Paraditen e së mërkurës, 17 janar 2024, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, u zhvillua vemrimtaria që përmblidhte tri evenimente: 556-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë, të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; përvjetorin e pushkatim, të baba Ali Tomorrit & baba Shefqet Gllava dhe; promovimin e kolanës “Baba Ali Tomorri”, përgatitur nga botuesi e publicisti, Mehmet Gëzhilli.
Ky aktivitet u realizua nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, si bashkëpunim i Selisë së Shenjtë Bektashiane, me Akademinë e Shkencave.
Merrnin pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj; nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi; drejtues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë e përfaqësues të lartë të besimeve të tjerë fetarë; akademikë, teologë, studiues, historianë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë; shkrimarë, përfaqësues të medies etj..
Fillimisht, të pranishmit ndoqën Himnin Kombëtar të Shqipërisë dhe Himnin Bektashian.
Aktivitetin e moderoi, akademik Pëllumb Xhufi, i cili prezantoi dhe objektin e aktivitetit. Në vijimësi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, pasi përshëndeti të pranishmit, mbajti kumtesën kryesore.
Pastaj, përshëndetën e kumtuan rreth objektit të veprimtarisë: Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës; Sadik Bejko, shkrimtar e studjues; Prof. Bardhosh Gaçe; Profesor Begzat Baliu, nga Kosova; Bashkim Koçi, publicist dhe studjuesi Mehmet Gëzhilli, botues i kolanës “Baba Ali Tomorri”.
Në përfundim, Dede Edmond Brahimaj, shpërndau ‘Mirënjohje’, për disa personalitete që kanë kontribuar për Bektashizmin.
Pjesë e këtij aktiviteti, ishte dhe ceremonia e vendosjes së një kurore, tek shtatorja e Skënderbeut, në Kryeqytet, nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
PËRSHËNDETJA DHE KUMTIMI I KRYEGJYSHIT BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Në emër të Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit,
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, Z. Gjinushi , mikpritës i këtij eventi,
Të nderuar pjesmarrës , akademikë, studiues , kërkues shkencor kontribues në këtë event, klerikë e përfaqësues të Komuniteteve fetare,
Të nderuar besimtarë, miq e dashamirës të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Jam tejet i nderuar që jeni pranë nesh në këtë ditë të shënuar fillim viti , të cilat i kemi përqëndruar në figura të ndritura të bektashizmit por edhe të gjithë shqiptarëve , kontributi i të cilëve ka qenë i paçmueshëm, dhe prej të cilëve pavarsisht kohës në të cilën kanë jetuar ende duhet mësuar. Hulumtimet e kërkimet shkencore për Heroin tonë Kombëtar janë të panumërta por çmoj që si pjesë e armatës së Jeniçerëve , idhëtarëve të prijësit tonë Haxhi Bektash Veliut , vendosi përpara çdo gjëje patriotozmin e besnikërinë ndaj lirisë së atëdheut. Diviza e shtrenjtë e Bektashizmit “pa atdhe nuk ka fe” ishte si një amanet për Të, pikërisht nga babai bektashi e udhëheqësi i tij shpirtëror prej të cilit mori dorë e u bë udhëheqës i ushtrisë së Sulltan Muratit. Këtë e vërteton më së miri kleriku patrioti Fan Noli, në një nga shkrimet e tij dedikuar vlerësimit të kolosit shqiptar, Ali Pashë Tepelena e Gjergj Kastriot Skënderbeut kur thotë: “Tamam 400 vjet pastaj, si Gjon Kastrioti, Ali Pashë Tepelena porosit baballarët bektashinj t’i luten Perëndisë për shpëtimin e tij në teqe dhe ta zgjojnë të lartin që e harroi Shqipërinë” .
Besnik, trim, patriot e atdhedashës e kujtojmë sot në 556 vjetorin e kalimit nga jeta këtë hero i cili i la botës si dëshmi për më shumë se pesë shekuj, që një njeri i vetëm, i frymëzuar dhe i mbështetur nga një popull guximtar dhe liberator mund të ndryshojë rrjedhën e historisë jo vetëm të një kombi por të mbarë qytetërimit perëndimor. Statujat, Klerikët e udhëheqësa shteti në mbarë botën, vetë Jeniçerët luftëtarë me të kanë shkruar për trimërinë e tij, dhe historia përherë do të flas për të.
Kujtojmë sot 103 vjetorin e Kongresit të parë të Bektashinjve në Prishtë, një ngjarje me rëndësi në historinë e bektashizmit. Vendimet e këtij Kongresi, krijuan një bazë të fuqishme për shtrirjen e këtij besimi të paqtë, funksionimin organizativ të tij dhe rritjen e rolit të klerikëve si predikues shpirtëror tek besimtarët, rritjen e besimit në Zot dhe forcimin e ndjenjës atdhetare.Në Kongresin e parë, Këshilli Atnor Bektashian vendosi Autoqefalinë , bektashinjtë ishin të parët që shkëputën lidhjet e drejtimit nga jashtë.
Nga ky Kongres me rëndësi të veçantë do të doja të nënvizoja disa elementë e prime që edhe sot Bektashizmi i ruan e do ti “trashëgojë” me fanatizëm edhe në brezin e klerikëve të ardhshëm.
LIDHJA BEKTASHIJANE STATUTI I KONGRESIT TË PERGJITHSHËM (4/17 Janar 1336/1921)
1.-Për administrimin fetar të teqeve Bektashi të Shqipërisë e për të mbajtur regullimin e grupit klerikal Bektashjan,kongresi i Prishtës i dha fuqi kryesimi “Këshillës Atnore”q’u formua prej Gjysh Ahmet Baba Turani,Gjysh SulejmanBaba Gjinokastra;prej Atërvet Ahmet Baba Elbasani,Xhemal Baba Përmeti,Mustafa Baba Frashëri,Kamber Baba Prishta,Hajdar Baba Turani
Korca. – Kontributi i hedhjes së themeleve të bektashizmit në Shqipëri është i paçmueshëm e një vlerë e lartë për religjionin në Shqipëri.
2.-Mënyra e administrimit dhe kryesimit të Këshillës Atnore e mban “Ligji i Përjetshëm Bektashi”. Lidhja Morale me Prindin e Bektashive, në teqen e madhe të Haxhi Bektashi Veliut(Engjyri-Asi e Vogel )për dorëmarjen e Virgjinisë(erqani terxheryt)Varfet dhe për gyshërie (Alifellek) Atet;kjo lidhje ngelet e pa prerë.- E kur Qëndra Botërore e Bektashizmit u vendos në Shqipëri , absolutisht të gjitha lidhjet me shtete të tjera ku ekziston bektashizmi ngelen të paprera, përfshi këtu marrjen dorë apo futjen në rradhët e klerikëve bektashinj që duhej bërë ku ishte Qëndra Botërore, kushtet për të qenë pjesë e armaturës klerikale të dervishëve( kusht kryesor jo martesa ).
3.- Mësonjëtorja Bektashiane: Kongresi dha vendim te themelimit të Mësimores Bektashiane në teqe të Sukës, ku u shënua dhe qëndra e Këshillës Atënore. Kjo do të jetë Stervitore për Varfe e pregatitore për ata që do të bëhen Varfe. Administrimi i Mësimores mbetet në kujdes të një Komisioni Arësimtar që shënon Keshilla Atënore – Shkollimi i klerit bektashi ka qenë një kusht me rëndësi të lartë për tu bërë më pas ndihmës të njerëzimit në besim e afrimin me Zotin, veçori e cila mbetet detyrë e jona sot.Arsimimi në gjuhën amëtare ishte e mbetet thelbësor.
4.- Pasuritë (mylqet) të teqeve Bektashiane janë të lidhura në kujdesin e Këshillës Atënore . Sigurimi i këtyre mylqeve,mbushen me marëveshjen e Këshillës Atënore dhe Qeveris, d.m.th. Këshilla Atënore mbron pasunien e c’do teqeje Bektashi të Shqipërisë nga ç’do far keq përdorim ose ç’do far ndërhyrje të lakmuesve të përjashtmë, me këtë nyj kongresi rëzon fuqiplotësisht ç’do ndërhyrje Verathet e Mytevel-lilleket që ësht vepruar padrejtësisht në teqe që në kohën e Turqies.- Ky Kongres solli shkëputjen përfundimtare nga Turqia e pavarsinë ekonomike nga çdo ndikim i jashtëm , veçori për të cilën Kryegjyshata Botërore Bektashiane krenohet sot, sepse pavarsia ekonomike për ne sjell çdo lloj pavarsie e ndikimi të jashtëm.
5.- Kongresi duke mbeshtetur Shtabin klerikal Bektashi, nën mbrojtësien e Qeverisë Shqiptare, Këshilla Atënore urdhëron gjithë Baballarët të përdorin lutje në gjithë faljet për Shtetin Shqiptar e për kombin.- Lutjet në gjuhën shqipe e për Shqipërinë e Shqiptarët pa dallim besimi , ishte një tjetër veçori që karakterizon parimet e Kongresit të parë , lutja në gjuhën amëtare të jetë e kuptueshme nga besimtarët e bën këtë tarikat edhe më konkret, të pranueshëm nga besimtarët , mistik e mbi çdo gjë patriotik nga pikpamja e atëdhedashurisë.
6.- Baballarët janë të pyetshme kundrejt Këshillës të veprojnë pas gojadhanës së përkthyer në gjuhë amtare prej Komisionit të posaçmë d.m.th. ky është hap i parë që Bektashizmi e provon se feja predikohet në gjuhë amtare .- Çdo klerik ishte i detyruar të përkthente, historikun e bektashizmit, çdo lutje, predikim , nefese këngë mistike bektashiane në gjuhën shqipe , e këto veçori tregojnë shkëputjen në çdo nyje që e lidhte bektashizmin me Turqinë , e që historia me fakte tregon se bëri çmos për ta asgjesuar me çdo mënyrë.
Flasim sot në kohë të ndryshme, me ndryshime të mëdha globale, e klerikë të tjerë, por rregullat e këto vendime për ne janë të njëjta. Kryegjyshata Botërore Bektashiane i qëndron me përpikmëri divizës “ Pa atdhe nuk ka fe” e për bektashizmin e Kryegjyshatën Botërore Bektashiane , Shqipëria ka qenë dhe ngelet një shtet mikpritës , e nga ana tjetër Shqipëria duhet të krenohet me figurat e pavdekshme e kontributin e klerikëve bektashinj ndër vite.
Nismëtarë e përkrahës të parimeve me të cilat ne jetojmë sot është Baba Ali Tomorri e Baba Shefqet Gllava . E përkujtojmë sot Baba Ali Tomorrin si një nga organizatorët kryesorë të tre Kongreseve Bektashiane: Kongresit të Parë Bektashian që i zhvilloi punimet në Prishtinë, ku ishte edhe selia e parë e teqesë së tij(në 1922). Kongresit të Dytë që u mbajt në Gjirokastër, më 1926 dhe Kongresit të Tretë në Turan të Korçës, me 1929.
Martirët e fesë në Shqipëri nuk janë vetëm ata të shekujve të largët, që në gjithë botën kujtohen me nderim, duke pasur ditë të veçanta në kalendarët fetarë dhe ndërtesa kulti me emrin e tyre, e përkujtimore si kjo e sotmja. Në Shqipëri, regjimi komunist martirizoi shumë klerikë jo më larg sesa shekulli i kaluar. Një prej tyre është edhe Baba Ali Tomori. Veçse klerik, me një kontribut të çmuar në konsolidimin e bektashizmit në Shqipëri, Baba Ali Tomori ishte edhe një intelektual, publicist, historian e poet si dhe patriot i shquar i kohës së tij.
Baba Ali Tomori (Ali Abaz Skëndi) studioi në Kozan të Greqisë, ku babai i tij ishte nëpunës. Në vitin 1913, kthehet në atdhe dhe shërben si klerik në teqenë e Prishtës, ku kryen një aktivitet të madh patriotik, duke mbajtur lidhje me qeverinë e Ismail Qemalit dhe gazetën e saj “Përlindja e Shqipërisë”. Mbas ngjarjeve të vitit 1914, merr rrugën e mërgimit dhe vendoset në Kajro të Egjiptit, ku bie në kontakt me shoqëritë patriotike të atjeshme dhe studion letërsi dhe teologji islame. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja (arabe, turke dhe frënge), ai zinte vend të nderuar në radhët e elitës intelektuale të kohës. Në vitet 1921-1923 botoi gazetën “Reforma”, e cila propagandonte idetë e rilindjes kombëtare dhe tolerancën fetare. “Reforma” pasqyroi kongresin e parë bektashian të Prishtës dhe kongresin kishtar ortodoks të Beratit. Intelektual me kulturë të gjerë dhe klerik patriot Varf’Ali Prishta mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit dhe foli në ceremoninë e rastit. Përveç se klerik dhe publicist, ai ishte edhe poet i talentuar. Firmën Varf’Ali Prishta e mbajnë disa nga poezitë më të mira të botuara në shtypin e kohës.
Disa nga veprat e tij janë “Histori Bektashiane”, “Literatura e Bektashinjve”, “Bektashinjtë e Shqipërisë” – një libër në prozë dhe vjersha, “Nefese dhe Gazele bektashiane”, “Flamurit të Shqipërisë”, poezi etj. Shumë nga krijimet e baba Ali Tomorit u botuan në gazetat e kohës.
Ali Tomori u dekretua baba pas Kongresit të Prishtës. Ai u ngarkua të kryesonte teqenë e Tomorit. Ai mbeti paralelisht i angazhuar me çështjen kombëtare. Baba Aliu përkrahu luftën kundër pushtuesve duke pritur e përcjellë në teqe besimtarë e luftëtarë, pa bërë dallime politike. Ai mori pjesë drejtpërdrejt me armë në dorë, për të luftuar krah për krah me bashkatdhetarët kundër nazi-fashizmit. Mbledhja e Komitetit Qarkor për Beratin, e mbledhur në datat 2-3 të muajit gusht të vitit 1943, e zgjodhi baba Ali Tomorin (Prishta) anëtar të Shtabit të Ushtrisë së Qarkut të Beratit. Baba Ali Tomori ishte kundër vëllavrasjes dhe e shprehu qëndrimin e tij publikisht dhe me këmbëngulje. “Në fjalën e mbajtur në mitingun e Beratit, më 22 dhjetor 1943, dënoi luftën civile dhe terrorizmin, duke u bërë thirrje shqiptarëve të bashkoheshin për të shpëtuar atdheun. Fjalët e tij duken me vlerë për çdo kohë: Përmbi varret e dëshmorëve ka mbirë bar/ Njihet gjurma e gjakësorëve përmbi çdo varr/ Por gjer kur ne, o të mjerë, e po gjer kur/ Pa bashkim si komb i ndarë e gur mbi gur?/…Ju shqiptarë ç’jeni, vëllazëroi/ Zili e nakar mos kini po forcohi/ Po bashkohi të dënoni terrorizmin/ Se kështu do t’a shpëtoni shqiptarizmin”, shkruan Sadiku. Figura e Baba Ali Tomorit si krijues, gazetar e shkrimtar ishte bërë e njohur dhe vlerësohej në mbarë vendin. Ai u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, që u krijua në vitin 1946. Por shumë shpejt, komunistët në pushtet u kthyen kundër tij duke e arrestuar .Fjalët e fundit të Baba Ali Tomorit ishin “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!”
Si një klerik mistik i dërguar nga Zoti për të shkruar pjesën e tij të historisë për Shqipërinë e bektashizmin edhe nën urdhrin para pushkatimit të tij ai shprehet: “Ngrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. :- Iu drejtua ai ushtarit të togës së pushkatimit që i ra të fikët pasi nuk donte të qëllonte mbi të, më 14 janar 1948: “Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut….”
Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
– Do të të heq taxhin Baba:- Eshtë dervish Resuli që i flet,
– Hiqe bir! – Ja kthen babai
Dervishi u ul, Ai i puthi këmbët.
– Falmë Baba!
– Të kam falur bir!
– U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!
– Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!“
Ishte veçantia e këtij njeriu që edhe në prag vdekje nuk u bë si ata zemra e të cilëve është e mbushur me frikën e vdekjes, qajnë dhe luten edhe për pak kohë për ta jetuar përsëri jetën e tyre në një mënyrë tjetër. Këndoi këngën e tij të vdekjes si një mistik dhe ndërroi jetë si një hero.
Të flasësh për Baba Ali Tomorrin është si të flasësh për një gur të rëndë themeli e xhevahir për bektashizmin e kontributin për Shqipërinë e shqiptarët e fjalët për të s’mjaftojnë. Edhe pse e përkujtojmë veprën e Tij sot bashkarisht , për të do të ishte tepër me vlerë shprehja ‘Nuk me nxe Mua as qielli im dhe as dheu; mè nxè vetem zemra e besimtarit te bindur. ” Ai jeton ende në zemrat e bektashinjve.
Përgëzime në këtë ditë pa dyshim i shkojnë edhe studiuesit e botuesit Mehmet Gëzhilli për punën me përkushtim e të palodhur në botimin e kolanës me 3 vëllime të Baba Ali Tomorrit. Vëllime që do të zbulojnë brendinë e shpirtit të këtij kleriku famëlartë, mistik, patriot e shkrues i një pjese tepër të veçantë në historinë e Shqipërisë. Falenderues njëkohësisht për marrveshjen e lidhur me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë , e inkurajimin për bashkëpunime të mëtejshme në kuadër të eventeve me rëndësi të lartë si ky i sotmi në përkujtim të këtyre njerëzve të mëdhenj e që do ti quaja heronj. Sepse në thelb heronjtë e vërtetë janë njerëz në dukje të zakonshëm por që gjejnë forcën për të këmbëngulur dhe duruar pavarësisht pengesave dërrmuese e që bëjnë vepra të jashtëzakonshme në kohë të vështira.
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!
REFERENCA
1. Zenel Anxhaku, Gazeta “Ndryshe”, “Alı Pashë Tepelena dhe Bektashizmi”, Nr.63, Tiranë, Botım i Gazetës, datë 22.07.2007, fq. 18;
2. Fan Noli “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston 1921;
3. Lidhja Bektashiane 4-1-921 Statut i Kongresit të Përgjithshëm i Baballarëve Bektashi në Teqe të Prishtës 4/17 Janar 1336/1921;
4. Kolana me tre vëllime Baba Ali Tomorri shtepia botuese Argeta, 2023;
5. Historija e përgjithëshme e bektashinjvet prej Atë Ali Tyrabiut S.N. i teqes’ së Tomorit. Shkruar në pjesa spirituale dhe dokumentale. Tirana: Mbrothësia 1929;
6. Gëzhilli, Mehmet (2018). “Baba Ali Turabiu, bektashiani i madh atdhetar”. zgjohushqiptar.com.al.
7. Elsie, Robert. “Der Islam und die Derëisch-Sekten Albaniens” (në gjermanisht).