PËRKUJTOHET MË 14 KORRIK, 233-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË SË GJAKOVËS, KOSOVË

Më 14 korrik 2023, të premten, përkujtohet në Gjakovë, 233-vjetori i themelimit të teqesë së njohur të Gjakovës. Në ritet e kësaj dite, është dhe prezenca e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. “...Teqeja e Gjakovë, është një nga objektet me emër në hapësirat mbarëshqiptare e më gjerë. Ajo dhe klerikët që kanë shërbyer e shërbejnë në ‘të, ka qenë dhe mbetet një vatër e shenjtë e adhurimit të Zotit, një vatër dije e atdhedashurie. Duke përkujtuar këtë përvjetor, ne kujtojmë me respekt armatën e vëllezërve tanë bektashinj e besimtarëve të trevës, që ditën të sfidojnë furtunat e kohës dhe të ecin në udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut…”-pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj.

Teqeja Bektashiane e Gjakovës, e themeluar në vitin 1790 dhe sot, është e vetmja dhe më e vjetra në Kosovë. Ajo është themeluar nga baba Shemsi, i cili shërbeu këtu, nga viti 1790 deri më 1820. Pas kalimit nga kjo jetë, Baba Shemsin e zëvendësoj Baba Ganiu, që e çoi më tej punën e teqesë. Baba Ganiu vizitoi mezarin e Haxhi Bektashit, bashkë me Dervish Ademin. Në rrugën e kthimit nga atje, në vitin 1840, babai ndërroi jetë në Stamboll. Poshtnishin në Gjakovë, e merr baba Ademi (plaku). Pas tij, teqenë e Gjakovës e udhëheq baba Shemsi (i riu) e më tej, baba Abdurrahmani që kishte shërbyer si dervish në teqenë e Haxhi Bektashit. Në vazhdim, Gjakovën e drejtoi baba Hafizi, që më parë kishte shërbyer në tyrben e Imam Musa Qazimit, në Bagdat. Pas kalimit nga kjo jetë të Baba Hafizit, postnishin emërohet Haxhi Adem Vexh-hi Babai. Ky klerik, kishte shërbyer në Melçan e në Frashër, me urdhër të Baba Alushit kishte hapur teqenë bektashiane të Prizrenit dhjetë vjet para Lidhjes Shqiptare, e që do të shërbente si çerdhe e patriotëve nismëtarë të Lidhjes. Baba Adem Vexh-hiu njihte disa gjuhë. Ishte kërkuar për shërbim në Kryegjyshatë, në Haxhi Bektash, por nuk e ndërroi me Gjakovën. Kur më 1927, Baba Adem Vexh-hiu kaloi nga jeta, postnishin u bë myhibi i tij, Baba Hamzai, që kishte shërbyer në teqenë e Sersem Ali Babait në Tetovë si dhe në Leskovik. Baba Hamzai kaloi nga jeta më 1946 në Gjakovë. Bibliotekën që kishte trashëguar dhe pasuruar, ia la pasardhësit, Baba Qazim Bakallit, një personalitet i shquar i bektashizmit në Kosovë. Ai kaloi nga jeta më 15 shkurt të vitit 1981, në moshëm 101 vjeçare. Ndërkohë, këtu shërbeu edhe Baba Musa, i cili kaloi nga jeta në vitin 1975. Më pas, vazhdoi drejtimin baba Tajari-Halife për Gjakovë e Tetovë, që kaloi nga jeta më 1994. Pas vetes, ai kishte lënë Baba Tahirin e Tetovës dhe Dervish Muminin e Gjakovës. Dervish Mumini, u emërua baba-postnishin i Gjakovës në vitin 1994, nga Shenjtori Haxhi Dedebaba Reshat Bardhi. Gjatë viteve të para të udhëheqjes së Baba Muminit, Kosova po përjetonte vitet e vështira të dhunës serbo-jugosllave. Më 7 maj 1999, ushtria jugosllave e dogji teqenë Bektashiane të Gjakovës, duke shkatërruar gjithçka, përfshirë teqenë, tyrben dhe bibliotekën. Teqeja Bektashiane e Gjakovës u ringrit pas luftës së Kosovës, më 14 korrik 2007. Dede Reshati, Baba Mumini e përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, ata të qeverisjes së pasluftës, prenë shiritin e hapjes së teqesë së rindërtuar.
Baba Mumin Lama, ndërroi jetë më 26.01.2021. Aktualisht, në këtë teqe, shërben dervish Rrauf Radoniqi.

 

🟢 Udha Bektashiane 🇦🇱🇽🇰

Foto nga Ceremonia e ditës së premte , 14 korrik 2023, e udhëhequr nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e përvjetorit të 233-të të themelimit dhe të 16-të të rindërtimit të Teqesë historike të Gjakovës.

 

PAMJET VIDEO: TV SYRI VISION

 

FOTO ARKIV