkujtua sot, më 21 maj 2023, 50 vjetori i revoltës së të burgosurve politikë të ish burgut të Spaçit, revoltë e cila tronditi regjimin komunist të kohës dhe u shoqërua edhe me revoltën e të burgosurve të ish burgut të Qafë Barit. Revolta e Spaçit u shtyp me dhunë nga regjimi i kohës, i cili pushkatoi 4 nga pjesëmarrësit e revoltës si dhe ridënoi 80 të tjerë. Në ceremonitë kushtuar revoltës së Spaçit ishte i pranishëm edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj; krerë të besimeve fetarë në Shqipëri, ambasadorë, drejtues vendorë, personalitete të njohura, qytetarë të shumtë etj.
Përkujtimi i 50 vjetorit të revoltës së ish të burgosurve politikë të burgut famëkeq të Spaçit nisi sot me pelegrinazhin përgjatë kilometrit të fundit të rrugës për në ish burgun e braktisur prej 32 vitesh, organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ceremonitë përkujtimore u organizuan nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës, në bashkëpunim me një numër institucionesh dhe organizatash që punojnë në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Duke folur në ceremoninë e organizuar në ish burgun e Spaçit, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ndër të tjera u shpreh: “Në emër të Zotit Mëshiruesit , Mëshirëbërësit!
Të nderuar organizator e të ftuar në këtë event me rëndësi,
Ju falenderoj për ftesën, dhe rëndësinë që i jepni religjionit dhe historisë së vështirë nëpërmjet së cilës feja ka kaluar. Sivjet përkujtojmë 50 vjetorin e Revoltës së Spaçit , përkujtojmë gjithashtu, masakrat, internimet, denigrimet e përndjekjet e vazhdueshme që i janë bërë jo vetëm klerit por edhe besimtarëve që predikonin fenë.
Revolta e të burgosurve të Spaçit, e cila njihet si “Revolta e Spaçit”, është një nga dëshmitë më të ndritshme për qëndresën e popullit shqiptar ndaj diktaturës komuniste, pavarësisht izolimit dhe heshtjes që e mbuloi deri më 1991. Në vijim po japim një historik të shkurtër të saj.
Përfundimi i revoltës ishte tragjik. Policia dhe ushtria e shtypën atë me dhunë. Më 23 maj, ajo mori fund. Nga të burgosurit u ekzekutuan katër persona dhe u ridënuan, me burgime të ndryshme, rreth 80 të tjerë. Të ekzekutuarit ishin: Dervish Bejko, Hajro Pasha, Pal Zefi, Skënder Daja.
Në këtë ditë të sotme do të doja të përkujtoja gjithashtu edhe dhjetra klerikë bektashinjë, të persekutuar, me damkën e përbuzjes nga qeveria komuniste,si “armik” i popullit, e që më pas kjo do të çonte në çmendurinë e rradhës në krijimin e Muzeut të parë “Ateist” në Botë, të pa dëgjuar në historinë e njerëzimit, muze ku përqesheshin, e përbuzeshin, figura të larta e mëndjendritur të klerit Shqiptarë, që aq shumë kontribuan për patriotizmin, atdhedashurinë, vlera të familjes dhe shoqërisë Shqiptare. Televizioni kombëtar dhe Kinostudio u përdorën si një mjet i rëndësishëm për të propaganduar ateizmin , e për të ngulitur në mëndjen e shqiptarëve gjuhën e urrejtjes ndaj komuniteteve fetare, klerikëve e shenjtorëve që sbënin gjë tjetër veçse përcillnin vlera e dashamirësi mes njerëzve.
Me dhjetra klerikë u vranë, një pjesë u persekutuan e internuan ndër ta përkujtojmë sot Kryegjyshët:
 Sali Njazi Dede, i vrarë në vitin 1941
 Dede Abazi. Vetvritet në vitin 1947.
 Dede Kamberi. Në vitin 1945, dënohet 15 vjet burg. Ndërroi jetë në burgun e Tiranës, në vitin 1950.
 Dede Ahmeti. Në vitin 1958 internohet 10 vjet në Drizar të Mallakstrës.
 Dede Reshat Bardhi. Në vitin 1958 internohet 10 vjet në Drizar të Mallakstrës.
 Baballarë, dervishë të burgosur, të pushkatuar, të internuar.
 Të vrarë gjatë Luftës II Botërore e më pas gjatë komunizmit:
 Baba Murati i teqesë së Frashërit, vrarë në vitin 1943.
 Baba Zylfua i teqesë së Turanit Korçë, vrarë në vitin 1943.
 Baba Femiu i teqesë së Vrëpckës Korçë, vrarë në vitin 1944.
 Dervish Ali Koçiaj, vrarë në vitin 1944.
 Të pushkatuar dhe të vetëvrarë:
 Baba Qamil Gllava, pushkatohet në vitin 1945.
 Baba Xhelo Gllava, ekzekutohet në vitin 1946.
 Baba Ali Tomorri, i teqesë së Zallit, ekzekutohet në vitin 1947.
 Baba Habibi, pushkatohet në vitin 1948.
 Baba Shefqet Koshtani, pushkatohet në vitin 1948.
 Baba Bedri Carkanji, i teqesë Brerim, Skrapar, ekzekutohet në vitin 1948.
 Baba Mustafa Canaj, arrestohet në vitin 1944. Dënohet me burgim të përjetshëm dhe ndërroi jetë në burg, në vitin 1952.
 Baba Myrteza Paja, arrestohet në vitn 1947. Vetvritet.
 Baba Hajro Progonati, vetvritet.
 Baba Mehmeti i Kreshovës, vetvritet.
 Baba Bektash Sevasteri, vetvritet.
 Të burgosur e të vdekur nëpër burgje:
 Baba Muçua i Prishtës, vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1950.
 Baba Samiu i Kulmakut, vdiq në internim.
 Baba Bajram Mahmutaj, dënohet me 15 vjet burg dhe 30 vjet internim.
 Baba Paja ,Tomorricë, burgosur.
 Baba Ilmiu, Tomorricë, burgosur.
 Baba Halim Therepeli, burgosur.
 Baba Mehmeti, i Teqesë së Frashërit, burgosur.
 Baba Sulua, Kryegjyshatë, burgosur.
 Baba Islam Leskoviku, burgosur.
 Baba Abdulla Kruja, burgosur.
 Dervish Hysni Rehova, burgosur.
 Dervish Nebiu Shënepremtja, burgosur.
 Dervish Tashja (Isufi), burgosur.
 Dervish Bajram Çerçizi, burgosur.
 Dervish Hysniu, burgosur.
 Dervish Meta Vërleni, burgosur.
 Baba Hilmi Shëmbërdhenji, arrestohet në vitin 1946, dënohet 15 vjet burg.
 Baba Sami Kamthi, dënohet me 15 vjet burg dhe internim.
 Baba Halem Hoxha në vitn 1948, dënohet një vit, konfiskim monedha ari.
 Baba Dule Manaj në vitn 1947,dënohet tre muaj, konfiskim 529 dollarë.
 Baba Tahir Kuçi dënohet një vit burg, 10000 fraga ari gjobë dhe konfiskim 2400 fraga shqiptare.
 Dervish Teki Plashniku, burgosur.
 Gjysh Rustem Melçani, burgosur.
 Dervish Ali Korça, burgosur.
 Baba Jonuzi i Greshicës, burgosur.
 Baba Qazimi i Devollit. burgosur.
 Baba Muharrem Agushi, Kreshova, burgosur.
 Baba Ismail Jangulli.
 Të internuar:
 Baba Selim Kaliçani, internuar.
 Baba Shabani, internuar.
 Baba Sherif Canometaj, internuar.

Ashtu sikundër në librin Mistiçizma Islame dhe Bektashizma e Baba Rexhebit , klerik bektashi që ka shërbyer në Detroid Michigan, shkruan… “vepër dedikuar klerikëve të të gjitha feve në Shqipëri, që u bënë fli për lirinë dhe pavarësinë e saj, si edhe klerikëve që u torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist, sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare dhe kombëtare”.
Pasi mbaroi lufta në të cilën klerikët dhanë kontributin e tyre të paçmuar në mbrojtjen e vatanit dhe patriotizmin për të ardhmen e Shqipërisë dhe brezave që do të vinin , komunistët erdhën së bashku me shkatërrimin e tyre … klerikët tanë të fesë u pushkatuan … u burgosën …u internuan, e u denigruan ”
Dede Kamber Prishta në postin e Kryegjyshit Botëror Bektashi në vitin 1945, dënohet 15 vjet burg. Ndërroi jetë në burgun e Tiranës, në vitin 1950.
Dede Ahmet Myftari, që e pasoi, e mbante postin e Kryegjyshit Botëror në kohën e diktaturës, në vitin 1958, por si rezultat i presionit nga partia-shtet, u detyrua të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte vitet e rënda të internimit bashkë me Dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës , duke bërë punë të rëndomta e u zhvesh në mënyrë të pakuptimtë nga uniforma e shenjtë e nga petku i klerikut bektashi. Vuajtjet e tyre kanë qenë të njëpasnjëshme si një kalvar sakrificash në emër të Zotit, duke mbajtur të fshehur besimin dhe predikime të ceremonive fetare mes besimtarëve. Në këto kushte, Teqeja e Drizarit, u shndërrua në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ndërroi jetë në 10 korrik 1980.
Kontributet e tij në emër të besimit në Zot, e ndaj besimtarëve kanë qenë të vyera, kështu në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar dhe nën kujdesin e tij u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetra libra për bektashizmin. Ai u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Mori pjesë në disa Konferenca Ndërkombëtare për Paqen.
Vuajtjet e këtyre burrave ishin një rezultat i luftës së zhvilluar ndaj klerikëve të të gjitha feve nga Partia e Punës e udhëhequr nga Hoxha nën sloganin “Feja është opiumi i popullit” – një citim i adaptuar nga shkrimet e filozofit komunist Karl Marks. “Feja është opiumi i popullit. Ne duhet të bëjmë çmos që të gjithë ta kuptojnë këtë, madje edhe ata që janë helmuar (të cilët nuk janë të pakët në numër). Ne duhet t’i shërojmë ata. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as e pamundur,” thuhej në deklarata propagandistike.
Në vitin 1976, Partia e Punës madje e shpalli Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, duke vendosur ndalimin e besimit fetar në kushtetutë dhe vendosjen e dënimeve për pjesëmarrje në ceremoni fetare dhe posedim të librave fetarë. Ndërkohë, inkurajohej besimi te Hoxha, komunizmi dhe partia.
Nëpërmjet një sistemi të mirëorganizuar propagande, përfshirë nëpër media dhe filma, shteti diktatorial i denigroi klerikët, duke i shënjestruar ata si të prapambetur, ndikues negativë në shoqëri, agjentë të lidhur me Perëndimin, apo edhe anëtarë të rrezikshëm të grupeve të armatosura që kërkonin të merrin pushtetin me forcë.
Por, përkundër angazhimit të shtetit për shkatërrimin e institucioneve fetare, djegien e librave të shenjtë, burgosjen dhe ekzekutimin e priftërinjve , imamëve, baballarëve e dervishëve disa familje shqiptare vazhduan të praktikonin besimin e tyre në fshehtësi edhe pse, si të ashtuquajtur “armiq të popullit”, kjo vuri në rrezik jetën e tyre. Në ato vite u mbyllën rreth 530 tyrbe dhe teqe. Trashëgimia kulturore dhe historike u shkatërrua së bashku me to. Neni 37 i kushtetutës deklaronte: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet dhe zhvillon propagandë ateiste për të përfshirë njerëzit në botëkuptimin shkencor materialist.”Ndërkohë, neni 55 ndalonte krijimin e ndonjë organizate me karakter fetar.
E në përfundim, dua të them se, historia duhet të përkujtohet, e duhet që gjeneratat e besimtarëve të rinj të dinë sakrificat që u janë dashur klerikëve të mbijetojë (disa prej tyre) e të kishin fuqinë e rindërtimit, ashtu sikundër Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, të ringrinte nga hiçi besimin bektashi e të rindërtonte dhe një herë të gjitha faltoret e objektet e kultit bektashi, të cilat ende po vazhdojmë ti ndërtojmë , restaurojmë e rindërtojmë, me qëllim që njerëzit në të mirë e në të keq tju drejtohen vendeve të Shenjta , sepse vetëm ato e dinë hallin e problemet që ata kanë.
Duke ju falenderuar për vëmendjen!
Zoti ju bekoftë! Amin! “