Ditën e sotme, më 4 mars 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishte në teqen e Greshicës- Mallakastër, ku mori pjesë në përkujtimin e 88-vjetorit të ditëlindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Në mesin e shumë besimtarëve dhe dashamirësve bektashianë, në fjalën e rastit, ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se:
“Tanimë, 4 marsi, nuk është ditë e bekuar vetëm për teqenë e Greshicës. Kjo ditë që lidhet me lindjen e myrshidit tonë, Dede Reshat Bardhit, në Lusën të Kukësit, në vitin e largët 1935, e këtij kleriku që gjithë jetën e tij e inkuadroi në vëllazërinë bektashiane, duke bërë çfarë ishte e mundur që ky tarikat jo vetëm të ruante substancën e tij të lirisë dhe urtësisë, por edhe të zhvillohej më tej, përmes sakrificave gjithfarësh.
Prandaj, në këtë ditë të shënuar, ju përcjellë urimet dhe shpresë në çdo teqe bektashiane, anë e kënd botës, kudo ku vëllazëria jonë bashkon shpirtra njerëzish në udhë të Zotit. Amin!”