Dita e shtunë, 7 shtator 2024, ka qenë një ditë e veçantë për të gjithë bektashinjtë, përkujtimi i 9-vjetorit të përurimit të Odeonit (qendër fetare-kulturore), në Selinë e Shenjtë Bektashiane, në Tiranë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë klerikë bektashian, krerë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, drejtues të institucioneve shtetërore e vendore, besimtarë dhe dashamirës të shumtë.
Kjo ceremoni, u parapri me aktivitete të shumta gjatë gjithë ditës, ku me interes ishin ekspozita fotografike, vizita në muze, bibliotekë, arkiv, fonotekë, fototekë etj. Fillimisht, të pranishmit në ceremoni, i përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, ndërsa në vazhdim, pas përshëndetjeve të rastit , ndoqën dokumentarin “Përurimi i Odeonit -7 shtator 2015′.
Në fund, për të pranishmit, u shtrua edhe një koktej.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian.
“Të nderuar besimtarë, miq, personalitete, dashamirës të bektashizmit, të ftuar e të mirëseardhur në eventin e 9 vjetorit të Inagurimit të Qëndrës Multifunksionale, kulturore Fetare, “Odeoni”. Vepër unikale jo vetëm për besimtarët bektashinj të kudondodhur në botë por për çdo njeri që ka dëshirë për të mësuar rreth udhës sonë mistike të Islamit , Bektashizmin!
Kjo datë mbetet një datë e shënuar për miliona besimtarë bektashinj në mbarë botën dhe njëkohësisht një festë përkujtimore e përvitshme për ‘ta. Kështu ndodh edhe sot, plot 9 vite më vonë. Përkujtimi i ndërtimit të odeonit, është një vlerësim për rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian, një kujtesë dhe obligim për çfarë kanë bërë brezat e klerikëve tanë deri tani dhe çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen. Në këtë ditë ne përkujtojmë me respekt iniciatorët dhe realizuesit e parë të këtij projekti, Ahmet Dede Myftari e Dede Reshat Bardhin, deri tek brezi aktual që materializoi këtë projekt…
Faltorja që përuruam përpara 9 vitesh, është pjesa e dukshme dhe simbolika e një besimi të lindur 800 vite më parë. Ajo çfarë e ka bërë këtë tarikat të Islamit, ti mbijetojë shekujve, të fitojë terrene të rinj shpirtërorë, të bashkudhëtojë me vlerat e spikatura të kohërave të sotme, është pikërisht fryma e mirëkuptimit , dashamirësisë, dhembshurisë, përkujdesjes në rast nevoje, me atë që ke në krah, trajtimi me dashuri i njëri tjetrit si motra e vëllezër. Me këtë rast do të doja të nënvizoja e të vija theksin në disa nga punët që janë bërë gjatë këtyre 9 viteve :
Puna në sektorin e Arkivit – Gjatë këtyre 9 viteve të krijimit të kësaj Qendre, sektori i Arkivit ka përballuar një punë voluminoze në përzgjedhjen dhe sistemimin e dokumenteve të grumbulluara që bëjnë fjalë për aktivitetin e Kryegjyshatës, në aspektin fetar, ekonomik, historik, kulturor, mardhëniet ndërkombëtare, kleri bektashi, tarikati, biografia e Kryegjyshërve Botërorë në vite, etj. Dokumentet janë të grumbulluara jo vetëm nga Gjyshatat Bektashiane, institucione të ndryshme shtetërore, por dhe private si dhe nga individë apo besimtarë në të gjithë vendin. Të gjitha këto dokumente i janë nënshtruar protokollimi, regjistrimit në dokumente hyrëse dhe dalëse, e më pas përpunimit tekniko-shkencor nga grupi i arkivistëve si dhe më pas është bërë daktilografimi e restaurimi i dokumentacionit të vjetër, inventarizimi, skanimi digjital e të gjitha dokumenteve të përpunuara. Këto procese janë proceset bazë të punës arkivore që janë të përhershme në këtë institucion. Dokumenti më i hershëm daton në vitin 1847 e duke vazhduar deri në ditët e sotme. Dokumentet që ruhen në arkiv janë jo vetëm në gjuhën shqipe por dhe në arabisht, osmanisht, frengjisht, anglisht e gjuhë të tjera.
Muzeu i Bektashizmit u përurua me 7 shtator te vitit 2015 dhe është pjesë e Qendrës Kulturore Fetare – Odeonit. Në këtë Muze nëpërmjet dokumenteve, fotove, objekteve apo botimeve të ndryshme, jepet në mënyrë kronologjike historia 800 vjeçare e Bektashizmit.
Muzeu përmban 12 stenda dyshe dhe rreth 30 vitrina, me objekte, botime të vjetra, sende personale të klerit, kafe oxhaku, pavioni i matemit e ashures, dekorata e tituj të lartë nderi të klerit bektashi, koleksioni i monedhave me portretet e Kryegjyshërve ndër vite, vula me shkrime të vjetra nga osmanishtja e arabishtja, dorëshkrime etj. E veçanta e Muzeut janë manekinë me uniformat e Hierarkisë Bektashiane ku do të veçonim atë të personalizuar për Dede Reshat Bardhin. Një element plotësues i Muzeut janë edhe tre monitorët, ku nëpërmjet dokumentarëve e regjistrimeve të ndryshme, jepen teqetë në Shqipëri, Persekutimi I Klerit Bektashian, si dhe riti I përgatitjes së Ashures. Në vitin 2019, falë dhuratës së çmuar të Piktorit të njohur Omer Kaleshi është shtuar dhe Salla Galeri, me piktura ku figurë kryesore janë Dervishet.
Gjatë këtyre 9 viteve në ambientet e Muzeut të Bektashizmit janë kryer veprimtari përkujtimore, promovime librash, shfaqje filmash dokumentarë, ku kanë marrë pjesë, akademikë, profesorë, aktorë të njohur si dhe personalitet të fushave të ndryshme.
Muzeu ka ngjallur interes të veçantë për vizitorë vendas e të huaj, si personalitete të shumtë nga vende të ndryshme të botës, ambasadorë, grupe turistike, studiues etj.
Muzeu ka rreth 500 objekte origjinale, botime të rralla si dhe dhurata nga personalitete dhe Organizma Botërore.
Të gjitha objektet e Muzeut janë të kartelizuara, inventarizuar , skanuara dixhitalisht .Gjatë këtyre 9 viteve muzeu i bektashizmit ka realizuar rreth 40 ekspozita.
Në Fushën E Botimeve : 4 Albume, 6 botime dhe korrektime librash, dhe realizim i filmit dokumentar, fletëpalosje, guida, shqip dhe anglisht.
Me përurimin e odeonit filloi historinë e saj edhe Biblioteka e Selisë së Shenjtë Bektashiane.
Mjediset e bibliotekës përbëhen nga salla e leximit me fonde të hapura dhe ajo e arkivit të saj. Salla me fonde të hapura i shërben lexuesve, studiuesve, klerikëve etj. Në këtë ambient çdo lexues ka mundësi të konsultohet drejtpërdrejtë me literaturën që ajo disponon. Hapësira e arkivit shërben për sigurimin e kopjes unike të çdo titulli, si edhe për ruajtjen e ekzemplarëve të rrallë.
Pas një strukturimi tematik, është realizuar procesi i inventarizimit të fondeve, i pasqyruar në librin e inventarit . Gjithashtu është realizuar klasifikimi bibliografik sipas standardeve bashkëkohore ndërkombëtare duke vijuar hap pas hapi me pasurimin e fondeve. Kjo bibliotekë numëron rreth 5 mijë tituj.
Pjesë integrale e kësaj biblioteke janë edhe veprat e Vëllezërve Frashëri të cilave iu është dedikuar një hapësirë e veçantë. Së fundmi janë krijuar edhe dy salla të bibliotekës me tituj e tematika të ndryshme.
Departamenti i multimedias: Kartelat E Regjistrimit Të Besimtarëve
Inventari Kartelave Të Regjistrimit :
-Numri total i besimtarëve të regjistruar në Databazë rreth 11000 besimtarë (kartela personale).
– Numri total i familjeve të regjistruar në Databazë= 2400 familje (kartelafamiljare).
– Nr. Total i Kutive të sistemuara për të gjitha Gjyshatat = 175 kuti
Krijimi i faqes zyrtare të internetit UEBI: www.kryegjyshataboterorebektashiane.org
Krijimi, dizenjimi dhe bërja publike (online) në ueb, të faqes zyrtare të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. me informacionet zyrtare të Selisë së Shenjtë.
Skanimi (digjitalizimi) dhe ruajtja e dokumentacioneve dhe materialeve të nevojshme si: (dokumeta, fotografi, shkrime të ndryshme, materiale muzikore etj). nga Arkivi i Kryegjyshatës .
Fonoteka/Fototeka/filmoteka, përmbledhje, digjitalizim, inventarizimi dhe botimi i librit me nefese bektashiane të Pëllumb Katroshit. Dokumentarë dhe arkivimi i materialeve të ndryshme gjatë aktiviteteve në vite.
Odeoni Tempulli i bektashizmit, ndërtimi i tempullit bektashian, Odeoni, ka qënë ide e ish Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Dede Ahmet Myftarit, qysh në vitin 1958, dhe e filloi Dede Reshati në janar e vitit 2004 me firmën e ndërtimit Haredin Fratari dhe nën kujdesin e tij deri në vitin 2011 mori formën e plotë arkitekturor. Kjo vepër e vetmja në llojin event në të gjithë botën është një ndërthurje e ornamentalistikës islame në traditën shqiptare të ndërtimit. Është përdorur mermer, granit, profir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me përkthimin shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian gjenden në këtë faltore. Atë e përfunduam dhe inauguruam së bashku, me të gjitha elementët përbërës të saj më 7 shtator 2015. Një kontribut në mbarëvajtjen dhe menaxhimin e ndërtimit të Odeonit dhe ristrukturimit të Selisë së Shenjtë ka dhënë departamenti i ekonomisë dhe financave të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane . Ajo u përurua më 7 shtator të vitit 2015. Godinë madhështore me arkitekturë të rrallë jo vetëm në Shqipëri por edhe nëBallkan. Ajo ka lartësinë 83 m. Odeoni është poli-funksional, është simbol i bektashizmit, i cili çdo element arkitekturor përfaqëson denjësisht tarikatin bektashian. Aksi kryesor (kollona qendrore) ku mbështetet gjithë godina, Tempulli,që shpreh unikalitetin e arkitetkturës në llojin e vet. Mbi këtë kolonë hapet godina madhështore me 12 kënde, e cila është simbolika e 12 imamëve. Këto 12 kolona duke u lidhur njëra me tjetrën shërbejnë si mbajtëse e kubesë së madhe. Ajo është e stolisur nga brenda me mbishkrime arabeska, floriale në të cilat shënohen 99 emrate Allahut dhe disa shkrime kuranore. Në kulmin e çdo harku të kolonadave janë shkruar emrat e 12 imamëve. Kubea vet kulmon me një taxh në të cilën nga brenda është shkruar emri i Allahut, si simbol i pushtetit absolut. Numri total i harqeve është 72, në përkujtim të dëshmorëve të Qerbelasë. Harqet me kolonadat në hyrje të Tempullit përfaqësojnë 14 foshnjat e pafajshme të familjes profetike. Nemjediset e saj ka disa simbolika bektashiane. Në katin e parë janë mjediset emrekullueshme: “Muzeu bektashian” me një sipërfaqe 500 m 2, Arkivi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në dy dhoma, biblioteka e hapur dhe e mbyllur me minibarin, mjediset e tjera zyrash, fondesh, studio etj. Ndërtimi i saj nisi me kontributin e besimtarëve, donatorëve, dhe dy Kryegjyshërve Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe u kompletua në financimin e Qevrisë Shqiptare, nën kujdesin e kryeministrit aktual Edi Rama. Punuan firmat: me administrator, Haredin Fratari, Ilir Trebicka, Festim Bashllari, Luan Çiba, Arben Leventi, Ilir Vora, Kliti Nano, Skënder Gjoni, Firma Gonxhe shpk,. Hysen Kuqi, etj. Kjo godinë madhështore i shton Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillime të mëtejshme të besimit bektashian; studime hulumtime, botime, filmime dhe komunikimit kombëtar dhe ndërkombëtar duke i dhënë dimension besimit bektashian në trungun e madh të fesë Islame. Kjo vepër plotësoi një dëshirë të madhe për gjithë besimtarët bektashian, klerikëve dhe Kryegjyshëve Botërorë. Por njëkohësisht ky Tempull i Madh Qëndror është një krenari për të gjithë shqiptarët.
Edhe një herë, faleminderit të gjithëve për interesimin dhe pjesëmarrjen!”
Fotot: Nuri ÇUMANI