Ditën e premte, në datë 10 dhjetor 2021, Baba Haxhi Saliaj u përkujtua në 85 vjetorin e lindjes së tij me mbajtjen e një konference të organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Gjyshata Gjirokastër dhe Universiteti Eqrem Çabej, e cila mbante titullin “Bektashizmi në Gjirokastër dhe roli i shquar i Baba Haxhi Saliajt ”.
Aktiviteti u çel nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili e vlerësoj si simbol të fisnikërisë.
Haxhi Saliaj bën pjesë në plejadën e atyre klerikëve bektashianë, të cilët jo vetëm nuk u nënshtruan prej mekanizmave të propagandës së regjimit komunist, por në thellësi të shpirtit mbajtën të gjallë besimin e palëkundur në Zot – u shpreh ndër të tjera Kryetari i Bashkisë Gjirokastër z. Flamur Golemi në fjalën e tij përshëndetëse.
Gjyshi i Gjyshatës Gjirokastër, baba Skënder Dervishi e vendosi theksin te roli që luajti baba Haxhi Saliaj në ringritjen e teqesë së Zallit në Gjirokastër, në vitet 1993-2003.
Kumtesa u mbajtën dhe nga pedagogë të historisë në Universitetin e Gjirokastrës. Prof. dr Shyqyri Hysi bëri një paraqitje të librit “Baba Haxhi Saliaj në memorien e brezave” .
Në konferencës, u dhanë edhe disa tituj nderi për kontributin e çmuar të baba Haxhi Saliajt, nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Këshilli i Qarkut Gjirokastër, Bashkia Mallakastër e shoqata “Mallakastra”, zona ku Baba Haxhi Saliaj u lind dhe u rrit.
Në fund, grupi polifonik e bëri akoma më të këndëshme këtë ditë, e cila u fiksuar në kalendarin e Selisë së Shenjtë, si ditë e shënuar.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahiamaj.
I nderuar Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, z.Golemi! Të nderuar përfaqësues të Qarkut Gjirokastër! Të nderuar përfaqësues të Bashkisë Mallakastër! Të nderuar myhibë dhe myhibe të baba Haxhi Saliajt! Të nderuar vëllezër të mij, familjarë të përulur të baba Haxhiut! Të nderuar vëllezër e motra bektashianë kudo ku jetoni dhe mbani të pafikur çiragët e dashurisë së Haxhi Bektashit! Paçi kurdoherë burimet e të Madhit Zot, uratat e dervishëve dhe baballarëve që përmes frymës së tyre, nga shekulli në shekull e shndërruan tarikatin tonë në një devocion të përjetshëm dhe vëllazëri unike në krejt botën!
Bektashizmi, përgjatë historisë së tij ekzistenciale, ka kaluar kurdoherë përmes udhëve të vështira, majave të thepisura dhe humnerave gjithfarësh, i ndikuar prej shtjellave të rrymave dhe shkollave brenda familjes së nderuar myslimane, por edhe kundruall mozaikut fetar botëror. Në çdo epokë apo vendndodhje të tij, nga Azia e Largme deri në Kanada, në çdo situatë përndjekjeje apo ngazëllimi, ky tarikat ka manifestuar kurdoherë vlerat më të ndjeshme, respektin dhe vëllazërinë më të skajshme, për këdo që fati e ka vendosur në krah të tij. Motua se “të Zotit jemi edhe tek Ai do të kthehemi të gjithë” ka qenë dhe mbetet gurë themeli në strukturën shpirtërore të tarikatit.
Është krejt e natyrshme që mendimi dhe veprimet bektashiane të mbështetej gjatë udhëtimit të tij, në Kuran dhe në traditën profetike. Pavarësisht ndonjë keqkuptimi në udhëkryqe fetarë, tarikati ynë i ka qëndruar besnik kësaj tradite, e cila bënte gjithmonë thirrje për bashkim. Mbeten ende lapidare fjalët e Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi Të, në atë që ne të gjithë, e quajmë fjala e lamtumirës dhe ku midis të tjerave shprehet: “Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit! I bardhi nuk është më i mirë se i ziu, as i ziu, më i mirë se i bardhi… Jini të mëshirshëm ndaj njëri – tjetrit! Jini motra e vëllezër mes tuaj! Mbështetni njëri – tjetrin sikurse tullat dhe ashtu mbajeni të fortë ndërtesën e bashkësisë suaj!”
Prej këtyre dervishëve dhe baballarëve, Haxhi Saliaj mori mësimet e para, të cilat ndërthureshin sa me të fshehtat e tarikatit aq edhe me fatin njerëzor. Sepse ne të gjithë e dijmë, se në moshën kur djali i urtë nga Ninëshi, trokiti në derën e teqesë, ishte jetim, pa nënë e pa baba. Babai ishte viktimë e asaj lëvizjeje të pamëshirshme, që për gjysëm shekulli rresht ne e emërtuam si lufta e klasave, ndërsa nëna e tij, do të largohej nga kjo botë me brengën e madhe për ekzekutimin barbar të të shoqit dhe të ardhmes së zeze të fëmijëve. Në këtë kontekst të atij realiteti të trishtë, teqeja ishte dhe mbeti deri në fund një oaz paqeje, kur shpirti i vëllait tonë, Haxhiut gjeti prehjen e përhershme të shpirtit tij.
Islami përgjatë gjithë historisë së tij, u është drejtuar besimtarëve përmes ndjeshmërive të tyre intelektuale dhe shpirtërore, pa detyruar askënd, përkundrazi, duke i udhëhequr nga mendimi që ndjekësit e tij, të sigurojnë një marrëdhënie të ngushtë, të sigurtë dhe të përjetshme me Zotin e Lartësuar. Tarikati bektashian, në këtë kontekst, ka transmetuar veç të tjerave një mëvetësi dhe admirim në konceptin dhe filozofinë e vet, pa shfaqur në asnjë rast ndjenjë të epërsisë ndaj të tjerëve, përkundrazi duke i ftuar këta në vëllazërinë e vet unikale. Ky ka qenë ndër të para leksione që djali nga Ninëshi ka marrë dhe përqafuar në teqetë e Mallakastrës, duke e ndjerë veten në një farë mënyre “një jetim biologjik” por i rrethuar deri në fund nga mijëra vëllezër, motra, bij e bija të Hakut.
Marrja dorë në teqenë e Harakopit, në Krahës të Tepelenës, në vitin 1954, tek baba Asim Shehaj, mbetet një gurë kilometrik i vlershëm në udhëtimin shpirtëror të myhibit, Haxhi Saliaj. Shumë ngjarje të mëpastajme lidhen me këtë akt madhor të jetës personale, ku secili nga ne që e ka provuar, e ka shumë të kthjellët realitetin e familjes biologjike me atë të familjes së tarikatit, kufijtë e të cilave janë shpërfillur përgjithmonë, duke iu afruar përmes tipareve më të vlershëm bektashianë , asaj mrekullie që shpesh e konsiderojmë si vëllazëri e Hakut. Miku dhe vëllai ynë Haxhi Saliaj, tamam në moshën më të bukur për çdo njeri, pranoi me këtë rast të mbartëte mbi supe, pesha të tilla që zor se do t’i mbanin vërsnikët e tij. Tek e fundit, kështu fillon udhëtimi bektashian, duke u larguar prej gjërave të përkohshme të kësaj bote dhe duke iu afruar rregullave të shkruara, apo jo të tilla të tarikatit tonë.
Paskëtaj, i urti Haxhi Saliaj merr rrugën për në Selinë e Shenjtë në Tiranë dhe me idenë për të hedhur supeve harkanë shekullore të tarikatit, vijon mësimet në shkollën e dervishëve. Gjykuar nga largësia e gati shtatë dekadave, shkolla e at’hershme e dervishëve në Kryegjyshatë, të bën të mendohesh thelle. Në hapat e tyre të parë, klerikët e ardhshëm, merrnin njohuri për këndim dhe komentim të Kuranit të Shenjtë, mësime në persisht, arabisht e turqisht, leksione në literaturën bektashiane botërore, si edhe histori e tarikatit në Shqipëri. Besoj se një nga kontributet e Kryegjyshatës Botërore në ato vite, dede Ahmet Myftari, është pikërisht thirrja në Selinë e Shenjtë dhe kujdesi ekonomik që tregoi për dijetarë të Islamit dhe të gjuhëve të huaja, të cilët falë ngrohtësisë dhe kujdesit të tij, dijtën të lënë gjurmë në formimin e gjithanshëm të klerikëve të ardhshëm.
Këto dije, për Haxhi Saliajn dhe gjithë bashkënxënësit e tij, dervishë të ardhshëm, u ndërthurën edhe me traditën bektashiane të trevave shqiptare, në të cilën, dijet mistike përvetësoheshin shkallë – shkallë. Hynqar Haxhi Bektash Veliu, duke iu referuar shekuj më parë Zotit të Lartë, kujtonte gjithmonë një thënie të Tij: “Unë kam ndërtuar një shtëpi prej drite dhe e lashë amanet në brendshmërinë e njeriut. Emrin ia ngjita zemër. Ajo është në gjendje të tillë hyjnore, që merret si më e gjëra në botë. Dhënia e asaj shtëpie është njohuria hyjnore. Qielli i saj është besimi. Dielli i saj është dëshira. Hëna e saj është muhabeti i dashurisë. Yjët e saj janë njohuritë. Malet e saj janë lutjet. Pema e saj është shërbimi. Gjethet e saj janë qëndrimi dhe fryti i saj është kuptimi. Kjo shtëpi ka katër porta: e para është dija, e dyta është butësia, e treta është durimi dhe e katërta falënderimi.”
Me një formim të tillë shumëplanësh, djali nga Ninëshi i Mallakastrës së Sipërme, merr titullin e nderuar të dervishit dhe niset për në teqenë e Çorrushit, me porosi të dede Ahmet Myftarit. Por, si rrallëkund në historinë e tarikatit, fati njerëzor i tij, nuk do të ishte i njëjtë me atë të paraardhësve. Ishte viti 1958 dhe tanimë zhdukja e fesë prej regjimit shihej si diçka thelbësore, e cila duhej t’i linte vendin atyre ideologjive të mbrapshta, jo thjesht në planin moral por edhe fetar e njerëzor. Pas kokave të prera të klerikëve bektashinj në vitet 1945-1955, i kish ardhur radha edhe dede Ahmet Myftarit, internimi i të cilit në teqenë e rrënuar të Drizarit në Mallakastër, do të përbënte një prej akteve të asaj tragjedie. Me largimin e tij nga posti dhe nga Tirana, u jepej mesazh i qartë të gjithë klerikëve bektashianë se furtuna ateiste do të kalonte shumë shpejt në tokën e shqiptare. Ka qenë kjo arsyeja që ende në hapat e parë të klerikut, dervish Haxhi Saliaj shkon të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për të vijuar më pas në atmosferën e dëshpërimit të thellë njerëzor, në ato vite kur shteti, duke dashur të përçundonte fenë, në të vërtetë përçudnonte liritë më themelore të shtetasve të vet.
Por edhe në vitet e paimagjinueshëm, të ndalimit të fesë me Kushtetutë, dervish Haxhi Saliaj, nuk e ndërpreu për asnjë moment udhëtimin për në misionin e vet hyjnorë. Ai dijti të durojë trimërisht çdo fyerje, tallje apo përndjekje të atij regjimi, duke u treguar të gjithëve, pikërisht durimin emblematik të vargut të klerikëve bektashianë dhe paepshmërinë e tyre, ndaj çdo tentative për të lëkundur besimin në Zot. Hapat e këtij pelegrini të dhimbsur dhe fjalëpakë, u ndjenë përgjatë viteve 1965-1990 nëpër lagjet e Mallakastrës, nëpër ato shtëpi ku varfëria shpirtërore dhe ajo e jetës njerëzore, konkurronin njëra – tjetrën. Me fjalën e tij të urtë, me mendimin e tij shpresëplotë, me frymën brenda të cilës ishin sakrificat e qindra klerikëve paraardhës, dervish Haxhi Saliaj, do t’u kujtonte të gjithëve, se i Gjithmëshirshmi na ve në provë të gjithëve. Lum kush ja del kësaj prove, për të jetuar i lumtur në të dy botët!
Me intuitën e jashtëzakonshme përmes së cilës u afrohej dinjitetit të besimtarëve, dervish Haxhi Saliaj iu bashkua klerikëve të tjerë të shquar që kishin llogari të hapura me regjimin si: dede Ahmet Myftari, baba Sherif Canometaj, baba Selim Kaliçani, baba Bektash Kozeli, baba Hadim Therepeli, dervish Reshat Bardhi, dervish Ismail Jangulli etj, të cilët pamvarëisht inkuizicionit shtetëror, e jetuan jetën e tyre kurdoherë brenda rregullave të tarikatit, duke ftuar edhe brezat e besimtarëve t’i ndiqnin pas. Për të tillë klerikë, mirënjohje është shumë pak. Falë guximit të tyre, ne mundëm të ruajmë traditat e të parëve edhe në kushtet e ilegalitetit më të thellë, mbajtëm zinë e matemit, kujtuam tragjedinë e Qerbelasë, festuam ditën e shenjtë të Sulltan Novruzit, qëndruam pranë njëri – tjetrit në të mirë e në të ligë, duke dëshmuar pikërisht pavdekësinë e vëllazërisë së Haxhi Bektash Veliut.
Ndërkaq ne jemi po kaq të vetëdijshëm, se kjo plejadë klerikësh zemërpastër, u respektua dhe u mbajt si ujët e pakët, në radhët e mëdha të besimtarëve, mbi të cilët, jo rrallë herë, kanë rrebeshet e persekutimeve shtetërore. Në mënyrë të veçantë myhibët dhe dashamirësit bektashinj të Lazaratit, do të kujtohen me respektin e thellë në brezat e besimtarëve për kurajon e tyre, për vetëmohimin e pashembullt, duke ecur kokëulur përpara myrshidëve, por kokëlart përpara segmenteve dhe veglave të regjimit që kaluam.
Duke ecur përkrah myrshidëve të tyre, brezat e besimtarëve të atyre viteve, brenda misionit fetar, brenda luftërave për t’i shpëtuar shpirtrat e tyre nga egot e kësaj bote, mundën të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella jo vetëm brenda për brenda komuniteteve të tjerë fetarë, por edhe me vetë shoqërinë, duke i parë këto marrëdhënie kurdoherë në kufijtë e konteksteve të mëshirës universale dhe përgjërimit bektashian. Fisnikëria me të cilën na mëkuan prindërit tanë shpirtërorë, na udhëhoqi në ndërtimin e atyre urave të domosdoshme dhe të mrekullueshme për tek njëri-tjetri. Çfarë na ndihmoi në kapërcimin e lloj – lloj barriera sociale.
Të bashkua në devocionin tonë ndaj krijuesit, klerikë e besimtarë, erdhën plot shpresa në fillim të viteve ’90-të, të shekullit që lamë pas. Dervish Haxhi Saliaj, në grupin e parë të klerikëve bektashianë, do të rreshtohej menjëherë në përpjekjet dhe sakrificat, për ta ringritur tarikatin nga rrënimi pamëshirë. I vetëdijshëm në misionin e vet, ai do të përballej me mosdijen fetare, me idetë e mbrapshta që e kishin etiketuar fenë si “opium për popullin”, me ç’montimin e gjithë atyre legjendave ateiste për jetën e baballarëve bektashiane dhe shpërfaqjen e vlerave të vërteta të besimit. Por edhe kësaj here, kur demokracia po hidhte hapat e pakthyeshëm në historinë e shqiptarëve, dervishi ynë, vëllai e miku i të gjithë besimtarëve të jugut, kurrë nuk e ngriti zërin, kurrë nuk shau dhe mallkoi, nuk iu ankua askujt për ç’kish hequr në jetën e vet.
Me emërimin në teqenë e Zallit në vitin 1992 dhe më pas me konsakrimin “Baba” prej Haxhi Dede Reshat Bardhit, tek burri i urtë dhe fisnik i Ninëshit, do të mbështesnin shpresat e tyre një komunitet i tërë i besimtarëve, të vjetër në moshë dhe të rinj. Të parët, ata të shkuarit në moshë, do të rizbulonin përmes tipareve të baba Haxhiut, tablotë e mrekullueshme të teqesë së dikurshme të Zallit, ndërsa më të rinjtë, do të përmbusheshin me entuaziazmin e moshës dhe trokitjeve hyjnore hyjnore, për t’iu afruar gurrave të freskëta të besimit. Me fisnikërinë e tij shumëplanëshe, baba Haxhi Saliaj, dijti t’u ofrojë të gjithëve, orientimin drejt vlerave sublime dhe hyjnore, mirëkuptimin e detyrueshëm ndaj sfidave shoqërore, si edhe pagën e shpirtit. Ai eci në gjurmët e arta të paraardhësve të vet të teqesë së Zallit, duke i rikthyer kësaj dere të bekuar lavdinë dhe duke shndërruar në objekt adhurimi për mijëra besimtarë.
Miqtë e mij!
Personalisht kam patur fatin e madh ta takoj, të bisedoj dhe të kaloj ditë e netë të tëra, të bukura por edhe të dhimbshme, me baba Haxhi Saliajn. U njohëm dhe punuam së bashku në kohën e ndryshimeve të mëdha, në atë kacafytje shpesh herë vrastare të sistemeve politikë. Brerrja nga besimi në Zot, e kish shpërfytyruar dhunshëm shoqërinë shqiptare, e kish çuar atë në shtjella të rrezikshme morale, e kish denatyruar vetë kodin njerëzor tonin, duke na larguar mëshirën dhe duke na mbushur shpirtrat me mëri gjithfarësh. E shihnim këtë shpresë të vrarë në çdo hap tonin, në çdo grup besimtarësh, në çdo teqe ku shkonim. Por më besoni: me klerikë si baba Haxhiu e ndjeje gati të papërfillshme këtë peshë dhe kjo ka qenë ndër arsyet që ne ngadhënjyem mbi mëritë, përçarjet, hakmarrjen e të tjera shëmti njerëzore. Baba Haxhiu, çdo fjalë, çdo kuvend, çdo zgjidhje, e përcolli kurdoherë përmes asaj fisnikërie përvuajtëse që na kujtonte baballarët e shekujve të mëhershëm.
Shpirti i tij i madh, pati vend gjithmonë, edhe për dëshminë tronditëse të myhibëve të Lazaratit, edhe për brengat e mallakastriotëve, edhe për dertet apo gëzimet e besimtarëve tepelenas. Në mistikën bektashiane, shpirti është froni i Zotit dhe unë besoj se përmes frymës së baba Haxhiut, besimtarët e krejt Jugut të Shqipërisë, kanë qenë dhe mbeten përpara syve të Tij, në atë vëmendje drejt të cilës rendim të gjithë ne, që duam të valëvisim të lirë dhe të panjollosur flamurin e tarikatit. Është në të drejtën e vet dhe të Zotit që çdokush, të flasë sot e mot për mrekullitë që ka parë apo ka dëgjuar në lidhje me baba Haxhiun. Personalisht mendoj se tipari më i mrekullueshëm që kam konstatuar tek ai, është pikërisht fisnikëria e pabujë dhe madhështore, me të cilën ka përballuar sfida të panumërta, për të ardhur deri në çastin e largimit nga kjo botë e përkohshme. Ky model padyshim është ngazëllues dhe i admirueshëm për çdo brez klerikësh bektashianë.
Motra dhe vëllezër!
Në këtë jubile të 85 vjetorit të lindjes së Haxhi Saliajt, neve si Seli e Shenjtë Bektashiane, realizuar përveç të tjerave edhe për një libër me studime dhe mbresa për këtë klerik të vyer. Gjej rastin të falënderoj, mikun dhe bashkëpunëtorin tim, z.Syrja Xhelaj, për bisedat kokë më kokë me myhibë e dashamirës të baba Haxhiut, duke u përkujdesur për çdo detaj të jetës së tij. Kam kënaqësinë gjithashtu të falënderoj nga zemra, të gjithë ata personalitete, miq dhe të afërm të baba Haxhiut, të cilët gjetën kohën dhe ndihmuan në nxjerrjen në dritë të librit.
Siç mund të jini në dijeni, në Selinë tonë të Shenjtë, ne kemi ndërmarrë nismën për grumbullimin e kujtimeve, fotografive apo gjithçka tjetër që lidhet me veprën e dervishëve dhe baballarëve bektashianë, duke krijuar dosje të veçantë për secilin prej tyre. Në këtë kontekst, jemi të vëmendshëm dhe shumë të hapur, ta thellojmë këtë nismë për baba Haxhiun, ta pasurojmë atë më tej, sikundër për gjithë dervishët e baballarët e Gjyshatës së Gjirokastrës, jo thjesht për të mbushur arkivat, por të mësojmë dhe udhëhiqemi nga shembulli i tyre i mrekullueshëm fetar dhe atdhetar. Sado përpara të ecim në rrjedhat e shekullit të sotëm, kurdoherë do të kemi nevojë për kujtimin e shtrenjtë të paraardhësve tanë. Edhe një herë ju faleminderit të gjithëve! Zoti ju bekoftë! Amin!