Më 23 korrik të çdo viti, bektashinjtë përkujtojnë një ngjarje të shënuar, me vlera kombëtare e fetare, përvjetorin e ‘Masakrës së Rabijes’- në Tepelenë, ku më 23 korrik të vitit 1943, pushtuesit e vendit, vranë e masakruan klerikë bektashian, myhibë e besimtar, të cilët, në përmbushje të devizës bektashiane, “Pa atdhe, nuk ka fe”, rezistuan kundër pushtimit fashist të Shqipërisë.
Për këtë ngjarje, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka pohuar: “…Lidhja e klerikëve të teqesë së Rabijes, me formacionet luftarake nacionalçlirimtare të vendit, bënë që teqeja të shndërrohej në vatër të shenjtë atdhetarizmi, që dashamirësit e saj të shumtë të rrëmbenin armët kundër pushtuesve fashistë. Ka qenë ky shkaku që në 23 korrikun e vitit 1943, forca të shumta italiane, me mjete të motorizuara dhe të armatosura deri në dhëmbë, iu drejtuan teqesë së Rabijes, për ndëshkim. Këtë mllef ata e rrëfyen me pushkatimin e baba Abaz Rabijes, të dervishëve: Bajram Lamaj nga Levani, Hasanit nga Rabija, Feimit nga Gllava dhe Bajramit nga Mallakastra. Këta emra të ndritur klerikësh, së bashku me 27 besimtarë dhe myhibanë të tjerë që u vranë dhe masakruan po atë ditë, tanimë kanë hyrë padyshim në panteonin e lirisë së kombit tonë…!”
Të pushkatuarit në këtë masakër, janë: Baba Abaz Memushit; dervish Bajram Lamaj; dervish Feim Mahmutaj; dervish Bardho Bardhit; dhe myhibë e dashamirës të udhës bektashiane: Qamil Isuf Lamaj; Reshat Brahim Memushaj; Dino Xhemal Memlikaj; Selman Galip Memlikaj; Qani Myftar Kapllani; Qazim Kamber Kapllani; Selfo Haxhi Kapllani; Sulo Xhelo Kapllani; Muharrem Rushit Kapllani; Sheme Muhamet Xhemalaj; Shefit Barjam Xhemalaj; Mehmet Ismail Xhamalaj; Haxhi Jashar Xhemalaj; Bektash Halim Xhemalaj; Ismail Feta Malaj; Riza Hysen Malaj; Luto Lame Jaupaj.
Kjo ngjarje e rëndë, është dokumentuar gjerësisht dhe në dokumentet zyrtare të kohës.
Kështu, në raportin e Kuesturës Gjirokastrës, drejtuar mbi barbarizmat e ushtrisë fashiste në këtë operacion në zonën e Buzit shkruhet: “…. Prej 24 të këtij muaji e gjer 27.7.1943 janë vrarë e vdekur atë Abazi, varfë Feimi, varfë Barjami, varfë Xhaferi, varfë Barjami dhe varfë Lamja, të gjithë të teqesë së Rabijes. Qemal Isufi vjeç 35, kryeplak i katundit të Rabijes, Reshat Brahimi vjeç 30, roje i katundit Rabie, si dhe djegur krejt teqeja dhe të gjithë plaçkat e teqesë”.
Kjo masakër e klerikëve e besimtarëve bektashianë, në luftën për liri, është përjetësuar dhe në këngë, që interpretohen nga brezat.
Në një nga këto këngë thuhet:
“…Dëgjoni o shqiptarë,/
Në Rabie seç u bë/
Vranë babanë dhe dervishët,/
Si në Qerbela u bë!…”
Teqeja e Rabijes, është themeluar në vitin 1880 nga baba Selmani nga Martaneshi. Në vijimësi, këtu kanë shërbyer: baba Selmani; baba Hyseni; baba Abaz Plaku. Në vitin 1940 kanë shërbyer: baba Abaz Sherif Memushi; dervish Janus Asllan; dervish Bajram Lame; dervish Azis Sulo; dervish Xhafer Hamidi; dervish Iljaz Vrenos; dervish Vrenos Zaçe. Në këtë kohë, teqeja kishte rreth 20 dhoma me dy kate, një oborr rrethues me mur guri, gjithashtu në afërsi ishin tyrbet e baba Ali Horasanit dhe baba Selmanit.
…Gjatë Luftës Antifashiste, teqeja e Rabies ishte në ndihmë të kësaj lufte të madhe. Aty shërbente baba Abaz Sherif Memushaj; dervish Bajram Lamaj; dervish Cane; dervish Feimi…