Përkujtohet sot, 7-vjetori i ndarjes nga jeta, i baba Shaban Dervishit. Shaban Ram Dervishi lindi në vitin 1933, në Gjon të Martaneshit, në një familje të njohur të kësaj treve, me tradita të njohura bektashiane. Ai u rrit me vëllezërit Ali, Hysen, Riza dhe dy motrat. Prindërit e tij shkonin shpesh në teqenë e Martaneshit si dhe për pelegrinazh në Ballenjë. Shabanin, në rininë e tij, do e gjeje pranë teqeve në zonën e Dibrës, Elbasanit e gjetkë. Në rininë e tij, ai u bë myhib në teqenë e Zerqanit, nga baba Selim Kaliçani. Një ndihmë të madhe i dha në njohuritë bektashiane, Hajdar Sula besimtari më i vjetri në këtë zone dhe njeri i ditur. Internimi i familjes së tij në Berat, bëri që të provoj shtypjen e kërcënimin dhe, të përballet me pengesa të mëdha në udhën e nisur. Pas kthimi nga internimi, ai vazhdoi rrugën tek besimi. Në këtë periudhë, mësoi shumë, në teqenë e Elbasanit, nga baba Ali Porodina. Dëshira dhe mësimet që mori nga baba Aliu, i ndezën më tej pasionin e vendosmërinë për të ndjekur këtë rrugë dhe në vitin 1956, kur ishte 22 vjeç, vishet dervish. Baba Aliu e dërgoi dervishin e ri, në teqenë e Bllacës, të shërbente tek baba Xhemal Selca. Këtu dita-ditës e muaj pas muaji, mësoi shumë, mes të tjerave dhe historitë e dervishëve dhe baballarëve.
Por nuk qe e thënë, peripeci të tjera do vinin për ‘të… Një ditë vjeshte të vitit 1958, baba Xhemalin e thërresin në Komitetin e Partisë të Peshkopisë dhe i japin ultimatum, që dervish Shabanin ta largonte nga teqeja e Bllacës se paraqiste rrezikshmëri politike. Ky urdhër fatal, degdisi dervish Shabanin në punëtor krahu, në Ndërmarrjen Rruga-Ura, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan, kalvar që vazhdoi nga viti 1958, deri në vitin 1991. Në këtë hark kohor, në vitin1973, e thirrën organet e sigurimit ku i numëruan qëndrimin e papajtueshëm të familjarëve të tij dhe për këtë, e çojnë të punoj në kooperativën bujqësore të Martaneshit. Por Shabani, nuk u ligështua, pasi shpirtin dhe zemrën e kish atje te teqeja, te Zoti dhe asnjëherë nuk e hoqi nga mendja bindjen tek udha e Haxhi Bektash Veliut.
Pas ndryshimeve të vitit 1990, e gjejmë Shabanin të veshur klerik, ndër të parët, në ringritjen e objekteve të kultit bektashian përkrahë Dede Reshat Bardhit, baba Selim Kaliçanit, baba Barjamit, baba Nekiut, baba Sherifit etj. Me përkushtim punoi së bashku me baba Selim Kaliçanin në rihapjen e teqesë së Martaneshit dhe teqeve në Krujë. Me propozim të baba Selimit, nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Dede Reshat Bardhi, ai u dërgua në drejtimin e teqesë së famshme Sari Salltikut në malin e Krujës. Për një periudhë të shkurtër, Sari Salltiku u rikthye në gjendjen e mëparshme dhe oborri i teqesë, mbushej çdo ditë me besimtarë dhe pelegrinë që vinin jo vetëm nga Kruja,Tirana dhe Durrësi, por nga gjithë Shqipëria.
…Në shkurt të vitit 1994, baba Shabani, bëri haxhin në Mekë. I mrekulluar, iu lut Zotit ditë dhe natë, pa mrekullinë dhe mori frymëzim për tërë jetën.
Në vazhdim, ai shërbeu në teqenë e njohur në Maline Tomorrit. Me dashuri të zjarrtë, (në vitet 1994 – 2002), ringriti teqenë e Kulmakut, tyrben e Abaz Aliut dhe të dervish Iliasit. … Në shtatorin e vitit 2013, ai u ngarkua të shërbej në teqenë e Dervish Shabanit, në qytetin e Krujës.
Haxhi Baba Shaban Dervishi ndërroi jetë në 22 shtatorit 2014. Nderimi për të ishte i madhe, në respekt të kësaj figure të shquar të bektashizmit. Me kujdesin dhe respektin e veçantë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj drejtoi ceremonialin e përmortshëm, me të gjitha rregullat.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAI