Të enjten, më 28 dhjetor 2023, në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe Gjyshatat e tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, është përkujtuar 8-vjetori i kalimit nga jeta, i baba Arshi Bazaj, klerikut që drejtoi për disa kohë, Teqenë Bektashiane të Detroidit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ritet tradicionale bektashiane për raste të tilla, u shoqëruan dhe me biseda, kujtime dhe ekspozita që lidhen me jetën dhe veprën e baba Arshi Bazajt. Besimtarët, në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ndër të tjera, ndoqën dhe ekspozitën fotografike ‘Gjurmë të jetës e punës së baba Arshiut”, përgatitur enkas për këtë rast.
“…Baba Arshi Bazaj, është dhe do të mbetet emblemë dlirësie në udhën tonë… Si klerik dhe atdhetar, ai ka lënë gjurmë jo vetëm në Teqenë e Detroidit ku punoi, por dhe për breza klerikësh e atdhetarësh në gjithë institucionet e besimit tonë të paqtë në gjithë botën… Jeta dhe puna e baba Arshiut, është një udhë drite në rrugën e hakut dhe shembull i përkushtimit të devizës sonë, ‘Pa atdhe, nuk ka fe…”-pohon ndër të tjera Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Jetëshkrimi i baba Arshi Bazajt:
Arshi Bazaj ka lindur në fshatin Shkozë të Vlorës më 1910. Ka kryer katër klasë fillore në fshatin e lindjes dhe më pas, është marrë me blegtori. Që nga mosha 7-vjeçare, prindërit e çojnë shpesh në teqe, tek baba Bektash Aliaj, ku ra në kontakt dhe u rrit kështu me frymën bektashiane. Kur mbush gjashtëmbëdhjetë vjeç, ai merr dorë si myhib dhe vijon të punojë e jetojë në teqenë e Golimbasit. Në vitin 1926 konsakrohet dervish prej baba Bektash Aliajt dhe, falë traditave bektashiane, ndërmerr për disa muaj rresht pelegrinazh për në Haxhi Bektash të Turqisë, duke vizituar njëkohësisht edhe teqe të tjera bektashiane. Kthehet sërish në Golimbas dhe në mënyrë të veçantë, në muajit e ashures, vizitonte teqe të famshme si ajo e Bllacës në Dibër, e Shememi-Babait në Krujë, Teqenë e Madhe të Elbasanit, atë të Melçanit në Korçë dhe të baba Selimit në Gjirokastër. Shkëmbimet e vizitave dhe muhabetet me baballarë dhe dervishë bektashianë të asaj kohe, kanë qenë njëherazi shkolla të udhëtimit shpirtëror në këtë tarikat.
Në gushtin e vitit 1939, dervish Arshiu, me bekimin e baba Bektash Aliajt, u bashkëngjitet forcave nacionaliste të udhëhequra nga Hysni Lepenica, në betejat kundër okupatorit italian, në Qarkun Vlorës. Ndërkaq, rritja e fuqisë politike dhe ushtarake të Nacional-Çlirimtarëve, po shoqërohej me qëndrime të ashpra ndaj nacionalistëve, qofshin këta dhe klerikë, siç ishte dervish Arshi Bazaj. Me pretekstin se “duhej të jepte llogari në komandën partizane të Vlorës”, dy-tri komunistë ilegalë trokasin një mbrëmje në teqenë e Golimbasit. Por baba Bektash Aliaj refuzon ta dërgoj dervishin atje, duke iu thënë se çdo njeri, nga komanda partizane e Vlorës, ishte i mirëpritur në teqe. Dy muaj më pas, duke parë ç’po ndodhte me shumë luftëtarë nacionalistë, baba Bektashi i jep dervishit të tij bekimin dhe e dërgon në teqenë e Koshtanit, në Tepelenë.
Por edhe në Koshtan, në verën e vitit 1945, dervishin e kërkojnë sërish dhe kjo ka qenë arsyeja që së bashku me disa nacionalistë të tjerë, ky arratiset në Greqi. Qëndron për gati dy vjet në kampin e refugjatëve në Llavrios e, më tej, dërgohet në Itali. Në vitin 1953, me kërkesë të teqesë bektashiane të Mukatamit në Egjipt, shkon atje dhe, një vit më pas, janë nacionalistët shqiptarë të vendosur në SHBA që e morën atje.
Prej vitit 1954 dhe deri sa mbylli sytë në dhjetorin e vitit 2015, baba Arshi Bazaj, ishte dhe mbeti jo vetëm besnik i baba Rexhebit (themelues i teqesë së parë bektashiane në Detroid-Miçigan), por edhe kleriku i urtë, që shpërndan paqe dhe dashuri tek të gjithë brezat e shqiptarëve të Amerikës.
Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ