Tyrbja e dervish Tahirit.
Ndodhet në fshatin Gjergjovë, Njësia Administrative Potom. Bashkia e Skraparit.
Dervish Tahiri nga fshati Gjergjovë, fisi Gërxhani kaloi në rregullat bektashiane, u bë antarë spiritual, myhib, mori dorë te baba Fetahu, i cili e dërgoi në teqenë e Barmshit, te baba Sulejmani për tu përgatitur si dervish. Viti 1898, në moshën 25 vjeçare, u vesh dervish. Më pas punoi dy vjet emigrant, ai, shkoi edhe në Qëndrën Botërore Bektashiane, Haxhi Bektash, ku mori mësime dhe përvojë për bektashizmin deri në vitin 1918. Mbasi u kthye në atdhe shkoi në shumë teqe të tjera. Shërbeu në vitet (1918-1928) në teqenë e Prishtës-Skrapar më pas në vitet (1928-1938) në teqen e Frashërit-Përmet. Kurse në vitet (1938-1946) në teqenë e Backës dhe dervishijes së Miçanit. Ndërsa në vitet (1946-1952) shërbeu përsëri në teqenë e Frashërit dhe në periudhën e fundit të jetës së tij nga viti (1952-1961) shërbeu në teqenë e Turanit të Korçës. Udhën e tij e vazhdoi edhe kushëriri Shaqir Lite Gërxhani, i cili u vesh dervish në vitin 1935, ku shërbeu në teqen e Strajes Kolonjë, të Frashërit, në Kryegjyshatë, në Kutë të Vlorës, dhe së fundi në Krahës të Tepelenës. Fisi Gërxhani kish dy klerikë, dervish Tahiri dhe dervish Shaqir Gërxhani. Dervish Tahiri për 63 vjetë me radhë shërbeu si një klerik i devotshëm dhe la gjurmë kudo që shërbeu në teqet e vendit tonë. Për tyrben e tij është caktuar në vitin 1915, që kur ishte gjallë, e një ngjarje kur u plagos rëndë. Ndërroi jetë në vitin 1961 në teqenë e Turanit. Por nipi i tij, mjeku Novrus Gërxhani realizoi amanetin e dervish Gërxhanit, për të ngritur tyrben e tij në fshatin Gjergjovë, te Bregu, e cila u përurua me një ceremoni më 19 nëntor të vitit 2015 dhe ku bëhet pelegrinazh i përvitshëm çdo 12 shtator.