Më 5 prill 2023, mbushen 73 vjet, kur u nda nga jeta, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Kamber Prishta. Kjo ditë, u përkujtua me ritet tradicionale bektashiane dhe aktivitete të tjera, në Selinë e Shenjtë, si dhe në Gjyshatën e Skpararit, ku ai ka punuar (teqenë e Prishtës), shumë vite. “…Dede Kamberi, ka një rol të rëndësishëm në shtrirjen e bektashizmit në Shqipëri, sidomos në trevat e Jugut. Veçanërisht, pas Kongresit të Prishtës, roli i tij pati dimensione të tejra si klerik. Përkujtimi i ndarjes së tij nga jeta, është vlerësim për personalitete të bektashizmit…”- pohon m,es të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi dede Edmond Brahimaj.
Dede Kamberi, lindi në vitin 1870, në një familje bektashiane. Babai dhe nëna, ishin myhib në teqenë e Frashërit, që nga themelimin e saj, nga i shenjti Nasibi Tahir Babai. Dy xhaxhallarët dhe babai i Kamberit, kanë qenë dervishë në teqenë e Frashërit, por, meqë familja kishte shumë nevojë për të përballuar punët e bujqësisë, babai, Mehmeti, u emërua dervish nderi dhe u lejua të martohej. Xhaxhallarët vijuan të shërbenin deri në fund si dervishë. Njëri prej tyre, dervish Kasoja, pati fatin të qëndronte në teqe, kur atë e drejtonte i madhi baba Alushi, i cili, siç dihet, priste e përcillte patriotin rilindës, Abdyl Frashërin. Pas vdekjes të dervish Kasos, të cilin Kamberi e kishte patur atin e tij shpirtëror, mori përsipër që traditën bektashiane, ta çonte më tej. Ishte viti 1910 kur shoqëroi për në Haxhi Bektash të Turqisë, Ahmet Turhanin dhe baba Sulejmanin e teqesë së Gjirokastrës. Dervish Kamberi në këtë udhëtim, përveç Turqisë, vizitoi Sirinë dhe Libanin, nga ku mori përvojë të vyer si bektashi. Ai u kthye në Atdhe në vitin 1911, pikërisht, kur kish filluar lëvizja kombëtare. Në teqenë e Frashërit, baba Kamberi punoi me përkushtim për të ruajtur traditën bektashiane. Pushtimi i Shqipërisë së Jugut nga andartët grekë, e gjeti si muhaxhirë, bashkë me dhjetëra e qindra familje të tjera, në ullishtet e Vlorës. Aty u bë pjesë e ndihmëtarëve për popullatën e mbetur në mes të katër rrugëve. Nga sëmundja e kolerës, familja Meço humbi 13 anëtarë. Sapo filloi Lufta e Dytë Botërore, dervish Kamberi mori rrugën për në SHBA, me synimin për të mbledhur ndihma për ringritjen e teqeve të shkatërruara e të djegura nga lufta. Sipas dokumenteve, dervish Kamberi është pritur mirë nga drejtuesit e Federatës “Vatra”, Konica dhe Fan Noli. Ka qenë fundi i vitit 1920, kur ai takohet me Mit’hat Frashërin dhe, erdhi në Shqipëri. Sapo arriti në Shqipëri, mori lajmin se ishte caktuar delegat, si pjesëmarrës në Kongresin Bektashian, që mbahej në Prishtë. Mbas vdekjes së baba Hysenit, ai mori drejtimin e teqesë së famshme të Prishtës në Skrapar.
Gjithçka, sidomos në shtimin e pemëtarisë, vreshtave, mollë, rrush, qershi, dardhë, kumbulla, fiq, mëna etj, u krijua pas ardhjes së baba Kamberit. Çdo ditë në teqe punonin mbi 15 fshatarë dhe 25 dervishë. Teqeja e Prishtës u bë një ndër më të mëdhatë e Shqipërisë së Jugut me prona të pasura, bagëti, bletë etj. Baba Kamberi ishte shumë aktiv, madje zinte një vend të rëndësishëm në radhët e klerikve më të lartë të asaj kohe. Është fakt që edhe pas Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë, baba Kamberi do të qëndronte në ballë të veprimtarive për organizimin dhe forcimin e tarikatit bektashi. Në shtator të vitit 1929, në teqenë e Turhanit, në Korçë, u mbajt Kongresi i Tretë Bektashian, i kryesuar nga baba Kamber Prishta, i cili dha ndihmesë shumë të madhe për hartimin e statutit dhe rregullores të bektashianëve. Më 12 prill 1944, kleriku i shquar baba Kamberi, u zgjodh si Kryegjysh, por nuk e lanë të qetë. Në vitin 1945, ai u arrestua nga shteti monist dhe u dënua me 15 vjet burg. Ndërroi jetë në burgun e Tiranës më 5 prill të vitin 1950.
Ai, pas vitit ’90-të (pas vdekjes), është dekuruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë, me Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit të Parë dhe “Nderi i Kombit”.
Përgatiti:
Nuri ÇUNI