PËRKUJTOHET NË PRISHTË 100-VJETORI I KONGRESIT TË PARË BEKTASHIAN. PËRUROHET DHE BUSTI I DEDE KAMBER PRISHTËS

Një aktivitet i veçantë u zhvillua ditën e premte, 15 janar 2021, në Prishtë  të Skraparit, nga Selia e Shenjtë Bektashiane në kuadër të përkujtimit të 100-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës. Përkimi i këtyre aktiviteteve me vazhdën e shumë të tjerëve, në  “Vitin e Naim Frashërit“ (25 maj 2020-25 maj 2021), shpallur nga Kryegjyshata, u shoqërua me masa të plota paraprake nga Selia e Shenjtë dhe gjyshata e Skraparit. Në këtë aktivitet, mori pjesë dhe përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësa  e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, të ardhur nga Selia e Shenjtë në Tiranë, klerikë e besimtarë të gjyshatës së Skraparit e gjyshatave të tjera, banorë të zonës, miq e dashamirës etj.
Aktiviteti që nisi në orën 11:00 të kësaj dite, përveç riteve tradicionale, përfshinte dy momente të rëndësishme: Vendosja e pllakës përkujtimore në hyrje të godinës së teqesë, si vend-organizim i Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës dhe, përurimi i bustit të dede  Kamber Prishtës, klerikut me kontribute të rëndësishme fetare e atdhetare në Prishtë, gjyshatën e Skraparit e në rolin e Kryegjyshit Botëror Bektashian.
Në prani të të pranishmëve, pllaka përkujtimore me mbishkrimin, “Në teqenë e Shenjtë të Prishtës, 100 vjet më parë, u mbajt Kongresi i Parë Bektashian (14-17 janar 1921)“, e zbuloi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në vazhdim, Dede Edmond Brahimaj, i shoqëruar nga Zalo Qato, sekretar i gjyshatës Skrapar, zbuloi dhe preu shiritin e përurimit të bustit  të klerikut Kamber Prishta.
Në këto ceremoni, përshëndeti dhe Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, ai tha: “… Jam shumë i lumtur që sot në praninë tuaj, unë zbuloj pllakatën përkujtimore të përkujtimit të 100-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës, një ngarje e rëndësishme fetare e kombëtare, si dhe përurimin e bustit të klerikut dede Kamber Prishta.
Këto evenimente, kanë rëndësi gjithashtu se bëhen në kuadër të “Vitit të Naim Frashërit“ (25 maj 2020-25 maj 2021), shpallur nga Selia e Shenjtë, pasi në vetë këtë ndërmarrje, në vendimet e këtij Kongresi, u mëshiruan dijet e përpjekjet dhe të bektashiut Naim Frashëri e vëllezërve të tij. …Teqeja e Prishtë ku u mbajt Kongresi i Parë bektashian, mbart në historinë e vet, sa e sa episode të lavdishëm të besimit të palëkundur në Zot, por edhe të dashurisë për këto troje. Klerikët që kanë shërbyer aty si baba Tahiri, baba Xhaferi, baba Ahmeti, baba Shabani, baba Hysejni, Baba Kamberi, baba Ali Turabiu, si edhe dhjetëra të tjerë, kanë mundur të mbajnë të ndezur çirakun e Haxhi Bektash Veliut, duke shpërndarë dritë dhe besim edhe në kohrat më të vështira të vendit tonë. Ajo dritë ai besim, mbajti të ndezur në zemrat e të gjithëve, dashurinë e madhe, mësimin e madh se vetëm me pushkë dhe me penë mund ta shpëtojmë mëmëdhenë. 
Ndaj, vlerësimi për këta klerikë do të jetë i pashuar në udhën tonë të Hakut.
Ju falënderoj e bekoj të gjithëve, ju e familjet tuaja! Zoti i Plotfuqishëm u bekoftë! Amin!“

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Prishtë: 15 janar 2021