Përkujtohet jeta dhe aktiviteti fetar e atdhetar i klerikut të njohur, baba Meleq Shëmbërdhenji

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Klerik i përkushtuar, luftëtar i Rilindjes Kombëtare dhe përhapës i gjuhës e arsimit shqip

Nga Nuri ÇUNI
Kleriku Meleq Tahir Muçi lindi në vitin 1842, në fshatin Starveckë të Skraparit, në një familje me tradita patriotike dhe bektashiane. Në fshat ndodhej një mekam, të cilin gjithë fshati e frekuentonte dhe bënin ritualet e besimit. Në kufi me fshatin Backë, ndodhej teqeja e famshme e baba Fetahut me histori e veprimtari të madhe për gjuhën shqipe. Në këtë teqe Meleqi mësoi mbi bektashizmin. Nën përkujdesjen e Dede Edmond Brahimajt, nesër, të dielën, në teqenë e Shëmbërdhenjit në Gramsh, ku ai punoi 17 vite si klerik, zhvillohet ceremonia e 180 vjetorit të lindjes dhe 95 vjetorit të kalimit nga jeta të baba Meleqit.

Veprimtar i çështjes kombëtare
Kleriku Meleq Tahir Muçi, është pjesëmarrës në mbledhjen e teqesë së Frashërit në maji të vitit 1878, është bashkëpuntor me Naim Frashërin, Jani Vruho, Nuçi Naçin. Ai mori pjesë aktive në vitet e Lidhjes së Prizrenit, në organizimin e kësaj lidhjeje në Skrapar, së bashku me patriotin Hysen Sevrani. Gjithashtu, ishte pjesëmarrës në mbledhjen me gjithë baballarët e jugut të Shqipërisë në Kostrec, në mbrojtje të aspiratave atdhetare. Në këtë periudhë si dervish në teqenë e Frashërit dhe Backës, atë e gjeje kudo në lëvizje për edukimin e të rinjve, mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve të kohës, të cilët e arrestuan disa herë. Ai ishte agjitator i librit shqiptar si askush tjetër në Shqipëri. Dokumentat arkivore japin të dhëna si veprimtar i Rilindjes Kombëtare në çështjen e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Egjipt në vitin 1879-n jepte mësim shqiptarëve të atjeshëm, të cilët mblidheshin rreth tij, në teqe e vende të tjera. Kjo ra edhe në sy të princave egjiptian. Në vitin 1892 bëri një udhëtim në Anadoll, me ndihmën e Sadik Efedi Qesarakës ku mblidhte shqiptarët dhe u jepte mësim shqip. Në vitin 1896 shkoi në teqenë e shenjtë të Merdiven Qojt, në Stamboll, ku fshehurazi i bashkonte shqiptarët dhe u jepte mësim në gjuhën amtare. Në kulmin e pjekurisë shkroi poezitë e bukura të gjuhës shqipe. Në këto poezi ai shkrihet e bëhet një me mistikën, tretet si qiriri në devizën se “Pa atdhe nuk ka fe”. Kur u largua nga Stambolli në vitin 1898, u vendos në trevat shqiptare në Manastir, Ohër dhe Strugë, ku qëndroi 2 vjet, nëpër miq e besimtarë, duke u dhënë atyre mësim.

Klerik dhe mësues i gjuhës shqipe
Në vitin 1900, baba Meleqi, erdhi përsëri në teqenë e Frashërit, ku shkruante dhe u jepte mësim. Më 1904 iku nga Shqipëria e vajti në Rumani, ku përfshirë me veprimtari atdhetare e kombëtare. Qeveria turke e ndiqte dhe u detyrua të strehohet në teqenë e s“Shememi Baba”, të Fushë. Më shkoi në teqetë e Krujës, Martaneshit, Elbasanit, Gramshit ku shpërndau abetaret shqipe. Në vitin 1910 shkoi në Bukuresht të merrte sërish libra por shpërtheu lufta dhe në vitin 1912, baba Meleqi ndodhet në Vlorë.

...Në vitin 1884 kur në Stamboll doli gazeta ”Drita” baba Meleqi, u bë bashkëpunëtor i Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, kohë në të cilën ai ka shkruar e botuar shumë poezi.

Predikimet e tij fetare janë të ndjeshme në çdo teqe. Ai punoi në teqenë e Frashërit, të Backës, dhe për 17 vjet drejtoi teqenë e Shëmbërdhenjit të Gramshit me një aktivitet të plotë fetar dhe patriotik. Ishte gjithashtu një mësues shëtitës, për përhapjen e gjuhës shqipe në Skrapar, Berat, Përmet, Korçë, Kolonjë, Elbasan, Martanesh, Krujë, Ulqin, Manastir, Kosovë. Kolonia shqiptare në Kajro e ka ngarkuar me shumë detyra për Shqipërinë. Robert Elsie shkruan në historinë e letërsisë shqipe: “ Shëmbërdhenjin e mbajnë si njërin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti “Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtari i vegjëlisë, shenjtor i njerëzisë”.

Baba Meleqi me kohë kishte përgatitur dy vëllime me vjersha. Një e kishte lënë në teqenë e Shëmbërdhenjit, të cilën siç dihet në vitin 1914 e dogjën andartët grekë dhe tjetrën në teqenë e Turanit, te baba Zylfua. Vetëm në vitin 1933 u arrit të botohet nën kujdesin e dervish Rizait në teqenë e Leskovikut. Shumë shkrime i kish çuar për botim në Bukuresht të Rumanisë dhe nuk dihet fati i tyre. Shtëpia e baba Meleqit u bënë teqetë, brenda dhe jashtë vendit, vëllezërit kosovarë, maqedonas, malazez, çamë e kudo që ai punoi. Si shumë rilindas, punoi i paepur për arsimin dhe kulturën shqiptare sepse ishte mjeti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, për bashkim e vëllazërim, bashkëjetesë e harmoni fetare, kundër përçarjes dhe propagandës antishqiptare.

Ndarja nga jeta e klerikut e atdhetarit të njohur
Për vdekjen e baba Meleqit gazeta “Korça” më 5 mars 1927 shkruan: “ Baba Meleku që ish babai i teqesë së Shëmbërdhenjit në Skrapar dhe që ka qënë një nga bashkëpunëtorët e Naim Frashërit ish dervish në teqenë e Frashërit, ndëroi jetë 25 shkurt 1927 në teqenë e Shëmbërdhenjit në vërsë 85 vjetësh. Perëndia e ndjeftë dhe ngushëllimet afërsisë dhe miqëve”!
Besimtarët në periudhën e luftës kundër fesë, i ruajtën eshtrat e baba Meleqit dhe ato u vendosën në varrezat e qytetit të Çorovodës, Skrapar. Së fundmi, në qershor të vitit 2010 eshtrat e tij, erdhën në teqenë e Shëmbërdhenjit ku shërbeu 17 vjet. Vepra dhe jeta, përpjekjet e baba Meleqit për zhvillimin e arsimit, gjuhës dhe shkrimit shqip ishte një shembull frymëzues për gjithë patriotët e brenda dhe jashtë atdheut. Për veprën e tij është dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Gjithashtu ka marrë titullin “Mësues i merituar”.

KANË THËNË PËR BABA MELEQIN
Baba Rexhebi: Baba Meleqi është një vjershëtor shqiptar, lindur në krahinën e Skraparit në shekullin e XIX. Frymën bektashiane e ka marrë në teqen e Kajgusëzit në Kajro, ku bëri premtimin solemn dhe atje u bë edhe dervish… ka shkruar shumë vjersha të bukura në gjuhën shqipe, me frymë patriotike dhe fetare…ka qenë i ndjekur fort nga policia e fshehtë, e cila e gjurmonte kurdoherë.
Haxhi Dede Reshat Bardhi: …Bija e bijtë e mi, Baba Meleqi është dashuria e dashurisë bektashiane, e atdhetarisë, e përparimit, e kulturës dhe e përpjekjeve për shkrim dhe këndim, e ekzistencës kombëtare me gjuhën, traditën e vet dhe me besimin e dashurinë e pakufishme për fjalën e urtësinë e Zotit në udhën bektashiane, së cilës ai i fali jetë, vepër, dashuri, përkushtim"
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: ...Në mes të këtyre emrave, brezat e sotëm dhe të nesërm, do të përulen ndërkaq me respekt, në mënyrë të veçantë, përpara kujtimit të veprës së baba Meleq Shëmërdhenjit, këtij patrioti të dorës së parë, jeta e të cilit u shkri për besimin dhe kombin shqiptar…
Robert Elsie: ...Shëmbërdhenjin e mbajnë si njërin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti "Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtari i vegjëlisë, shenjtor i njerëzisë...

Kronikë i një jete
-Viti 1842, lindi në Staraveckë të Skraparit, Meleq Tahir Muçi.
-Viti 1878- Pjesëmarrës në mbledhjen ndërkrahinore për platformën e Lidhjes së Prizrenit, në teqen e Frshërit.
-Viti 1879, mbledhje me dervishët në Kustrec-Përmet, kundër vendimeve të Antatës për copëtimin e Shqipërisë.
-Vitet, 1891-1898: Veprimtari në Egjipt, Stamboll, Manastir, Ohër, Strug.
-Vitet, 1900-1910: Veprimtari në Frashër,Ulqin, Rumani, Bullgari, Tetovë, Shkup, Rumani, Bullgari, Bosnjë-Hercegovinë, Gjakovë, Greqi, Mali i Zi.
-20 mars 1919: Pjesëmarrës në firmosjen e Protestës në Mitigun e Çorovodës kundër Esat Pashës.
-Viti 1920: Internohet nga italianët në ishullin e Sazanit në moshën 78 vjeç.
-Vitet 1910-1927:Veprimtari në teqetë: Frashër, Dervishijë-Përmet, Kulmak, Fushë-Krujë, Devish Shabanit, Jahja Babait, Martanesh, Qatrom, Melçan, Turan-Korçë, Shëmbërdhenjë.
-1980: Shtëpia e Kulturës së së fëmijëve merr emrin e Baba Meleqit.
1984: Vendosen eshtrat me ceremoni në varrezat e Çorovodës në parcelën e patriotëve.
2010: u sollën eshtrat në teqenë e Shëmbërdhenjit.

Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI