Sot përkujtohet 78-vjetori i ndarjes nga jeta, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Riza Ali Dede. Riza Ali Dede, ish-Kryegjyshit Boteror Bektashian, ka lindur në qytetin e Krujës më 18 tetor të vitit 1876, në një familje me traditë bektashiane dhe ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944. Që në moshë të vogël prindërit e çonin shpesh në teqenë e Dollmës, Shememi Baba dhe teqetë e tjera në qytetin e lindjes. Ai u edukua me besimin e mrekullueshëm bektashian. Mbresa të veçanta i kanë lënë vizitat e shpeshta në teqenë e Sarisalltikut në malin e Krujës, në Guvën e Shenjtë, ku shkonte çdo javë me prindërit e tij. Ishte një traditë kjo që e bënin gjithë besimtarët e Krujës. Pas vdekjes së babait, Hasanit, i ra barra për të mbajtur familjen e tij, sepse Rizai ishte më i madhi fëmijëve. Në moshën 14 vjeçare punoi hyzmeqar në Krujë, Shijak, si dhe në punë të ndryshme. Në moshën 18 vjeçare shkon në teqen e Shememi Baba në Fushë-Krujë dhe merr dorë të babai i teqesë, bëhet anëtar spiriturial, myhib, dhe me kalimin e kohës, duke marrë njohuri dhe ndjekur rregullat dhe normat e tarikatit bektashian, iu shtua më shumë dashuria për tu bërë klerik. Me lejen e familjes dhe të afërmve të tij, konsakrohet dervish nga baba Haxhiu (Subashi) i teqesë Shememi Baba. Por ai kish dëshirë për të ngritur njohuritë e tij për bektashizmin dhe kërkonte vazhdimisht të vazhdonte shkollë jashtë vendit te baba Haxhiu. Për këtë iu krijua mundësia, aty rreth viteve 1902, të shkonte së bashku me dervish Xhaferrin (u bë edhe ky, Kryegjysh, në vitin 1944) nga Gjirokastra në Qendrën Botërore Haxhi Bektash në Turqi. Këtu, për disa vite, dervish Rizai bëri shkollë dhe mori njohurit e nevojshme për udhën bektashiane. Po gjatë kësaj periudhe, bëri haxh në Mekë, vizitoi varrin e Profetit Muhamed, të Imam Aliut në Nexhef dhe varret e dëshmorëve të Qerbelasë. Bëri dhe shumë vizita në Irak e vende të tjera të Lindjes. Për disa vite me radhe bëri shkollën teologjike në qytetin e Damaskut, në Siri, duke shtuar më tej njohuritë fetare teologjike dhe mësime për mjekësinë. Në vitin 1914 kthehet në Shqipëri, në qytetin e lindjes, Krujë. Por situata e vështirë dhe lufta marramendëse e rebelimit të Haxhi Qamilit, bënë që dervish Rizai, së bashku me dervish Asllan Trepshin, shkojnë për të shërbyer në teqenë e Martaneshit për disa vite me radhë, ku lanë gjurmë shumë të mira në popullsinë e kësaj krahine me tradita në besim e dashuri në Zot. Komunikonte me besimtarët dhe shpesh shkonte te vendi i Shenjtë në Ballenjë të Martaneshit, te Guva e Ballëm Sullanit me histori të madhe. Këtu, në Kaptinën e Martaneshit bëhej pelegrinazh nga gjithë zona dhe Dibra. Në vitin 1918, thirret nga baba Hamidi i teqesë “Pusi që lahet vetë” në Elbasan, (i moshuar), ku plotësoi përvojën e tij nën kujdesin e veçantë të baba Hamidit. Pas vdekjes së baba Hamidit, sipas rregullave bektashiane, zë postin e tij. Këtu, deri në vitin 1941, punoi me përkushtim për 23 vite me radhë. Nga viti në vit u rrit autoriteti i tij dhe fitoi një respekt të veçantë, jo vetëm tek besimtarët bektashian, por gjithë banorët e Elbasanit dhe krahinat rreth saj. Ai me punën shumë vjeçare dhe predikimin fetar, kishte fituar aftësi e dhunti mistike, të cilat i vuri në shërbim të besimtarëve dhe dashamirësve të krahinës së Elbasanit, duke u bërë një personalitet i njohur i bektashizmit. Përgatiti shumë myhibë, dervishë, ai ndihmoi edhe dervish Ahmet Myftar Ahmataj për kulturën dhe ritet fetare të besimit bektashian, e pa tek ai, dashurinë, përkushtimin për familjen e Ehli-Bejtit, që ishte dervish në kohën e tij. Teqen e ktheu në një vend të bukur me kopësht, bimë e lule, sa vizitohej nga gjithë qytetarët e Elbasanit. Kjo teqe u kthye në një vatër edukimi e strehë e të varfëve, duke rrezatuar mirësi, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë. Pasi u vra i ndjeri Kryegjysh, Sali Niazi Dede, më 28 nëntor të vitit 1941, në Tiranë, këshilli klerikal, më 10 janar të vitit 1942, e zgjodhi baba Rizanë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Si Kryegjysh së pari përfundoi godinën e madhe që nisi Sali Niazi Dede dhe organizoi punën brenda e jashtë vendit në forcimin e bektashizmit. Në këtë periudhë komunikoi, bashkëpunoi, e bëri lidhje me shumë teqe në Ballkan dhe më gjerë. Dokumentet arkivore flasin qartë për këtë bashkëpunim. Gjatë luftës së dytë botërore, ai dha kontribut në përkrahjen e lëvizjes për çlirimin e Atdheut duke aktivizuar dervishë dhe baballarë në luftën Antifashiste. Këtë detyre e kreu deri në vitin 1944. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944 në spitalin e Tiranës, por është e dyshimtë vdekja e tij. Në qershor të vitit 1993, u sollën eshtrat e tij nga varreza publike Tiranë dhe sot prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ai, në vitin 1993, është dekoruar nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit I-rë dhe Urdhrin Nderi i Kombit.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAI